Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rruga ime drejt suksesit

Rruga ime drejt suksesit
Nga Ada Shehu

E premtja që lamë pas nuk ishte një ditë e zakontë për mua, dhe as për qindra pjesëmarrësit tek eventi “Rruga drejt suksesit” nga Vasil Naçi. Një event tre ditor tepër i mirëorganizuar, me të pranishëm njerëz të thjeshtë, biznesmenë dhe VIP, bëri bashkë të gjithë ata njerëz që sakrifikuan fundjavën e tyre për mundësinë e të mësuarit, e të përmirësuarit çdo ditë.

Unë e nisa ditën me shumë entuziazëm. Pjesëmarrëse në një tjetër event të Vasilit dy vjet më parë, edhe pse jo të këtyre përmasave, isha shumë e bindur që do të dilja nga ajo sallë çdo fund dite e lumtur, me më shumë ide, plot pozitivitet dhe e përmirësuar.

Për ju që ndoshta nuk e njihni z.Vasil Naçi, po them dy fjalë. Unë personalisht e kam njohur në studimet e mia universitare, ku pedagogët na e sillnin si histori suksesi. Një burrë shumë i arrirë në karrierë, themelues dhe CEO i Agna Group dhe në të njëjtën kohë shkrues i disa librave rreth komunikimit në biznes dhe jo vetëm. Një njeri në trajnim të përjetshëm, i pandalshëm, filantropist dhe me dëshirën për të mësuar sa më shumë njerëz. E vërtetë që për të marrë pjesë në event kam paguar një biletë me një vlerë të caktuar, por totali i të ardhurave nga biletat do të shkojë për bamirësi, njësoj si vitet e kaluara që janë rindërtuar shtëpitë e fëmijës në Durrës për shembull, dhe jo për përfitim personal të tij.

Le të kthehemi tek eventi. Këtë herë, kisha dëshirë që jo vetëm të mësoja por të bëja dhe rolin e vëzhgueses. Pavarësisht se unë isha entuziaste që në fillim të ditës së premte, pashë që një pjesë e mirë e pjesëmarrësve ishin pa energji. Të lodhur nga rruga, pagjumësia, punët, jeta e tyre, nuk e di. Por, eventi filloi, dhe pashë me sytë e mi sesi ndodhi magjia. Vasili, i frymëzuar dhe nga trajnuesi i ti, gjiganti Tonny Robbins, beson në lëvizje, dhe kishte koordinuar seancat e trajnimit me kërcim me koreografi.

Shumë ishin skeptik në fillim, por që brenda ditës së parë pashë që kur vinte momenti që ndizej muzika, dhe Eglent Bici, një nga organizatorët e eventit, (të cilin ju ftoj ta ndiqni në rrjete sociale për dozë të shtuar motivimi çdo ditë), i ftonte të gjithë të linin librat poshtë për të kërcyer, salla ngrihej e gjitha në këmbë. Individë të realizuar në fushat e tyre dhe individë në proces të realizimit të ëndrrave të tyre, të gjithë bashkë në këmbë, duke lëvizur, duke kërcyer, duke marrë energji, pa e vrarë mendjen se kush po i sheh.

Siç dhe vetë Vasili e përmendte shpesh, “Ajo çfarë nuk del nga zemra nuk hyn në zemër”. Ai foli me zemër, ndau me ne gjithçka teorike që kishte mësuar duke e konkretizuar me shembuj nga jeta e përditshme. Prandaj dhe çdo gjë hyri në zemrën tonë. Duke i dhuruar duartrokitje të herëpasherëshme, pa u lodhur.

Momenti që të gjithë kuptuam sesa vlerë po merrnim ishte dita e shtunë. Kemi qëndruar 11 orë pa lëvizur nga salla, vetëm me një sandviç në drekë, dhe nuk ndjenim lodhje. Kur dola nga eventi dhe familjarë të mi më pyetën: “A nuk ishte torturë kaq gjatë?” përgjigja që më doli nga zemra ishte : “Kjo ishte kënaqësi, mungesa e dijes është torturë”

Të ftuar special ishin Mirela Sula, Useini Sheki dhe Hetem Ramadani. Me historinë e Mirela Sulës e cila nga nuse e një fshati në Pukë është bërë një nga biznesmenet më të përfolura në Londër, e vetme dhe pa përkrahje, duke lënë pas depresionin pas humbjes së një fëmije, unë isha e njohur sepse i kam lexuar librat e saj. Por ishte e magjishme të shikoja reagimet e sallës. “Nëse nuk ndihesh i lumtur, lëviz se nuk je pemë” ishte ndër citimet e saj që mbeti në mendjen tonë. Pjesëmarrëse në qindra trajnime dhe po ashtu trajnuese në qindra të tilla. E identifikuar nën brandin Global Woman. Ishte impresionuese që ajo ishte bërë një femër aq e fortë, saqë tashmë qeshte me dhimbjen e saj të kaluar, me veten e saj të vjetër.

Useini Sheki vinte nga Maqedonia. Ai ftoi sallën në meditim për më shumë se 15 minuta duke krijuar një gjendje qetësie. Nocionet vetja e re krijues dhe vetja e vjetër viktimë të shpjeguara nga ai mjeshtërisht me anë të mirënjohjes mbeten në memorien tonë. Nëse duam më shumë cilësi në jetë nëpërmjet meditimit le ta fillojmë me tre hapa:

  1. Shkëputu nga bota e jashtme
  2. Defino të ardhmen tënde
  3. Lërë të shkojë veten e vjetër.

Hetem Ramadani ishte ditën e shtunë në një nga ditët e tij më të mira. Së bashku me njohuritë e tij si rezultat i orëve të tëra studimesh solli për sallën dhe shumë histori të personave që kishte këshilluar drejt shërimit. Ai ndau me ne dhe historinë e tij personale kur vite më parë mjekët i kishin thënë që është i vdekur, pa asnjë shpresë. Diku në një spital, një doktor i thotë: “Ti nuk ke asgjë”. Vetëm nga kjo fjalë ai ka ecur 4 orë rreth Danubit. “Një i vdekur që ka ecur 4 orë. Nëse unë nuk kam vdek atëherë, kurrë nuk kam me vdek.” Një nocion shumë interesant që i mbeti të gjithëve në mendje ishte diferenca midis kënaqësisë dhe lumturisë. “Njerëzit sot ecin mbas kënaqësive të momentit, por nuk ndiejnë lumturi.” –tha ai.

Vasil Naçi tregoi që mënyrat sesi Hetem Ramadani e ka shëruar vite më parë, tanimë i ka aprovuar dhe shkenca.

Ermal Mamaqi tregoi që ai e ka shëruar nga migrena që ka vuajtur mbi 15 vjet. Gjithashtu në skenë bashkë me të u ngjit Luljeta Ademi  gruaja e parë me aftësi ndryshe, që ka ngjitur majën më të lartë të Sllovenisë 2864m, e shëruar nga një sëmundje serioze e kockave, dhe pasi i kishin thënë që këmba duhej t'i ampoutohej dhe nuk do të kishte jetë. Të gjithë këto njerëz dhe shumë të tjerë që mund t'i gjeni online, ai i ka këshilluar kryesisht për ushqimin.

Eventi ka zgjatur tre ditë dhe mua do më duheshin faqe të tëra për të përshkruar gjithçka që kam mësuar. Kam mbajtur mbi 20 faqe shënime dhe ndihem me energji të plota për të ndjekur ëndrrat e mia.

I premtoj në radhë të parë vetes, por dhe trajnuesit Vasil Naçi, që dhe unë, ashtu si Ermal Mamaqi që e kishte arritur shifrën që kishte shkruar në trajnimin e tij të shkuar, jo vetëm do të arrij shifrën time, por dhe të gjitha objektivat që kam shënuar në librin tim, në materialin e eventit, dhe nuk kam plan B, sepse do ta bëj. Ashtu siç u mbyll dhe trajnimi gjithë energji ditën e diel: “Unë jam lider. Unë do të përmirësohem çdo ditë. Unë do të ndërtoj një standard të ri.”/dritare.net