Që sot PD është ushtare e Metës

Nga Frrok Çupi

Në momentin kur përfaqësuesi i PD, vetë kryetari, vuri këmbën në zyrën e presidencës, Ilir Meta bëri një rrëqethje fitoreje: ‘Ah, po, tani e shkela’ Itakën. Në atë moment, Ilir Meta, kryetar i LSI, e vuri edhe PD-në nën këmbë.

Kjo ka qenë një ëndërr e vjetër e Ilir Metës. Pasi përçau Partinë Socialiste në vitin 2004 duke krijuar edhe një çiban alias socialist, Metës nuk i mjaftonte vetja as partia e tij LSI. Ai e dinte se nuk do të ndërtonte dot ‘parti’, por thjesht një sekt zjarrvënës. Ëndrra për të futur në dorë Partinë Socialiste, iu shua pak nga pak. Ajo mbajti pak flakë ndezur sa kohë që në krye në PS ndodhej ‘i buti dhe intelektuali’ Fatos Nano.

Me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS, Ilir Meta ndërroi taktikë: Iu afrua Ramës jo ballë përballë, por me një anije të vjetër përmes ujërave të Lanës. Tentoi të marrë ‘lavdinë’ e pastrimit të Lanës- si një ‘epruvetë’ që do të provonte si të merrte vetë Partinë Socialiste. Por që aty dështoi ndaj Ramës, i cili edhe pse e joshte, asnjëherë nuk ia hapi derën që të marrë PS-në.

Aleancën qeveritare me Partinë Demokratike, kryetari i LSI e lidhi pa ndonjë shpresë se mund ta merrte atë parti. Sado që shpesh herë ka deklaruar se iu përket radhëve të ‘Studentëve të Dhjetorit’, kjo deklaratë është shkrirë si bora në diell para sjelljeve sovjetike të Ilir Metës dhe para simpatisë së tij për kryeministrin komunist Mehmet Shehu.

Kur erdhi momenti që Meta konstatoi se PS po fitonte zgjedhjet në vitin 2013, u hodh në krahët e aleancës me të majtën tradicionale. Gjatë gjithë kohës së aleancës, Iliri nuk e harroi ëndërrën për të rimarrë Partinë Socialiste. Si kryetar i Kuvendit zuri pozitën e dhelprës, duke përgjuar si mund të gjente të çarën brenda Partisë Socialiste. Pas vrasjes së bankierit të shquar Artan Santo, Ilir Meta mori pozën e engjëllit, por vetëm për pak kohë. Menjëherë pas kësaj- u publikua akuza e një deputeti socialist se Meta ‘do ta vriste’. Krahas kësaj Meta sulmoi ministrin e Brendshëm pasi nuk e futi në dorë si bashkëpunëtor për të përçarë PS-në nga brenda partisë.

Gjatë periudhës kur amerikanët po punonin për Reformën në Drejtësi, Meta krijoji shumë pengesa dhe sulme kundër ambasadorit të SHBA; gjithashtu afroi ish- ministrin e Brendshëm Xhafa duke e shpallur edhe si ‘kryeministri i menjëhershëm’.

LEXO DHE :  Paulin Ndreu kontribuon financiarisht për gazetarin e dritare.net, që mbeti pa shtëpi nga tërmeti

Pas zgjedhjeve të vitit 2017, kur LSI dhe PD humbën shumë thellë, Meta i humbi shpresat për të okupuar PS-në. Ky ishte momenti kur iu kthye Partisë Demokratike, aq më tepër që në krye të PD-së shikonte një ‘kryetar të dobët, që sipas Metës ‘të gënjen edhe sa është ora’. Në këto momente nisi edhe një miqësi më të afërt se kurrë me kryetarin e vërtetë të PD, zotin Berisha.

… Rripin e kërkesës për të rrëmbyer një parti të madhe si PD e shtrëngoi afrimi i zbatimit të  Reformës në Drejtësi, krijimi i Strukturës Speciale kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe Prokuroria e re. Aktet e bujshme korruptive të kryera gjatë kohës në pushtet, Ilir Meta nuk mund t’i përballonte me një parti aq të tkurrur tashmë sa ç’është LSI; i duhet një Parti e madhe. Meta ka shtrirë fort duart te PD që nga fillimi i këtij viti. PD u kthye në një parti militare, më së shumti nën ndikimin e Metës dhe garancitë që dha ai si ‘president’. Edhe devijimin kundër aleatëve perëndimorë, PD e pësoi nën ndikimin e Ilir Metës.

Por përsëri kjo nuk mjaftoi. Meta është shfaqur i zemëruar me Lulzim Bashën pse ky nuk po ‘radikalizon’ aksionet politike të rrugës, dmth., pse nuk po kthen krizën e vitit 1997- gjë që e kanë përfolur si Meta edhe e shoqja- kryetare e LSI. Ditët deri në ngritjen e SPAK dhe Gjykatës së Lartë e Gjykatës Kushtetuese, tashmë kanë mbetur sa gishtat e dorës; Meta ka hyrë në panik se do të ndodhet para Drejtësisë.

Kjo është ora kur Metës i duhet PD. Sot ai ftoi partitë ‘opozitare’ për një tryezë në zyrën e Presidentit; por në fakt gjithë pesha ishte prania e kryetarit të PD, Basha. Dhe Basha i shkoi në Presidencë për të ndërtuar aleancën ‘për rrëzimin e qeverisë’. Presidenti i Republikës ndërton komplotin për rrëzimin e qeverisë së tij. Grushtin e shtetit Meta nuk e bën dot pa PD. Por me PD si ushtare e grushtit të shtetit, Meta fsheh gjurmët. PD i duhet Metës edhe për një ‘konflikt civil’ nëse SPAK do të arrestojë Ilir Metën. Ose edhe nëse Meta ‘vret veten si Allende’, PD i duhet që të bëjë revolucion ‘pse na u vra presidenti’.

Tani PD është veç një ushtare e Ilir Metës, varet kur i duhet ‘komandantit ‘që të lëshojë alarmin për t’u ngritur më këmbë./ VERITAS.COM.AL/

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.