
Sulmi në zemër ndodhë kur një pjesë e muskujve të zemrës dëmtohet ose vdes, sepse nuk merr oksigjen të mjaftueshëm. Gjaku në arteriet koronare bartë oksigjenin në muskujt e zemrës. Shumica e sulmeve të zemrës ndodhin kur një bllokim ngadalëson ose ndalon rrjedhjen e gjakut nëpër këto arterie. Në një intervistë me DritareTV mjeku kardiolog Spiro Qirko dha këshilla me vlerë, jo vetëm për shëndetin, por edhe rreth metodologjisë së mjekësisë sot. Ai tregon se përse po pësojnë sulm në zemër edhe të rinj.
"Në tre vetë dy janë obezë, që i bën ata të predispozuar për sëmundje si diabeti dhe zemra. Një njeri duhet të bëjë 10 mijë hapa në ditë, domethënë rreth 6 kilometra e gjysëm me ecje të shpejtë. Në rast kur kjo bëhet të paktën 5 herë në javë, atëherë ke fituar shumë. Ko ecje i bën shumë mirë edhe trurit, pasi në ditën tonë ne përballemi me shumë strese. Madje mund të citoj se një shkrimtar i njohur ka thënë “stresi është kripa e jetës dhe puthja e vdekjes”, që do të thotë se ne pas stress nuk jetojmë dot. Moshat e reja kanë nisur të preken nga sëmundjet e zemrës se këto mosha nuk kanë regjim. Moshat e reja shpesh janë konsumues të duhanit, alkoolit dhe ndonjëherë edhe drogës, gjë që u jep atyre predispozitën që të sëmuren me sëmundje të ndryshme e të rrezikshme.",-u shpreh kardiologu i njohur Spiro Qirko./K.C/dritare.net

















