Na ndiqni edhe në

Politikë

Seancë në GJKKO për Erion Veliajn, SPAK paraqet ecurinë dy mujore të hetimeve

Seancë në GJKKO për Erion Veliajn, SPAK paraqet ecurinë dy

Sot në orën 11:30 në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillohet seanca për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ku SPAK do të paraqesë raportin mbi ecurinë dy mujore të hetimeve. Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim në IEVP Durrës që prej 10 shkurtit, ka firmosur një deklaratë për të mos qenë i pranishëm fizikisht në seancë dhe do të përfaqësohet nga avokati i tij.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka caktuar datën 8 korrik, ora 12:00, për shqyrtimin e rekursit të paraqitur nga Veliaj kundër masës së sigurisë “arrest në burg”. Trupi gjykues përbëhet nga relatorja Albana Boksi dhe gjyqtarët Medi Bici dhe Sokol Binaj. Rekursi do të shqyrtohet në dhomë këshillimi pa praninë e palëve, në kuadër të procedurës së përshpejtuar për çështjet me prioritet.

Më herët, më 9 qershor, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për kryebashkiakun Veliaj, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës me garanci pasurore. Vendimi u dha nga gjyqtari Engert Pëllumbi. Në të njëjtën seancë, Apeli la në fuqi edhe masën e arrestit shtëpiak për biznesmenin Elman Abule.

Veliaj ndodhet nën hetim nga SPAK për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, në kuadër të një hetimi të gjerë për tendera dhe abuzime me fondet publike në Bashkinë e Tiranës./L.F-dritare.net