
Nga Ermal Peçi
Fundjava një ditë që i takon familjes por edhe vetes për t’u përkushtuar dhe për tu çlodhur nga një javë e ngarkuar me punë, në Shqipërinë tonë me plot halle. Mund të isha unë, mund të ishe ti, mund të ishte një i afërmi jonë që kalonte në ato vija të bardha, të cilat sa nuk sollën një tragjedi për një lule të sapo çelur dhe për një familje te re.
Papërgjegjshmëria e shoferit të makinës luksoze i cili kalonte rrugën me të kuqe nuk përbënte vetëm një rrezik për këmbësorët e rastit por një karshëllëk i hapur kundrejt shtetit dhe drejtësisë. Një person i cili sipas deklaratës së policisë ishte ndaluar të paktën 8 herë dhe i ishin marrë masa administrative ndaj tij. Por e pamjaftueshme, ai përsëri vazhdonte të thyente ligjin e të sillej si “Zot i rrugës”. Në Shqipëri prej disa vitesh qarkullon e vërteta e kafeneve e cila nuk përmendet nëpër televizione por qarkullon vetëm si fabul se po pate para nuk të ndalon askush dhe se je i paprekshëm. Fabul e marrë prej politikanëve të cilët çfarë nuk i kanë bërë këtij vendi dhe kanë prapë guximin moral të dalim dhe të ju tregojnë qytetarëve sesi Shqipëria mund të bëhet.
Nuk mjaftojnë që i kanë vjedhur por edhe i tallin, i tallin çdo ditë si për të iu kujtuar që janë “Zot të jetës” se tyre. Politikanë të cilët i njohim të gjithë me damkën e hajdutit por nuk i kemi parë as edhe një ditë pas hekurave si pasojë e drejtësisë së munguar. Kjo e vërtetë e cila po e çon rininë drejt marrjes së rrezikut për t’u pasuruar sa më shpejt dhe për tu bërë “Zot” për t’u bërë i paprekshëm nga drejtësia dhe për t’u respektuar nga një pjesë e shoqërisë. Nuk është hera e parë që papërgjegjshmëria e “shoferëve adoleshentë” ka shuar familje të pafajshme, ka shuar jetën e tyre por edhe i ka lënë me probleme fizike për pjesën e mbetur të jetës. Pyetja që sot duhet të shtrojë çdo njeri është që ku e gjejnë guximin këta të rinj të thyejnë ligjin, të kalojnë normat e shpejtësisë edhe të guxojnë edhe më shumë? Ku e gjejnë forcën që tallen me ligjin? Kjo është pyetja që shqetëson sot çdo njeri!
Nuk pyesin për polici sepse e dinë që nuk ka drejtësi. Policia sot i arreston dhe drejtësia nesër i liron ose policia e lodhur nga kjo rutinë fillon ta bëj vet rolin e drejtësisë me një sy mbyllur për shkelësit e rrugës por edhe të krimit. Kjo është panorama tragjike e rrugëve tona, një tragjedi që luhet me jetët tona sepse për sa kohë nuk do të ketë drejtësi, ne do të kemi “ Zot” në çdo rrugëtim tonin në Shqipëri. Do të kemi “Zot” në shtet, në politikë, drejtësi, polici si edhe në çdo institucion tjetër. Për sa kohë nuk do të kemi drejtësi do të kemi gjithmonë një “Zot rruge” aty ku ne do të kalojnë. Në Shqipëri qytetarët po kërkojnë drejtësi sepse nga drejtësia fillon ndërtimi i shtetit për të mos patur më “Zot” të mesjetës!/dritare.net

















