Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Mungesa e mjeteve ndihmëse dhe pasojat tek personat me aftësi të kufizuar!

Mungesa e mjeteve ndihmëse dhe pasojat tek personat me aftësi të

Avdije Hoxha*

Personat me aftësi të kufizuara janë individët që kanë dëmtime afatgjata fizike, mendore, intelektuale ose ndijore, dëmtime të cilat, në bashkëveprim me pengesat e ndryshme, përfshirë ato mjedisore dhe të qëndrimit, mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efikase në shoqëri, në kushte të barabarta me të tjerët, ndaj ata/ato kanë nevojë për mjete ndihmëse në mënyrë që jetesa e tyre të jetë më e lehtë. Mjetet ndihmëse u mundësojnë njerëzve të jetojnë jetë të shëndetshme, produktive, të pavarur e dinjitoze dhe të marrin pjesë në arsim, tregun e punës dhe jetën qytetare. Në këtë mënyrë ato reduktojnë nevojën për shërbime shëndetësore dhe mbështetëse, kujdes afatgjatë dhe punën e ndihmësve personalë. Pa mjetet ndihmëse, njerëzit shpesh përjashtohen, izolohen dhe mbyllen në varfëri, duke rritur kështu ndikimin e sëmundjeve dhe paaftësisë së një personi në familjen e tij dhe shoqëri, duke krijuar probleme të shumta a ndoshta dhe një shërbim jo cilësor, por shumica e personave me aftësi të kufizuar nuk kanë akses në mjetet ndihmëse për shkak të kostove të larta, mungesës së ndërgjegjësimit, disponueshmërisë, personelit të (pa)trajnuar, politikave të disfavorshme dhe financimit.

Edhe pse kemi një legjislacion ku përcaktohen detyrimet, përgjegjësitë dhe përgjegjësit që duhet të ofrojnë shërbimin për mjetet ndihmëse, shpesh krijohen ngërçe zbatimi, për mungesë të Akteve Nënligjore apo burokracizmave në zbatim. Kam parasysh këtu Planin Kombëtar të Veprimit që parashtroi gjithë l egjislacionin, masat, nevojat, ngritjen e shërbimeve, përfitimet, gjer te ngritja e një QENDRE REHABILITIMI, aq të domosdoshme, për personat me aftësi të kufizuar dhe nuk nxori asnjë akt nënligjor për ta zbatuar dhe e mbylli me kaq.

Por, meqë jemi te legjislacioni, po kujtojmë disa detyrime që vijnë nga ligjet dhe VKM-t përkatëse. Psh: Neni 9 i ligjit Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me

aftësi të kufizuara” ; Neni 8 i ligjit Nr.7889, datë 14.12.1994 “Për statusin e invalidit” (i ndryshuar) ; Neni 16 i ligjit Nr.8626, datë 22.6.2000 “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik” (i ndryshuar) ; Pika 2 e VKM Nr. 387, datë 31.5.2001 “Për përjashtimin nga taksat dhe tatimet te invalidëve paraplegjike dhe tetraplegjike”, të cilin po e përmendim të plotë: “2. Mjetet, që u përkasin të sëmurëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, që përfitojnë nga përjashtimi i detyrimeve të importit janë:

a) Pajisje të thjeshta të përdorimit vetjak të të sëmurëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

b) Karroca me dhe pa motor si dhe autovetura të përshtatura për përdorimin nga këta të sëmurë.”

Procedurat e përjashtimit nga detyrimet e importit të këtyre mjeteve përcaktohen me udhëzim te përbashkët të Administratës së Përgjithshme të ndihmës e të Shërbimeve Sociale dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.”

Pra, legjislacioni shqiptar që vepron për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara përcakton se institucionet shtetërore ndërvepruese për garantimin e mjeteve ndihmëse përfshijnë dy ministri, si: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Të dy ministritë nëpërmjet institucioneve të tyre të varësisë marrin masa për zbatimin e legjislacionit të sipërpërmendur, sipas skemës së mëposhtme: Instituti i Shërbimit Social Shtetëror, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Instituti i Sigurimit Shoqëror, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave etj

Në praktikë pjesa që parashtrohet në legjislacionin specifik, nuk realizohet pasi nuk është ngritur sistemi për ofrimin e mjeteve ndihmëse, nuk ka një listë të miratuar dhe nuk është buxhetuar për to. Ndaj, Aktualisht, në vendin tonë e vetmja pjesë e legjislacionit që gjen zbatim në lidhje me mjetet ndihmëse është ai i përjashtimit të taksave doganore kur personat me aftësi të kufizuara, që i blejnë vetë jashtë vendit, si autovetura apo mjete ndihmëse që u nevojiten. Ndërsa, mbulimi i kostove të mjeteve ndihmëse nga shteti, ashtu siç rekomandon OBSH apo siç janë edhe praktikat e mira të vendeve fqinje, nuk është i zbatueshëm dhe i mungojnë elementë kyç për t’u zbatuar.

Nuk ka të ngritur dhe funksional një sistem të mjeteve ndihmëse bazuar në standardet ndërkombëtare. Nuk ka një listë të mjeteve ndihmëse të miratuara sipas sugjerimeve/kërkesave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë; Ka një legjislacion në fuqi të papërditësuar me ndryshimet, që kanë ardhur si rezultat i zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë në lidhje me mjetet ndihmëse për personat me aftësi të kufizuar dhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por është vetëm i shkruar në letër, ku na tregohen vetëm kur kërkojmë “llogari”, pasi ka një mungesë të theksuar informacioni mbi sistemin e mjeteve ndihmëse në institucionet shtetërore përgjegjëse për garantimin e përfitimin e tyre dhe janë të përcaktuara në mënyrë të përgjithshme dhe nuk kemi një detajim të tyre dhe përcaktim të saktë.

Për të ndihmuar në garantimin e mjeteve ndihmëse për të gjithë dhe kudo, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar Listën Prioritare të Produkteve Ndihmëse. Kjo listë nuk është shteruese, por synon t'i ofrojë çdo shteti anëtar një model nga i cili mund të zhvillojë një listë të produkteve ndihmëse me përparësi kombëtare dhe ofron gjithashtu udhëzime për politikat e prokurimit dhe rimbursimit të tyre, duke përfshirë dhe mbulimin e tyre nga skemat e sigurimit, gjë që Ministria jonë dhe Shërbimi Social Shtetëror, si përgjegjës, akoma “flenë në dafina” dhe nuk kanë marrë asnjë masë, të paktën për të patur një listë të këtyre mjeteve ndihmëse, (gjë që ne, nuk do të reshtim së përsërituri).

Ēshtë e domosdoshme dhe konsultimi me grupet e interesit, pasi duhet të ecim nën moton e Konventës së OKB-s për personat me aftësi të kufizuar ASGJĒ PĒR NE, PA NE, se askush nuk mund t’i dijë problemet siç i dimë ne, vetë.

Sjell këtu eksperiencën personale, si drejtuese e degës së Shoqatës së Invalidëve Para-Tetraplegjikë të Shqipërisë për Qarkun – Durrës, ku përballemi çdo ditë me nevojat e tyre të domosdoshme: duke filluar që nga karrigia me rrota manuale për përdorim aktiv që duhet të jetë shumë e lehtë në peshë, për të lehtësuar përdorimin nga personat me aftësi të kufizuar apo karrige me rrota elektrike tepër domosdoshme për të krijuar pavarësinë; jastëkë antidekubitus për karriget me rrota; karrige me rrota për dush/banjë/tualet apo pajisje për dush, aq të domosdoshme për të krijuar lehtësira për të kryer nevojat personale; krevatë të posaçëm me dyshekë antidekubitus që shpëton jetë dhe është i domosdoshëm për personat me aftësi të kufizuar ose të moshuarit që qëndrojnë gjatë në shtrat, pasi rrezikohen nga plagët e shtypjes; ngritësi “Hoyer” (apo e njohur me gjuhën e thjeshtë: vinç) – pajisje që përdoret për të transferuar personat me vështirësi në lëvizje, të ngrihen nga shtrati ose nga banja me ndihmën e një personi tjetër. Kjo pajisje ndihmëse është thelbësore për parandalimin e lëndimeve tek ndihmësit personalë dhe për të lejuar personat me vështirësi në lëvizje të transferohen nga karrigia me rrota në shtrat dhe anasjelltas... Mos flasim për produktet përthithëse një përdorimshe të cilat ndihmojnë personat me inkontinencë për nevojat personale, që njihen gjerësisht si pelena ose pampers për të rritur, që kanë humbur kontrollin mbi urinimin ose defekimin, për të cilat jepet një pagesë “kesh” në dorë, por që shpesh është e pamjaftueshme, pasi disa lloje dhe mungojnë apo janë shumë të kushtueshme dhe të papërballueshme nga ana e personave me aftësi të kufizuar.

Përmendëm këtu disa nga mjetet ndihmëse të nevojshme për kategorinë paraplegjikë-tetraplegjikë, por aftësia e kufizuar përfshin edhe kategori të tjera që kanë nevoja specifike, siç janë: Shkopi i bardhë, lexues digjital me zë apo ekrane në Braille që ndihmon personat e verbër ose me vështirësi në shikim të punojnë, kryejnë detyrat e shkollës apo komunikime të tjera për çështje personale dhe të lëvizin në mënyrë të pavarur; Proteza për gjymtyrët e poshtme, që zëvendësojnë ijën, kofshën, gjurin, kyçin e këmbës dhe këmbën të dëmtuara dhe jo funksionale; Bastunë mbajtës/ paterica që ndihmojnë personat me vështirësi në ecje, të mbajnë ekuilibrin dhe stabilitetin e trupit të tyre; Sinjalizues alarmi me dritë/tingull/dridhje–pajisje që paralajmërojnë njerëzit që nuk dëgjojnë dhe/ose me vështirësi në dëgjim ndaj ndryshimeve brenda ambientit të tyre, e shumë e shumë pajisje që ndihmojnë në cilësinë e jetës të personave me aftësi të kufizuar.

Nisur nga rëndësia që kanë mjetet ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, është e nevojshme dhe imediate nevoja e mbulimit nga shteti shqiptar të kostos së tyre për personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që t’u përmirësohet cilësia e jetës, të mos u cënohet shëndeti dhe t’u lehtësohet përfshirja dhe pjesëmarrja në shoqëri.

Të bëhet Planifikimi i fondeve nga buxheti i shtetit për të garantuar sistemin e mjeteve ndihmëse, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që përfitimet për personat me aftësi të kufizuara nga mjetet ndihmëse të jenë në nivelet më të larta. Fondet shtetërore duhet të programohen në mënyrë të tillë, që të lejojnë ndërhyrjen apo realizimin e ndryshimeve në sistemin e mjeteve ndihmëse në çdo moment që është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Mjetet ndihmëse janë një nga elementët kyç për garantimin e së drejtës për jetesë të pa varur për personat me aftësi të kufizuara.

Ne, shpresojmë se me hapjen e negociatave për antarësim në BE, do të kemi dhe një QENDĒR REHABILITIMI aq shumë të nevojshme dhe të kërkuar nga Personat me Aftësi të kufizuar dhe më shumë përgjegjësi dhe zbatim ligjor! Asgjë për ne, pa ne!

*Shoqata e invalidëve Paraplegjikë-Tetraplegjikë të Shqipërisë, dega Qarku-Durrës!