Na ndiqni edhe në

Shqiptar

Rikthehet Arjan Konomi, ja çfarë ka bërë gjatë kësaj kohe!

Rikthehet Arjan Konomi, ja çfarë ka bërë gjatë
Prej shumë kohësh nuk e kemi parë më Arjan Konomin të shfaqet në ekranet e televizioneve shqiptare dhe duket se ka qenë një zgjedhje e tij që të tërhiqet për një periudhë kohore të paparcaktuar, për të reflektuar dhe për t’u marrë me veten, siç përgjigjet ai me humor.

Frekuentues dikur i rregullt i jetës mondane të Tiranës , Arjani ka zgjedhur të jetojë në fshat, në bregdetin jugor, e pikërisht në Vuno, ku duket se në këtë vend tepër të bukur të rivierës shqiptare, ku koha ka ndaluar, ai i është përkushtuar rikonstruksionit të shtëpisë së vjetër të familjes së tij, si dhe punëve të bujqësisë.

Ai krenohet për punën dhe shërbimin që u bën ullinjve, duke lënë përshtypjen se pas televizionit dhe drejtimit të mediave të rëndësishme është shndërruar në pasionin e vërtetë të tij. Ndërkohë që nuk ka lënë mënjanë edhe një pasion tjetër, për të cilin e këmi dëgjuar të flasë shpesh, atë të udhëtimeve.

Pasi ka qëndruar dhe udhëtuar gjatë në Japoni, ku është mahnitur nga kultura dhe historia e Japonisë, ai gjithashtu ka udhëtuar drejt një tjetër kontinenti, nga është kthyer para pak kohësh, pas një qëndrimi të gjatë në Amerikën latine, e pikërisht në Brazil.

Eksplorimi i xhunglës së Amazonës dhe lundrimi përgjatë këtij lumi të famshëm, qëndrimi me popullsitë indigjene lokale, mes xhunglës së pambarimtë, e ka bërë Arjanin të përjetojë ëndrrat e tij kur ishte fëmijë, kur lexonte librat me aventura dhe imagjinonte atë vend të egër, ku i dukej e pamundur se do të mbërrinte një ditë.

Burimet e “Panomara” kanë mësuar se Arjani këtë javë është parë në Tiranë, ku ka ardhur për t’u marrë me botimin e një libri, të cilit po i jep korrigjimet e fundit.

Kemi menduar se është një libër mbi udhëtimet, por Arjani, pasi e kemi kontaktuar, na thotë se nuk ka të bëjë me to. Edhe pse ende nuk dëshiron të bëjë publike çfarë sjell ky libër në të vërtetë, arrijmë të mësojmë se tematika është nga historia botërore.

Sipas Arjanit, libri është interesant për të gjitha moshat dhe sjell në një formë të thjeshtë personazhe, koncepte dhe momente të rëndësishme të historisë së njerëzimit. Ideja e tij është të shkëputet nga rrethi i ngushtë i botimeve mbi çështje rajonale dhe tonat për t’u shërbyer atyre të njerëzve, e sidomos të rinjve që janë kërkim të kulturës dhe të erudicionit, në ndihmë të një mendjeje kozmopolite.

Le të presim botimin e këtij libri, duke dashur të jemi të parët për të kuptuar diçka më konkrete në lidhje me këtë botim, shkruan gazeta Panorama.