Edi Rama mbledh Grupin e PS! Ja çfarë pritet të diskutohet sot!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 11:00 grupin parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Kongreseve. Në fokus të diskutimeve do të jetë strategjia e komunikimit publik dhe me qytetarët, që do të prezantohet nga Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Eriona Ismaili.
Mbledhja do të nisë me fjalën e kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla dhe më pas me fjalën e kryeministrit Rama.
Para grupit socialist dhe kryeministrit Rama do të raportojë edhe Arbjan Mazniku, bashkëkryetari i reformës territoriale. Puna e deritanishme e komisionit dhe ecuria e procesit në një kohë kur afatet janë të kufizuara dhe komisioni duhet të dalë me një draft brenda muajit korrik, pritet të jenë pjesë e raportimit.
Ajo çka bie në sy është edhe raportimi i Drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobellit dhe jo para kuvendit, por para grupit socialist në Pallatin e Kongreseve. Një raportim jo i zakontë për “Kadastrën”, institucion në varësi të Kryeministrit.
Më herët, Kreu i Qeverisë ka paralajmëruar ndryshime në këtë agjenci që nisën me zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt kryeqytetit, e që siç paralajmëroi vetë Rama do të vijojë edhe me drejtori të tjera.