
Çfarë i kam thënë në sy Berishës! Flet Artan Hoxha!
Dritare.net

Gazetari Artan Hoxha në DritareTV foli për figurën e Sali Berishës. Gazetari thotë se e besonte vërtet atë që i tha në sy Berishës para shumë vitesh, që do përfundojë si Pinoçeti, ish-diktatori kilian, që u çua në gjykatë në moshën 80-vjeçare. Sot Berisha është gjykuar nga SPAK-u, edhe pse sipas gazetarit jo për krimet e rënda që ka kryer.
“Unë e besoja vërtetë kur i thashë Berishës: Do shkosh në burg si Pinoçeti. Sepse njeriu që kishte ndërtuar 30 vjet në këtë vend më sulmonte mua. Unë kam qenë gjimnazist dhe e kam nisur me “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa!”. Edhe kur ndodhte të na kapnin në Greqi gjatë operacioneve Fshesa të Kostandin Micotaqisit, na thoshin; Shkoni t’u mbajë Berisha me bukë. Unë e kam vuajtur në kurriz.
Njeriu që ka pasur në dorë vendin, mbështetjen e ndërkombëtarëve, njeriu që amerikanët kanë investuar më shumë në Shqipëri është Sali Berisha, askush tjetër. E kanë ndihmuar të vijë në pushtet, të qëndrojë në pushtet, të rikthehet. Në fund e panë që investimi i tyre kishte skaduar. Mënyra për ta nxjerrë nga loja ishte SPAK-u. Prandaj u bë SPAK-u. Ku është sot Berisha? Në papafingo. Është për një krim dhe vepër penale shumë më të lehtë se ato që duhet të ishte.
Unë kur i thashë Berishës: Do shkosh në burg si Pinoçeti!”, kisha parasysh 21 janarin që vrau njerëzit në bulevard kur ishin me duar në xhepa. Doli i mbrojti vrasësit, i prishi provat, sulmoi gjithë të tjerët.
E dyta kisha parasysh torturimin, zhdukjen e kufomës së Remzi Hoxhës. Krime të përbindshme. Berisha nuk është për asgjë nga këto në SPAK. Miklimi më i madh që mund t’i bësh Berishës është ta çosh për atë që e kanë çuar. Por kur shikon që çfarë po ndodh atëherë themi se është sukses sepse Berishën edhe po ta çosh në burg nuk e kap ligji se ka moshën dhe ai rri në papafingo. Njeriu tjetër pas Berishës që ka provuar të gjitha pozicionet qeverisëse, është Ilir Meta që po provon çdo mënyrë për t’i shpëtuar SPAK-ut. Ne nuk e kishim menduar kurrë që pikërisht këta njerëz do ishin në këtë situatë. Është krejt normale për mua që politikanë, zyrtarët, të japin llogari siç japim të gjithë ne kur na thërret prokuroria.”, thotë gazetari në DritareTV./dritare.net

















