Na ndiqni edhe në

Shëndet

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Nga Deborah Copaken- The Atlantic

Dy të tretat e pacientëve të Alzheimerit janë gra. Truri im i mjegullt 53-vjeçar mund të ndihmojë në shpjegimin psesë.

Unë kam mbajtur shënim të gjitha fjalët që truri im nuk mund t'i kujtojë. Lista është rritur shumë. Mund të jetë rritur dy herë më shumë, por shpesh harroj fjalën që kam harruar, ndërkohë që nxitoj për në kompjuter për ta shkruar. Pranë fjalës që mungon, unë shënoj përshkrimin që kam përdorur, të tilla si "ajo gjëja që fryn" (era) dhe "lloji i bluzës që është e butë dhe pak e leshtë" (fanellatë). Kur nuk kujtoja dot pjekjen në skarë, e quajta atë "një send gatimi". Për rimishërimin thosha "ajo fjalë që përdorin budistët për jetën tjetër.” Kohët e fundit, vajza ime dhe disa nga miqtë e saj të kolegjit më panë që po zbukurohesha për një festë dhe më pyetën ku po shkoja: “Është, ju dini një festë për...” Belbëzova: "Si quhet ajo gjëja kur po përpiqeni të mblidhni fonde?"

"Mbledhje fondesh?" tha shoqja e saj, duke qeshur. Edhe unë qeshja, e turpëruar, por isha edhe e shqetësuar. Nuk jam shumë e vjetër.

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Alzheimeri, forma më e zakonshme e çmendurisë, prek kryesisht njerëzit 65 vjeç e më të vjetër. Nuk kam histori familjare të sëmundjes. Përveç harrimit të disa fjalëve, ose kur harroj ku lë çelësat apo nuk kujtoj dot emrin e një personi pasi jemi prezantuar, truri im funksionon relativisht mirë. Plus, aktualisht mbaj katër punë shkrimi, të cilat mund të jenë shpjegimi më i thjeshtë për gjendjen time. Dy shqetësime të vazhdueshme më mbajnë zgjuar natën. Së pari, nuk mund t’i shpëtoj dot faktit se, ngarkesa e punës më bekoi me katër nga gjashtë faktorët kryesorë të rrezikut për dobësim konjitiv (dobësim të kujtesës), nganjëherë të gjitha bashkë: stresi, dieta e varfër, mungesa e stërvitjes dhe gjumi i pamjaftueshëm. Së dyti dhe më shqetësuese: Unë po hyj në menopauzë. Dhe kjo e rrezikon më shumë trurin tim nga Alzheimeri.

Megjithëse janë bërë shumë kërkime për të kuptuar Alzheimerin, gjendja mbetet misterioze. Shkaku ose shkaqet kryesore nuk dihen. Deri më tani, çdo testim i ilaçit të tij ka dështuar. Nga viti 2000 deri në 2017-ën, vdekjet nga Alzheimeri u rritën me 145 për qind. Sëmundja konsiderohej prej kohësh një rezultat i pashmangshëm i plakjes, i përshpejtuar nga gjenetika e një personi. Por gjatë dekadës së kaluar, fusha e kërkimit ka përparuar duke besuar se kombinimi i një sërë faktorësh të stilit të jetës, luajnë një rol të madh në përcaktimin e rrezikut, raporton dritare.net

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Sipas këtij këndvështrimi, jo të gjitha rastet e dobësimit konjitiv janë të njëjta, ose ndoshta, të pashmangshme. Richard Isaacson, themeluesi i Klinikës së Parandalimit të Alzheimerit në Weill Cornell Medicine dhe New York-Presbyterian Hospital, është një nga shumë shkencëtarë që mbështesin idenë se Alzheimeri, mund të shmanget nëse ndërhyhet në stilin e jetesës, të tilla si të ngrënia më mirë dhe më shumë aktivitet fizik.

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Isaacson beson se trajtimi i Alzheimerit para se të të prekë dhe jo pas, mund të jetë një strategji premtuese për të larguar disa raste të dobësimit konjitiv, si dhe një mënyrë për t'i shtyrë studiuesit të rishikojnë faktorët themelorë dhe mekanizmat e sëmundjes.

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Dy të tretat e të gjithë pacientëve të Alzheimerit janë gra. Pse?

Shpesh është pohuar se kjo ndodh sepse gratë jetojnë më gjatë se burrat, duke i dhënë sëmundjes më shumë kohë për t’u vendosur. Faza paraklinike e Alzheimerit, përpara se të shfaqen simptomat, mund të zgjasë për dekada.

Lisa Mosconi, një kolege e Isaacson ka bërë një studim, ku sipas të dhënave të saj, vihet re se në trurin e grave të moshës së mesme ka shenja të një rreziku më të lartë të Alzheimerit sesa te burrat. "Burrat 40 dhe 60-vjeçarë po shkojnë mirë, ndërsa për gratë, ka një rënie të dukshme të energjisë së trurit dhe një rritje të pllakave të Alzheimerit, pasi ato kalojnë nga premenopauza në menopauzë." Një tjetër teori e Mosconi-t është se: “Alzheimeri mund të shkaktohet te gratë vite para se të shfaqet ndonjë shenjë e sëmundjes, gjatë perimenopauzës, periudha e kalimit në menopauzë. Çdo grua e di se kur po kalon në menopauzë, flokët thahen, lëkura thahet, kjo është plakja. Pak njerëz janë të vetëdijshëm se e njëjta gjë do të ndodhte në tru. Qelizat tona të trurit fillojnë të plaken më shpejt."

Mosconi ka kryer skanime të shumta MRI te gratë perimenopauzale për të parë atrofinë e trurit, dëmtimin e enëve të gjakut dhe lidhjen. Ajo po shqyrton skanime PET për të ekzaminuar nivelet e energjisë së trurit dhe praninë e pllakave të Alzheimerit.

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Sipas teorisë së Moskonit, kjo po ndodh për shkak të estrogjenit. Gjatë menopauzës, estrogjeni zvogëlohet në mënyrë dramatike. "Estrogjeni është një hormon neuroprotektiv. Kur bie, truri bëhet më i prekshëm.”, thotë Mosconi.

Roberta Diaz Brinton, drejtoresha e Qendrës së Inovacionit në Brain Science në Universitetin e Arizonës thotë se: "Menopauza është si puberteti. E ndryshon trurin përgjithmonë. Humbja e estrogjenit nënkupton që metabolizmi i glukozës në tru, karburanti kryesor, është ulur me rreth 20-25 për qind. Kjo është arsyeja pse gratë mendojnë se kanë dalë jashtë loje. Jo, ato janë ende në lojë, megjithëse jo si më parë”

Rudy Tanzi, një profesor i neurologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets dhe një bashkdrejtor i Qendrës McCance për Shëndetin e Trurit, thotë se shkencëtarët mendojnë se ka një lidhje midis varfërimit të estrogjenit dhe Alzheimerit, për dekada me radhë, informon dritare.net

Por ai thotë: “Unë jam pak më agnostik për pyetjen se, pse dy të tretat e pacientëve të Alzheimerit janë gra." Si gjenetist, Tanzi i afrohet çështjes në nivelin e ADN-së. "Nuk po mendoj për estrogjenin ose ndonjë hipotezë të veçantë. Unë thjesht po bëj analiza gjenetike. Gjenet që mund të lidhen me Alzheimerin po na sjellin rreth hartës. Ato nuk kanë arritur konkretisht në metabolizëm ose metabolizmin e energjisë, por nëse ndiqni mjaftueshëm rrugën e një gjeni të ri, mund të riktheheni te ai.”

Mosconi dhe Brinton, kanë nisur një lloj terapie që i bën shumë punë grave. Terapia me estrogjen. Administrimi i hormonit gjatë perimenopauzës dhe menopauzës mund të rivendosë funksionin njohës, tha Brinton. Por ajo theksoi se koha dhe lloji i terapisë hormonale janë thelbësore: "Estrogjeni ose terapia e kombinuar hormonale vite pas menopauzës nuk ka mundësi të jetë e dobishme, ndërsa futja e terapisë kur shfaqen simptomat mund të jetë.”

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Ka shumë faktorë të komplikuar në terapinë tradicionale të estrogjenit. Estrogjeni i marrë gojarisht, sipas të mjekëve, jo vetëm që nuk garantohet të arrijë në tru, por mund të rrisë rrezikun që një grua të preket nga kanceri. Për të shmangur këtë, Brinton po krijon një suplement të estrogjenit që mund të injektohet direkt në trurin e njeriut. Mosconi, në të njëjtën kohë, ka qenë duke sajuar një teknikë të re të imazhit të trurit për të monitoruar efektet e këtij injeksioni. Për të provuar suplementin e ri, Mosconi tha se përpara se ta bënte eksperimentin te gratë e tjera, do ta bënte te truri i saj.

Derisa të ekzistojë një formë e besueshme e terapisë me estrogjen, unë po ndjek këshillat parandaluese të mjekëve dhe do ta mbroj trurin tim në çfarëdo mënyre që të mundem. Pas intervistës me Mosconi-n, unë shkoja me biçikletë në shtëpi, në vend që të merrja metronë. Shkova direkt në ushqimore për të blerë gjashtë tase me manaferra të zeza: manaferrat thuhet se janë më të mirat për shëndetin e trurit, të ndjekura nga boronicat dhe mjedrat. Çdo ditë dilja për 10 minuta xhiro me qenin tim dhe flija nuk po them tetë orë gjumë, po më mirë 7. Ende harroj disa fjalë.

Çfarë i bën menopauza, trurit të grave!

Disa javë pasi folëm, ekipi i Mosconi-t më ftoi të marr pjesë në studimin e tyre. Nuk e lashë këtë mundësi, sepse doja ta dija çfarë po ndodhte me trurin tim. Gjithashtu doja ta ndihmoja më tej shkencën përpara se vajza ime 22-vjeçare të shkonte në moshën kur kalon në menopauzë. Unë bëra skanimet MRI dhe PET. Rezultatet e të dyja skanimeve dhe testeve dolën mirë. Truri im me sa duket ka vëllim të shkëlqyeshëm, lidhje të mirë dhe nivele energjie, s’ka dëme vaskulare dhe as pllaka amiloide, shenjat paralajmëruese të çmendurisë. Nivelet e hormonit tim sugjerojnë që unë jam akoma në fund të premenopauzës./Përshtati: Kadrije Çako/dritare.net