Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Sa shumë vlen të reflektojmë, kur vjen Dita e Tokës!

Sa shumë vlen të reflektojmë, kur vjen Dita e Tokës!

Nga Bedri Ramizi

Përjetim

I përflakur shrepi sot agimi mbi qytetin tim. Nxitova në dritare për tu bërë pjesë e këtij spektakli të natyrës. Sot është Dita e Tokës. Për mua kjo është dita ime, ndonëse të tilla i kam të gjitha ditët e vitit. Gjithsesi, sot kam nevojë të reflektoj më shumë, të ftoj edhe shumë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë si unë.

Vendosa ta thyej karantinën sot dhe të dal. Me leje, sigurisht. Nuk isha vetëm. Ndonëse nën peshën e karantinës dhe të stresit që na ka kapluar nga pandemia, këto çaste vlejnë të ndahen me shumë të tjerë. Është momenti të festojmë e të gëzojmë dhuratat që na ka sjellë Toka me bujari. Sot është dita ta çmojmë lidhjen tonë të përjetshme me të, është dita që të reflektojmë për gjërat që mund t`i kishim bërë edhe më mirë. Sepse ne jemi të vetmit që mund të kujdesemi për Tokën.

Çdo qelizë e saj, çdo dru e gjethe, çdo kristal e fije bari, çdo livadh apo lëndinë, çdo kreshtë mali apo shteg, çdo përrua apo rrëke, çdo bimësi apo gjallesë, çdo liqen, det apo oqean janë gjymtyrë të parajsës të zbritura mbi dhe´, janë pjesët që na lidhin ne kaq shumë me Tokën.

E keni vënë re besoj deshirën tonë që na përvëlon poshtë lëkurës në heshtje sapo ndjejmë mungesën e saj në këto kohë pandemie. Ajo aty ishte. Sërish aty është! Të izoluar në karantinë kemi ndjerë të munguar shkëlqimin të saj, prehjen që gjejmë tek ajo. Dikur shkrimtari i madh amerikan Heminguei, që kishte përjetuar mizoritë e dy luftrave botërore vinte në dukje : “Toka është një vend magjepsës për të cilën ja vlen të luftosh”. Prandaj Dita e Tokës është një ditë e madhe reflektimi, është momenti që të zgjojmë energjitë tona për t`a shndërruar Tokën në një hapësirë ku ja vlen të jetohet.

Sot po eci sërish në parkun tim të preferuar, në rrugët e heshtura të qytetit tim. Lodhje nuk ndjej, veç mall kam. Por një brengë më bluan përbrenda. E dimë të gjithë se çfarë i kemi punuar Tokës. Për shpirtin tonë egoist nuk lamë pyll pa prerë, brigjet e detit i sakatuam, lumenjtë i tjetërsuam, përrenjtë i devijuam, gjallesat i gjuajtëm pa kriter, parqet dhe lulishtet i përgjysmuam për nevoja të çastit, periferitë i lamë në harresë. Sidoqoftë, ka edhe një të vërtetë tjetër. Kemi ditur të reflektojmë këto vite të fundit, ta çmojmë Tokën ashtu sikurse ajo e meriton. Ne sot kemi shpresë dhe vullnet që këtë detyrim ndaj Tokës dhe vetes ta zhvillojmë më tej. Inkurajuese janë shumë gjetje për të festuar një ditë pa makina, sensibilizimi dhe investimi për ta veshur kryeqytetin me një kurorë të gjelbër, krijimi i hapësirave të dedikuara biçikletave në rrugët e qytetit, mbjellja e mijëra pemëve, të nominuara madje, sistemimi i mbetjeve urbane, kthimi i zonave djerrë ne parqe për t`u patur zili, por mbi të gjitha, qasja qytetare për të ndërgjegjësuar njerëzit se Toka dhe qyteti na përkasin të gjithëve. Kësisoj të gjithë duhet të bëjnë detyrat e veta ndaj saj. Presidenti i 26-të amerikan Teodor Rusvelt, që karahas politikanit të famshëm, ishte edhe një natyralist i shquar, kur vlerësonte natyrën theksonte: “Adhuroni këto mrekulli të natyrës, adhuroni pasuritë e saj, kujdesuni me dashuri për historinë dhe përdoreni këtë pasuri si një trashëgimi të bekuar për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tuaj. Mos lejoni njerëz egoistë apo interesa lakmitare t`a zhveshin vendin tuaj nga bukuria, pasuria dhe romanca e tij”.

Pas përjetimit me emocione më shumë të tjerë të kësaj dite, mora sërish rrugën e kthimit për në karantinë. Me vete nuk kisha harruar të merrja një dorë me fara borziloku. I hodha ato më ndjenjën e falenderimit në parkun ku kaloj çdo ditë. Sot do të doja që dorës time t`i bashkoheshim miliona të tjera në tërë botën. Sepse miliona duar të bashkuara mund të sjellin ndryshimin, mund ta bëjnë Tokën, shtëpinë tonë të përbashkët, një vend ku jeta vlen të jetohet. Doja t`u shprehja edhe një mirënjohje të gjithë njerëzve të thjeshtë që u bënë pjesë aktive e kësaj dite. Ka plot mënyra për ta bërë këtë. Por unë do të doja të kishte, diku në këtë qytet, një shtatore hijeshuese kushtuar një njeriu të thjeshtë që i shërben Tokës me dashuri. Aty do të përulesha çdo ditë!/dritare.net