
Sherri për parkimin, taksisti qëlloi me armë 3 vëllezëit, pronarë të mobilierisë
Dritare.net

Autori i krimit është një taksist që pati konflikt me njërin nga vëllezërit për shkak të parkimit të automjeteve.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sadik Petrela”, te Xhamlliku, mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07:35. Policia raportoi fillimisht se një person kishte qëlluar me armë zjarri ndaj tre vëllezërve dhe, për fat të mirë, nga ngjarja nuk kishte persona të lënduar. Objektiv i sulmit me armë që në mëngjes kanë qenë vëllezërit Klentian Buda, Shaban Buda e Ergys Buda, përkatësisht 38, 34 dhe 36 vjeç.
Në lidhje me ngjarjen, Policia deklaroi zyrtarisht se ka arrestuar në flagrancë shtetasin Leonard Kaçaniku, 35 vjeç, banues në Allias, i dyshuar si autor i ngjarjes. Në momentin e arrestimit, Policia ka bërë me dije se të dyshuarit i ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit, një pistoletë “Zastava”, me kalibër 9 mm, një gëzhojë, si dhe makinën.
KONFLIKTI
Sherri që ka kulmuar mëngjesin e djeshëm me sulmin me armë ndaj tre vëllezërve, duket se ka nisur një natë më parë. Burime të Policisë kanë thënë dje se Leonard Kaçaniku punonte si taksist i palicencuar në rrugën “Sadik Petrela”.
Pikërisht kjo punë dhe ky aktivitet i tij mendohet se është bërë shkak për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm. Vëllezërit Klentian Buda, Shaban Buda dhe Ergys Buda janë banorë në rrugën “Sadik Petrela”, ku parkonte mjetin autori i ngjarjes së djeshme. Tre vëllezërit mësohet se janë tregtarë mobiliesh të përdorura, që shesin kryesisht në zonën pranë Pazarit të Ri.
Pikërisht vendi ku parkonte makinën që përdorte si taksi autori i ngjarjes, Leonard Kaçaniku, sipas Policisë, ka qenë edhe shkak i krimit. Motivi i ngjarjes, sipas policisë, lidhet me një konflikt të ndodhur të martën në mbrëmje, mes Kaçanikut dhe një prej vëllezërve Buda.
“Nga hetimet dhe nga marrja e deklarimeve, rezultoi se ka pasur një konflikt mes Shaban Budës dhe personit të arrestuar, pas të shtënave me armë. Sherri ka ndodhur pasi Shaban Buda kishte bllokuar rrugën e lëvizjes së makinës së Leonard Kaçanikut, në kohën kur ai ka tentuar të largohej pasi kishte klientë.
Kjo situatë është përcjellë me debate mes tyre dhe më pas edhe me një sherr verbal e fizik. Ditën e djeshme në mëngjes, taksisti ka marrë armën dhe qëlloi mbi vëllezërit, të cilët shpëtuan mrekullisht nga vrasja.

















