

Gjatë muajve mars,prill të vitit 1997 në kuadrin e revoltave antifajde bashkë me të gjithë institucionet e tjera të shtetit shqiptar u shkatërrua edhe ushtria, si në kuptimin e strukturave organizative, ashtu edhe përsa i përket inventarit material,përfshi ketu,armatimin,teknikën e shumëllojshme luftarake, veshmbathjen, bazën ushqimore, etj. Kështu, këto ngjarje e çuan,pothuaj në zero të kapacitetin organizativo-komandues dhe materialo-teknik të ushtrisë shqiptare, duke e bërë ineficiente aftësinë mbrojtëse të vendit tonë.
Kjo qe një një ngjarje pa precedent të mëparshëm, qoftë edhe në vende të tjera të botës, pra qe një “prodhim shqiptar”, që na habiti dhe na tronditi fort. Na tronditi për faktin se një gjë e tillë vinte në dyshim aftësinë e ushtrisë sonë për të përballuar situata të rënda, siç ndodhi në ngjarjet e muajve mars, prill të vitit 1997, jo më përkundrejt masave të popullit tonë, siç ndodhi në këtë rast, por sidomos përballë rreziqeve që, eventualisht, mund të na vinin nga agresorë të jashtëm. Ngjarjet e kësaj periudhe qenë një luftë e një lloji të veçantë që bënte populli shqiptar. Ishte një luftë vetëm me një “palë”, pa armik të deklaruar. Ishte një luftë vetasgjësuese, ku secili në të njëjtën kohë ishte edhe “agresori” edhe “viktima”. Asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se do të na paraqitej një situatë e tillë. Edhe në planifikimin luftarak, nga aparati i Ministrisë së Mbrojtjes, nga komandat dhe shtabet e njësive ushtarake, as që ishin menduar, jo më planifikuar, masa për përballimin e një situate të tillë. Pikërisht për këtë “mosparashikim”ushtria jonë pësoi disfatën më të rëndë, që mund të pësojë ndonjëherë një ushtri, shkatërrimin e plotë të sa,j edhe pa u ndeshur me asnjë agresor.
Duke ndjekur emisionet televizive, shtypin e atyre ditëve, me informacione për “pushtimin” dhe shkatërrimin e reparteve dhe njësive të ushtrisë sonë, e ndjeja veten tepër të zhgënjyer dhe shumë ngushtë para njerëzve që më rrethonin, të cilët, të shokuar nga rrjedha që po merrnin ngjarjet, më bënin një varg pyetjesh, të cilat donin përgjigje. Pyetje të tilla si: pse po ndodh kështu?, çfarë bëjnë oficerët?, kush mban përgjegjësi për këtë që po ndodh?, a është e mundur që të mbrohen repartet, qoftë edhe duke përdorur armët?, etj, nuk ishin vetëm sa për të shtyrë bisedën e për kuriozitet por përmbanin të gjithë shqetësimin e njerëzve të thjeshtë, për atë që po ndodhte në Shqipëri dhe për rreziqet që paraqiste një zhvillim i tillë.
Këto ngjarje sillnin pasoja katastrofike për fatin e popullit tonë dhe të shtetit shqiptar për momentin kur ato po ndodhnin, veçanërisht për të ardhmen e tyre. Ajo që po ndodhte gjatë atyre ditëve ishte një tragjedi me pasoja mjaft të rënda për vendin tonë, për ushtrinë tonë, për ngritjen dhe forcimin e së cilës populli ynë kishte kontribuar me djersën dhe gjakun e tij. Vetë ne shqiptarët të ndarë, nuk dihet se përse, kaq armiqësisht, në kampe të ndryshme politike, po i vinim kazmën dhe po shkatërronim atë çka populli ynë, brezat paraardhës e kishin ndërtuar me aq mund dhe sakrifica, pra po shkatërronim kontributin e një gjenerate të tërë ushtarësh dhe kuadrosh, po shkatërronim Ushtrinë Popullore, që deri në ato momente kishte qenë një nga krenaritë tona më të mëdha. Si rezultat i një dalldisjeje të tillë ushtria jonë, në vend që të ishte e gatshme përballonte çdo situatë që mund të kërcënonte tërësinë tokësore dhe sovranitetin e vendit tonë, u shpërbë për 48 orë, u shkri si “kripa në ujë”, duke sjellë në evidencë një akt të pashembullt me pasoja jo vetëm materiale, që llogariten në dhjetëra miliardë dollarë, por edhe politike, morale e shpirtërore dhe veçanërisht ushtarake për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
Ngjarjet tragjike të pranverës së vitit 1997 hapën plagë të mëdha për popullin tonë, plagë që ende nuk janë mbyllur e që do të duhet shumë kohë të tejkalohen, të shërohen.
Komisioni “Ngjela”
Një gjë e tillë e ka vënë në siklet klasën politike shqiptare, e cila është përgjegjësja kryesore për atë që ndodhi. Për këtë arsye ajo ka bërë dhe vazhdon të bëjë përpjekje për të “gjetur” shkaqet dhe fajtorët për këto ngjarje. Në shtypin e përditshëm, në atë partiak apo të pavarur, në radio dhe në televizion janë bërë përpjekje “për të hedhur dritë” mbi shkaqet dhe përgjegjësitë e atyre që i nxitën dhe i realizuan ato veprime, të cilat çuan në shkatërrimin e plotë të shtetit shqiptar, të të gjithë institucioneve të tij, përfshi këtu edhe ushtrinë, organet e policisë dhe të shik-ut. Në këtë kuadër edhe Kuvendi i Shqipërisë, i dalë nga zgjedhjet e 29 qershorit të vitit 1997, ngriti një komision të posaçëm, të ashtuquajturin “komisioni Ngjela”, me qenë se në krye të tij u caktua deputeti i Partisë Lëvizja e Legalitetit (PLL), Spartak Ngjela. Por të gjitha këto përpjekje rezultuan të kota e më shumë demagogjike. Ato në fakt shërbyen, jo për të zbuluar dhe vënë para përgjegjësisë shkaktarët e vërtetë të një tragjedie të tillë, por më shumë për t`i mbuluar ato dhe për t`a “mbyllur” një herë e mirë dosjen e këtyre ngjarjeve në kasafortat e harresës.
Edhe komisioni “Ngjela” rezultoi të ishte një duel midis këtyre dy pistave, pro dhe anti PD/PS. Hetimet e kryera nga ana e tij dhe raporti që ai paraqiti në Kuvend më shumë e çoroditen opinionin publik, rreth këtyre ngjarjeve dhe e çuan nxjerrjen e fajtoreve të vërtetë në “kalendat greke”. Kjo u vërtetua me fatin e konkluzioneve të këtij komisioni, dhe me dështimin e hetimit e të gjykimit të disa personave, me shumë ish oficerë të ushtrisë,të policisë e të SHIK-ut, që u akuzuan si përgjegjës për veprimet ushtarake kundër protestuesve në disa qytete të jugut të Shqipërisë. Madje këta persona PD i mori haptas në mbrojtje dhe i`a doli t`i nxirrte nga përgjegjësia penale dhe nga akuzat e ngritura ndaj tyre, gjë që tregoi se organet e drejtësisë dhe vetë shteti shqiptar, edhe pas ardhjes në pushtet të PS dhe aleatëve të saj, nuk ishin të interesuar të nxirreshin fajtorët e vërtetë. Në fakt u vërtetua një thënie e Safet Zhulalit, ish ministrit të mbrojtjes gjatë këtyre ngjarjeve, të cilin edhe PS edhe PD e akuzonin për veprimtari në dëm të interesave të mbrojtjes, i cili në një emision televiziv, në TVSH tha se “… dosja e ngjarjeve të muajve mars,prill të vitit 1997 nuk do të hapet ndonjëherë”. Dhe në fakt as nuk u hap dhe as ka ndërmend të hapet kurrë, edhe në të ardhmen. Një gjë e tillë i komprometon të dy krahët e politikës shqiptare, edhe PD edhe PS dhe aleatet e tyre, pavarësisht nga akuzat e ndërsjellta që bën secila palë për këto ngjarje.
Interesante ishte se, gjatë këtyre “analizave”, në shtyp doli edhe një pistë e tretë, shumë “origjinale”, sipas së cilës shkatërrimi i ushtrisë “lidhej në radhë të parë me udhëheqjen e PPSH dhe të E. Hoxhës, me masat që ishin marrë që në vitin 1966, me rivendosjen e komisarëve politike dhe të komiteteve të partisë dhe të kontrollit të tyre mbi komandat dhe shtabet ushtarake”.
Pra ushtria, sipas këtyre “analistëve” edhe pa ngjarjet e pranverës së vitit 1997, ka qenë e dobësuar, ka qenë pa aftësitë e duhura për të realizuar detyrat në fushën e mbrojtjes së vendit dhe në çdo rast mund t`a priste një fat i tillë, siç ndodhi në këto ngjarje. Një pistë të tillë, më shumë, e propagandonin disa ushtarakë apo ish ushtarakë, veçanërisht ata që “kishin vuajtur shumë në kohën e PPSH” duke qëndruar vazhdimisht në njësitë dhe repartet ushtarake të Tiranës, në aparatin e MM,në organet e shtypit ushtarak, etj, e që tani u “qante zemra” për fatet e atdheut dhe të ushtrisë. Mbase është ky fakt, më shumë se të tjerët, që më ngacmoi të hedh këto shënime për atë çfarë i ndodhi ushtrisë sonë në pranverë të vitit 1997.
Trashëgimia
Në fillim të viteve 90-të ne trashëguam një armatë ushtarake me kapacitete dhe aftësi shumë të mëdha në fushën e mbrojtjes. Ajo ishte ngritur dhe përgatitur, për gati 50 vjet me rradhë, me mundin, djersën dhe gjakun e të gjithë popullit tonë. Kjo armatë me kapacitetet që zotëronte në fillim të viteve 90-të ishte një nga institucionet më të rëndësishme dhe më të besueshme për mbrojtjen e tërësisë tokësore e të lirisë së vendit tonë si dhe për të garantuar e mbështetur zhvillimin normal të proceseve transformuese që kishin filluar edhe në Shqipëri. Ajo i kishte të gjithë kualitetet dhe treguesit sasiorë për t`a përmbushur me sukses një mision të tillë e të bëhej kështu një nga shtyllat më të fuqishme të procesit të demokratizimit të të gjithë jetës së vendit. Por ndodhi e kundërta. I gjithë ky investim dhjetëra vjeçar u shkatërrua në vitin 1997, brenda 5,6 ditëve, duke sjellë në evidencë një shembull unikal në të gjithë botën, vetëshkatërrimin e ushtrisë, duke mos patur përballë asnjë kundërshtar të jashtëm, duke mos qenë të sulmuar nga asnjë forcë ushtarake e ndonjë shteti tjetër.
***
Deri në fund të vitit 1991 ushtria jonë ishte një Armatë e madhe me aftësi të konsiderueshme luftarake. Pa përmendur të dhëna të hollësishme do të evidentoj disa tregues të përgjithshëm dhe opinione personale që janë të mjaftueshme për të vërtetuar atë që thashë më lart, për aftësitë e saj ushtarake.
Në përbërjen e saj, ishin 22 divizione këmbësorie,1 divizion xhenjoje, Komanda e Mbrojtjes Kundërajrore,Komanda e Aviacionit, Komanda e Flotës Ushtarake Detare dhe institucione të ndryshme ushtarake. Në strukturën e këtyre divizioneve dhe komandave ishin të paktën 74 brigada këmbësorie (BrK),19 brigada sulmuese (BrS), 8 brigada të RSHA-së (BrRSHA), 6 brigada studentore(Br St), 11 brigada tankesh (BrT), 13 brigada të artilerisë tokësore (BrAT), 6 regjimente të artilerisë kundër tanke (RAKT),4 regjimente të artilerisë bregdetare (RABD), 23 regjimente të artilerisë kundërajrore (RAKA), 1 regjiment i raketave tokë- ajër, 5 regjimente të aviacionit reaktiv, 1 regjiment helikopterësh, 5 baza detare, 1 brigadë nëndetësesh, 3 brigada xhenjere, 1 brigadë nderlidhje, 1 regjiment i mbrojtjes kundër kimike,1 regjiment i zbulimit teknik të artilerisë, 1 regjiment i radiozbulimit, 5 baza furnizimi dhe shumë elementë të tjerë të formacionit luftarak të ushtrisë.
Në saje të një pune të madhe të bërë në dekada dhe të përvojës së fituar, në periudhën e fillimit të proceseve demokratike në vendin tonë, ushtria jonë zotëronte kapacitete materiale e teknike, organizative,taktike dhe operativo-strategjike që, pa asnjë diskutim, ishin të krahasueshme me ushtritë e vendeve më të zhvilluara europiane
Cilët ishin këto kapacitete?
Së pari, ushtria jonë zotëronte resurse të shumta njerëzore.Shteti shqiptar në ndërtimin strukturor të ushtrisë dhe të kontigjenteve të tjera të mbrojtjes ishte mbështetur në dy parime shumë të rëndësishme, me ndikim të madh në përcaktimin e fatit të luftës, masivitetin në përfshirjen e kontingjenteve njerëzore në organikat e reparteve ushtarake dhe shumëllojshmërinë e domosdoshme të armëve dhe të shërbimeve të nevojshme për çdo ushtri.
Skema jonë e mobilizimit ushtarak i kapërcente kufijtë e skemave të pranuara, të cilat zakonisht përfshinin deri në 20% të popullsisë aktive në strukturat e ushtrisë. Ajo siguronte mobilizimin e të gjithë qytetarëve të aftë për të përdorur armët duke i organizuar ato, përveç se në radhët e ushtrisë, edhe në struktura të tjera ushtarake siç ishin Forcat Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore (FVVP),Rinia Shkollore e Armatosur (RSHA), Mbrojtja Civile e Republikës(MCR), duke e çuar numrin e të mobilizuarve, në interes të frontit, afro 1 milion vetë, gjë që përbënte një rast unikal dhe një garanci shumë të madhe për arritjen e suksesit në një luftë të mundshme kundër çdo agresori.
Po ashtu, në përputhje me kushtet e vendit tonë, me kushtet e terrenit tonë malor dhe me karakteristikat e një lufte të mundëshme kundër nesh, ushtria jonë kishte realizuar një strukturë mjaft efektive, përsa i përket llojeve të armëve dhe të shërbimeve të domosdoshme për një ushtri moderne. Në këtë kuadër rëndësi vendimtare i ishte dhënë organizimit dhe përgatitjes së forcave tokësore, të cilat më shumë se çdo faktor tjetër, do të vendosnin fatin e fitores në luftë. Kështu, ne kishim në përbërje të ushtrisë sonë njësi këmbësorie, njësi tankesh, njësi të forcave sulmuese, njësi të artilerisë tokësore dhe kundërajrore, për të organizuar një mbrojtje të qëndrueshme dhe tepër aktive si dhe për të ndërmarrë veprime luftarake mësymëse të çdo shkalle qoftë. Në përbërje të ushtrisë sonë ne kishim edhe struktura të veçanta, siç ishin FVVP, RSHA,organikat e MCR-së, etj, për veprime luftarake në të gjithë dispozitivin luftarak, në front, në prapavijat e armikut por edhe në prapavijat tona. Veç kësaj ushtria jonë kishte të organizuara të gjitha llojet e shërbimeve të domosdoshme për një luftë moderne, si atë të ndërlidhjes, të zbulimit, të kimisë, të xhenjos, të autotraktorëve, të prapavijës, të shëndetësisë, të topografisë, etj. Pra nga pikëpamja strukturore ushtria shqiptare ishte në kufijtë e kërkesave të kohës, ishte një ushtri me standarde cilësore bashkëkohore.
Së dyti, në fillim të viteve 90-të ushtria jonë, të gjitha strukturat e mbrojtjes zotëronin një nivel të kënaqshëm përsa i përket aftësive morale, teknike,taktike dhe fizike për të përballuar çdo situatë luftarake që mund të na paraqitej. Ky nivel i lartë aftësie ushtarake lidhej me efektet e punës dhjetëra vjeçare të bërë nga komandat dhe shtabet e ushtrisë, për të përgatitur kontingjente sa më të afta për mbrojtjen e vendit. Nuk do të sjell shembuj për këtë çështje, sepse këto janë të njohura edhe nga qytetarët e thjeshtë, por do të theksoj se parametrat moral, fizik, teknik dhe taktik të ushtrisë sonë ishin të barazvlefshëm me ato të ushtrive të tjera moderne.
Së treti ushtria jonë kishte arritur të aplikonte një sistem krejt të veçantë për kompletimin dhe hapjen luftarake të njësive dhe reparteve të saj si dhe të strukturave të tjera të mbrojtjes, që garantonte zënien e pozicioneve, rajoneve e zonave të mbrojtjes në afate shumë minimale, për të bërë të pavlefshme të gjitha skemat e befasisë strategjike të kundërshtarëve tanë. Kështu ushtria jonë aplikonte norma gatishmërie, që fillonin nga 30 minuta, për efektivat e reparteve të gatëshme (aktive) të këmbësorisë, të tankeve, të artilerisë kundërajrore, të artilerisë tokësore; në 2-3 orë për efektivat rezerviste, të reparteve të vijës së parë, të çdo lloj arme dhe shërbimi; në 6 orë, për njësitë e skalionit të parë si BrK,BrS,BrAT, etj, dhe deri 12 orë, afat brenda të cilit kompletohej dhe vihej në gatishmëri gjithë ushtria, të gjithë strukturat e mbrojtjes, organet e pushtetit dhe të ekonomisë në terren, në shkallë vendi, apo në drejtimet e sulmuara, dhe sipas kërkesave të Planeve Luftarake të njësive dhe reparteve ushtarake.
Së katërti, ushtria jonë zotëronte një armatim dhe teknikë luftarake të pranueshme për kohën dhe mjaft efektive për kushtet e mbrojtjes sonë. Armatimi i lehtë i këmbësorisë, teknika e AT, e AKA, tanket dhe deri tek mjetet e aviacionit e të marinës luftarake detare ishin mjaft cilësore dhe me kapacitete të mjaftueshme për të organizuar një mbrojtje efektive kundër çdo agresori që do të na sulmonte. Në mënyrë të veçante ushtria jonë zotëronte një sasi të madhe të armatimit dhe të municioneve të këmbësorisë, gjë që garantonte jo vetëm angazhimin e një sasie të madhe forcash të afta për luftë,por edhe një luftë të gjatë në kohë.
Së pesti, pavarësisht nga tejkalimi në sasi,fakt për të cilin çdo ushtarak ka reflektimet e veta, ushtria jonë kishte në dispozicion një sistem të pashembullt fortifikimi. I shumëllojshëm për nga funksionet, me të dhëna taktike, në dendësi, në rreshtim dhe hapësirë, nga më të mirat, i shtrirë në të gjithë teatrin e veprimeve luftarake, në shkallë vendi, me fortësi për të përballuar efektet e të gjitha llojeve të armëve, fortifikimi ynë mund të konsiderohej si faktor që do të n`a vinte në pozita superiore mbi kundërshtarin dhe do të n`a garantonte fitoren edhe në një luftë të pabarabartë për sa i takon raportit në forca dhe në mjete.
Së gjashti, ushtria jonë zotëronte, veç tjerash, një potencial të madh dhe të aftë komandimi dhe drejtimi, që nga aparati i MM, në njësitë dhe repartet ushtarake dhe në të gjithë hallkat drejtuese të elementëve të mbrojtjes sonë.Shteti shqiptar kishte bërë një investim të madh për përgatitjen dhe kualifikimin e kuadrove të ushtrisë dhe të të gjithë sektorëve të tjerë të mbrojtjes. Është realitet se një nga arritjet më të mëdha në ushtri, gjatë viteve të socializmit, ka qenë përgatitja e lartë, profesionale e kuadrit oficer, aktiv dhe rezervist, si në reparte dhe nënreparte por veçanërisht në komanda dhe shtabe të njësive,të cilët ishin përgjegjës për planëzimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake të çdo shkalle. Së shtati, por jo e fundit për nga rëndësia. Deri në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të ushtria jonë gëzonte një status të veçantë, gëzonte respektin dhe dashurinë më të madhe të popullit shqiptar. Çështja e mbrojtjes konsiderohej, nga çdo qytetar, si detyrë e “dorës së parë”. Ushtria në këtë kuadër shikohej dhe vlerësohej si garantuesja kryesore e mbrojtjes së atdheut, e lirisë dhe e pavarësisë së tij dhe i jepej një mbështetje e madhe morale dhe materiale, në realizimin e këtij misioni. Këtu nuk përjashtoj problemet që lindnin për çështje konkrete të përgatitjes për mbrojtje nga qytetarë apo institucione të veçanta,por do të theksoj atë që kur masa e madhe e popullit e kuptonte seriozitetin e situatës politike angazhimi në realizimin e programit të përgatitjes e të gatishmërisë për mbrojtje ishte në nivele mjaft të larta. Për këtë do të sjell dy shembuj, atë të vitit 1968 kur Traktati i Varshavës pushtoi Çekosllovakinë dhe vënia në gatishmëri e njësive dhe reparteve të zonës veri-lindore të Shqipërisë, në shkurt të vitit 1990, për arsye të gjendjes së nderë të marrëdhënieve me Jugosllavinë. Në të dyja rastet efektivat ushtarake dhe popullsia e këtyre zonave kanë demonstruar një gatishmëri të lartë morale dhe tregues shumë cilësorë në aktivitetin luftarak të tyre për të përballuar çdo rrezik.
Veç sa sipër,masiviteti i mobilizimit ushtarak,shtrirja gjeografike e reparteve e nënreparteve, përbërja sociale dhe prejardhja e kuadrove të ushtrisë, stërvitjet e përbashkëta të strukturave të mbrojtjes kishin ndikuar dukshëm në rritjen e kohezionit shpirtëror të popullit tonë. Ushtria ishte një familje e madhe ku të gjithë ishin të barabartë, të gjithë përgatiteshin për të njëjtin qëllim, pa asnjë dallim në trajtimin material, shpirtëror e fizik. Shoqëria ushtarake dhe i gjithë aktiviteti i ushtrisë ishin bërë burim lidhjesh dhe miqësie mes qytetarëve nga të gjithë krahinat e atdheut, ishin bërë faktorë të veçantë në forcimin e unitetit tonë kombëtar. Ushtria Popullore ishte krenaria e popullit tonë.
Ka edhe të tjera kapacitete që zotëronte ushtria jonë, për të cilët mund të flitet gjatë, por unë u ndala vetëm tek kapacitetet më të përgjithshme që duhet të karakterizojnë një ushtri të fortë. Specialistët ushtarakë,kuadrot e sektorit operativ, të organizimit, veçanërisht ato të llojeve të armëve dhe të shërbimeve, mund të sjellin të dhëna të hollësishme për mundësitë luftarake të ushtrisë sonë,të cilat arrinin në kuota të krahasueshme edhe me ushtritë e vendeve të tjera, por që në raport me numrin e popullatës, me përmasat e territorit tonë dhe me veçori të tjera, përbënin nivele shumë superiore ndaj kundërshtarëve tanë më të mundshëm. Në vazhdim të kësaj ideja do sjell vlerësimin e kolonel Halil Katanës, i cili thotë se ’’…ne kishim një ushtri të madhe,shumë të madhe në raport me numrin e popullsisë dhe të paisur më së miri me të gjithë llojet e armëve konvencionale të kohës. Ashtu e kërkonte ajo kohë, koha e Luftës së Ftohtë,sepse edhe të tjerët forconin ushtritë e tyre, armatoseshin çdo ditë dhe n`a kërcënonin vazhdimisht’’. (Halil Katana, ‘’Ringritja e Ushtrise Shqiptare’’, fq.18). Me kapacitetet që zotëronte ushtria jonë ishte plotësisht e gatëshme, e përgatitur dhe e aftë të përballonte çdo emergjencë ushtarake, të çdo shkalle qoftë. Nisur nga analizat që bëjmë sot, mbase, nuk mund të them se ajo ishte në gjendje të përballonte agresione të ndërmarra nga ana e blloqeve ushtarake, si NATO,Traktati i Varshavës,siç parashikohej nga PPSH dhe shtabet tona ushtarake,por e them me siguri se ushtria shqiptare ishte në gjendje të përballonte çdo veprim ushtarak, edhe në nivelin e një agresioni të gjerë, të ndërmarrë nga fqinjët tanë në drejtim tokësor apo detar./gazeta Dita

















