
Garda rrethon godinën me gardh metalik, Gazment Bardhi: Kuvendi nuk është burg!
Dritare.net
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, përmes një postimi në Facebook, ka reaguar lidhur me masat e marra nga Garda e Republikës së Shqipërisë për rrethimin me gardh metalik të hyrjes kryesore të Parlamentit.
“Ky është Kuvendi i Shqipërisë sot në mëngjes! Dera kryesore e tij e rrethuar me hekura dhe me më shumë forca sigurie sesa deputetë.
Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!
Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar!”- shkruan Bardhi në facebook.
Kujtojmë që kjo masë e Gardës vjen pas tensioneve në seancën e fundit të zhvilluar, me deputetët e opozitës që dogjën karrige, më pas manekinë dhe u përpoqën të ndalonin kolegët e mazhorancës për të zhvilluar punimet normale në Kuvend./E.P/dritare.net

















