PS dhe PD përplasen në Strasburg, dështon miratimi i deklaratës së përbashkët me PE
Dritare.net

Përplasjet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike kanë bërë që të mos miratohet deklarata e përbashkët e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KSA) Shqipëri–Bashkimi Europian, gjatë mbledhjes së zhvilluar në Strasburg.
Dokumenti, i cili përmban vlerësimet për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe rekomandimet për reformat, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme, pasi votimi në delegacionin shqiptar u mbyll me 7 vota pro dhe 7 kundër.
Partia Demokratike akuzoi mazhorancën se rrëzoi amendamentet e saj, të cilat, sipas opozitës, synonin forcimin e luftës kundër korrupsionit, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe heqjen e mbrojtjes politike për zyrtarët e akuzuar për korrupsion.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste deklaroi se pranoi një pjesë të amendamenteve të propozuara nga opozita, por kundërshtoi formulimet që, sipas saj, nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët parlamentar dhe anashkalonin progresin e Shqipërisë të njohur nga Komisioni Europian.
Socialistët akuzuan deputetët demokratë se "zbatuan urdhrin e Sali Berishës", duke votuar kundër miratimit të deklaratës.
Për miratimin e dokumentit kërkohej shumicë e dyfishtë: mbështetja e shumicës së delegacionit shqiptar, të përbërë nga 14 deputetë, si dhe shumica e eurodeputetëve në delegacionin e Parlamentit Europian. Megjithatë, deklarata nuk mori as mbështetjen e nevojshme nga eurodeputetët, duke siguruar vetëm pesë vota.
Një ditë më parë, në Parlamentin Europian u diskutua edhe projekti i investimit në Zvërnec. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se Shqipëria do të respektojë të gjitha standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ngriti shqetësime për, sipas tij, cenimin e rolit të opozitës në Kuvend./L.F-dritare.net