Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Shëndet paç e u bëfsh politikan!

Shëndet paç e u bëfsh politikan!
Nga Gerta Kapllani

Sa herë që dua të dëgjoj të vërteta, të mposht luftërat e brendshme, të gjej veten, të marr vendime të rëndësishme, më pëlqen të konsultohem me fëmijët, himnin e pafajësisë. Pyeta Xhoenin , një 5-vjeçar fantastik me tru të adhurueshëm e ide të qarta se çfarë donte të bëhej kur të rritej. Më tha i vendosur : “Politikan”. Politikan se ata veshin gjithnjë këmisha e kollare, dalin pafund në televizion, shëtisin botën, kanë makinë gjigande dhe celularë të mëdhenj e të shndritshëm. Me pak fjalë janë super. E pa mbaruar fjalinë shtoi duke mbajtur qëndrim një por. “.. Por unë premtoj se do them vetëm gënjeshtra të bardha dhe vetëm në raste ekstreme e do t’i  kryqëzoj gishtat gjithnjë. Po ti ?”, më pyeti.  Ti vesh gjithmonë këmisha të bukura, flet gjithnjë bukur e me gjeste. Vetëm po të rritësh pak më shumë flokët, të qeshësh pak më tepër e të heqësh dorë nga çorapet me ngjyra, do të ishe një politikane e zonja.

Po unë?  Paradoksalisht ka kaq shumë Xhoenë në secilin të ri që ndesh sot,  të kompromentuar nga idealet Xhoeniane të të qenurit politikan.

Po unë? Unë thjesht një e re në luftë mes kompromisit dhe realitetit cinik që të pushton në cdo minutë jete.

Po unë? Unë gjendem sot si për dreq para një fotografie hipokrite e cila më kujton një pamje të trishtë të fotografuar në tru si katër vite më parë. I njëjti vend, tavolina, e njëjta situatë, veçse janë shtuar shumë më shumë fytyra pa identitet si maska në pritje të diçkaje mes asgjësë, role të përditësuara, dikush është shndërruar në kryetar, të tjerë janë ngritur në detyrë e ca janë zhdukur fare duke zgjedhur një tjetër drejtim, atë të duhurin përkundrejt edukimit, angazhimit profesional dhe jo mbushjes së sallave apo brohoritjes së sloganeve boshe. Sa foto e trishtë!  Më vjen keq! Më vjen keq që zgjedh të harxhosh minutat e një jete të vetme kështu duke u shndërruar në ushqim riciklues të një makine vrasëse që prodhon ilaçe për më të dobët dhe trofe për më të fortët me të vetmin qëllim: manipulim. Po nëse sot zgjedh në vend të mbushjes së sallave plot luks te trajnimeve për botën ideale, për rininë aktive zgjedh të frekuentosh shkollën rregullisht, zgjedh të shkosh vullnetar në atë festivalin e filmit pa kërkuar para mbrapsht, nëse u jep ushqim të varfërve dhe shpenzon pak kohë në shtëpinë e të moshuarve pa bërë asnjë foto të vetme por jeton momentin dhe momentin ta ruash si fotografi në zemër? Po sikur në mëngjes të hedhësh plehrat te koshi që ndodhet 200 m larg dhe jo t’ia lësh dhuratë fqinjit?  Nëse sot e përkrah dhe mirëpret të riun e sapoardhur dhe e bën të ndihet më pak i ri?

Po nëse sot e thua një fjalë të mirë atij që e meriton, nëse dhuron një buzëqeshje dhe heq dorë nga paragjykimet për tjetrin?

Po nëse sot ia zgjat dorën dikujt, për herë të parë shqipton fjalën ‘më fal’?

Po nëse sot përtyp krenarinë, kap momentin dhe e lë “nëse-në” dhe frikërat për një tjetër botë e bën atë që të thotë shpirti?

Po nëse sot je vetja, ngre zërin, thua atë që mendon dhe jo atë që duan të dëgjojnë? Po nëse sot krijon stilin dhe standardet e tua?

Po sikur të ndërtosh lumturinë sot,këtu,tani, në vendin tënd dhe jo duke u arratisur në përpjekje për të harruar gjetkë atë që vjen veç një herë në jetë? Po nëse sot bëhesh pak më tepër mik me veten? Po sikur të harrosh egon për një çast dhe ulësh dozat e fatalitetit dhe molekulat e drasticitetit në çdo qelizë tënden? Po sikur të mos përpiqesh kaq shumë për të dhënë lamtumira?

Po nëse dëgjon pak më tepër, sheh përtej..përtej vetes, përtej njeriut përballë, përtej të majtës, përtej të djathtës, përtej frikërave dhe agonive në një kohë që s’premton?

Po nëse sot angazhohesh për të qenë mik më i mirë? Po sikur ta ndihmosh shokun në projektin e radhës edhe kur e di që mbrapsht do marrësh veç një ‘faleminderit’.

Angazhimi sot është keqkuptuar dhe bastarduar, nëpërkëmbur si dhe vetë edukata.

24 orë mbledhje, fushata sensibilizuese në çdo cep të qytetit nëpër salla luksoze, super fasada që ngjasojnë me garat se kush është veshur më bukur dhe kush merr pozën më të mirë për selfien e radhës. .. Diku në një sallë duke folur për dhunën ndaj grave ku mes tyre asnjë grua e dhunuar, asnjë grimce realiteti i pranishëm në atë fasadë. Po nëse sot i thua dhunës stop, dhuron një lule dhe ia rinis sërish se sa të përfundosh duke dhënë lulen e fundit?

Në një tjetër salle duke shpikur lojëra argëtuese e mbajtur leksione pa limit mbi lidershipin, duke firmosur kontrata sociale për të rinjtë dhe eksperimentuar ndjesi të të qenit lider  në një ditë të vetme ku realisht je thjesht eksperimenti i radhës i një tjetër dite. Më tutje në emër të angazhimit gjendesh pjesë e një grupimi social ku në fund do kurorëzohesh me një certifikatë që kushton 10 euro (ku sigurisht përfshihen materialet e trajnimit, logjistika).

Të lutem ki pak respekt për veten. Ti, lideri i së nesërmes, politikani i ardhshëm. Ti je me shumë se aq. Ti vlen më shumë se kaq.

Të lutem para së gjithash lufto të jesh një njëri më i mirë dhe të bësh diçka ndryshe sot ,këtu,tani, në këtë moment. Para se të bëhesh pjesë  e këtij 24 –orëshi fasadash pa fund e krye eventesh mediokriteti me përmbajtje zero, para se të të mësojnë se çfarë duhet të thuash, si duhet të sillesh, me kë të shoqërohesh, ku të shkelësh e ku të fluturosh për të arritur në destinacion, në çdo minutë fryme mund të zgjedhësh të mbetesh vetja e të jesh shembull e inspirim duke  qenë mbi të gjitha një njëri  me vlera në mënyrë të atillë për t’iu përgjigjur Xhoeneve të vegjël e të  shumtë me dëshirën e vetme e të madhe për të qenë politikanë. Edhe unë e kam një përgjigje. Sot nuk e di çfarë dua të bëhem, por e di mirë që dua te angazhohem në sfida të reja dhe shoqërohem e integrohem në eksperienca  që më bëjnë mbi të gjitha një njëri më të mirë. Gjithçka në emër të eksperiencës!! Për aq kohë sa kjo rini angazhohet në këto forma pa përmbajtje ku mjeti e justifikon qëllimin, pjesë e këtij treni që udhëton në delir në këtë cirk të frikshëm, e nëse sot kjo rini nuk krijon një identitet të sajin me ëndrrën e vetme dhe ambicien për tu bërë politikan atëherë dua të mbetem një hipster i pashoqë, e vetme si lule në shkretëtirë. Shëndet paç  e u bëfsh politikan! Ndaleni trenin. Dua të zbres./dritare.net