Na ndiqni edhe në

Politikë

Rama inspekton punimet, s’kursen batutat: Pas 100 vitesh kur të takosh Shën Pjetrin!

Rama inspekton punimet, s’kursen batutat: Pas 100 vitesh kur të

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në kantier i shoqëruar nga Nënkryetarja e bashkisë Anuela Ristani, e cila është komanduar në krye të bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt.

Një prej projekteve që aktualisht është në zbatim përfshin Sheshin Avni Rustemi, i pozicionuar vetëm 500 m larg sheshit kryesor të Tiranës, i ndërtuar në 1935 dhe që gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së II që prej vitit 2007.

Sheshi, i cili shërben si urë lidhëse e Pazarit të Ri me unazën e brendshme të Tiranës me anë të dy rrugëve “Hoxha Tahsim” dhe rruga “Tefta Tashko-Koço”, përbën një zonë me rëndësi të madhe në zhvillimin e kryeqytetit, si një pikë kyçe atraktive.

Projekti për të cilin po punohet parashikon ndërtimin e parkimit nëntokësor me dy kate për 210 automjete dhe me rehabilitimin e fasadave përgjatë gjithë rrugës “Luigj Gurakuqi” duke krijuar një atmosferë tjetër që nxit bashkëveprimin midis komunitetit, e duke i dhënë më shumë hapësirë qytetarëve dhe turistëve.

“Jemi te projekti i parkimit te sheshi “Avni Rustemi”, pasi Pazari u hap dhe ne kishim shumë vizitorë. Kishim një parkim publik këtu që aspak nuk i përmbushte nevojat dhe u bë e qartë që nevoja për parkim nëntokësor, për të mos zënë hapësirat publike, ishte imediate. Kështu që do të kemi 210 vende parkimi në dy nivele. Në nivelin e parë dhe të dytë do të kemi 8 vende për personat e aftësi të kufizuara, me të gjitha lehtësirat, me ashensor të aksesueshëm dhe rampat respektive. Puna është ndarë në dy segmente në mënyrë që të mos bllokohet trafiku, kështu që kjo është gjysma e parë e gërmimit dhe e punimeve dhe në momentin që ajo do të mbulohet do të vazhdojmë me segmentin tjetër.” – shpjegoi ajo, teksa shtoi se: “Të gjitha standardet janë jo vetëm për parkimin, por do të ketë edhe një rishikim të fasadave te gjithë “Luigj Gurakuqi”. Përveç atyre që janë momente kulturë që janë trajtuar, pjesa tjetër e fasadave do të mbulohet jo vetëm me veshje kapot, por edhe me pjesën e njësimit.”

Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se çështja e parkimit do të marrë përparësi, veçanërisht në zonat turistike.

“Ne duhet ta shikojmë strategjinë dhe bashkë me Fondin e Zhvillimit që ka bërë disa projekte të suksesshme, ai i Beratit për shembull është super, që po angazhohet me një projekt kombëtar për parkimet sidomos për zonat turistike, duhet të bëjmë një bashkëpunim mes bashkisë dhe Fondit që të rishikojmë dhe një herë strategjinë, të kuptojmë se në cilat pikat kryesore nevralgjike mund dhe duhet të ndërhyjmë dhe pastaj të shohim dhe financimin e ndërhyrjes që të jetë një financim i shpejtë dhe që të mbulojmë sa më shumë nevoja sepse kjo historia e parkimeve po bëhet shumë problem, ndërkohë që nga ana tjetër duhet të vendosim patjetër atë rregullin që kemi folur; domethënë parkimi i dyfishtë duhet të konsiderohet bllokim rruge dhe hyn në të tjera vepra të Kodit, shkon në Kod Penal, kështu që, vetëm kështu arrijmë të dekurajojmë më shumë makinat dhe të lehtësojmë më shumë këmbësorët dhe të nxisim më shumë ecjet.” – u shpreh kryeministri.

“Thuaj atij shefit që atë fasadën e madhe atje t’ja bëjë dhuratë qytetit dhe kur të vija dita pas 100 vitesh për në botën tjetër kur të thotë Shën Pjetri mirë fitove por ça, do thuash që ia dha qytetit, kështu thuaji”, i tha Rama njërit prej punionjësve./ E.P-dritare.net