
Nga Luçiano Golemi
Ai na magjepsi'
'Ajo na fanepsi'
Ndërsa duartrokitjet boshe s'flisnin ende.
"Malcolm X"-at e nahijes së këtejshme, jo ai prej vërteti, po pëllisnin. Doja të thoja, po flisnin, por midis pëllitjes dhe të folurit pa luspa, nuk dallon asnjëri prej tjetrit; Kumti fundja është i njëjti: Një zhurmim lope!
Përfundshëm, askush nuk i ka çuar kombet dhe njerëzimin veçse idhujtarisë, procesit që tjerr leshin e kokave të boshta, end pëlhurën e trurit dhe hidhninë e shpirtit të cekët...të cekët pak më pak se filxhani i çajit dhe shumë më shumë se pjata e groshës.
Por asnjë pas të dyjave nuk ka lidhje me aromën e ushqimit.
Idhujt janë të paportretshëm, sjellin mjerimin, ndërsa idhujtarët çojnë drejt fatalitet. Kjo pret thikazi pasandaj, blatimin hyjnor nga mjerimi njerëzor.
Mosqasja me të vërtetën i rrëzon ikonat që u këndohet meshave në Katedrale.
Ndërsa idhujt aspak s'i ngjajnë Priftit që këndon ungjillin.
Sakaq, si rrëkëllehet e vërteta?
Me shamje gjer në kockë! Ja kaq!
Dhe pastaj idhujtarët bien si e thëna "para rrënimit vjen krenaria".
Idhujtarët ama, cekëtinat e përroit që s'rrjedh, jo Njerëzit!
Sepse njerëzit e kuptojnë që siluetat nuk gjegjen, e as fotot preken.
Njerëzit e kuptojnë mekjen dhe vargun pa rimë të fjalës që s'ka fonema.
Njerëzit e kuptojnë nëse i ke buzëqeshur apo i ke buzatallur me vanitetin e dehidruar.
Njerëzit i kuptojnë dhe dritëhijet, libretin, muzikën, kostumografinë, hijeshinë, shtazërinë, domethënë, skenën në tërësi.
Njerëzit arrijnë ta falin edhe intepretimin, që sjell hiçpunë në fakt.E falin dhe një gënjeshtër të imët të bluar nga duartrokitjet.
Ah, por ata nuk ta falin momentin e shkëlqimit në të paqëna psikedelike, ndaj mos prish sixhaden të arnosh xhyben... sepse në këtë moment:
Sipari bie! Shfaqja mbaron!
Siç thotë dhe Joyce: “Mungesa është forma më e lartë e pranisë”./dritare.net

















