
Armatimet që kishte Shqipëria në vitet 1980-1990! Flet ish-partizani 95-vjeçar
Dritare.net
Naxhi Zhupa, ish-partizan 95-vjeçar i Brigadës së VIII S dhe veteran i LANÇ-it i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv tregoi çfarë armatimesh kishte Shqipëria në vitet 1980-1990. Shumë prej këtyre armatimeve, thotë zoti Zhupa po përdoren sot në luftën në Ukrainë.
“Unë kam bërë inventarin e armatimeve që kishte Shqipëria në vitet 1980-1990. Kishte 7 korpuse ushtrie, 74 brigada, nga këto 12 ishin brigada artilerie me të gjitha llojet e kalibrave, 10 ishin brigada tankesh, kishte 3 regjimente avionësh, kishte 152 avionë luftarakë të tipave të ndryshme, disa janë mëse të përdorshëm dhe të mirë sot. M-21 është nga avionët më të manovrueshëm dhe të armatosur të kohës. Ne kishim mbi 1100 tanke dhe transportues të blinduar, shumica ishin tanke që po luftojnë sot në Ukrainë. Atyre mund t’u ndërrosh pajisjet e drejtimit dhe përdoren në çdo kohë. Se ç’u bënë këto armatime unë nuk e di, por sot nuk ka gjë në Shqipëri.”, tregon ish-partizani 95-vjeçar./K.C/dritare.net

















