
Dy deputetë tërhiqen nga gara për primaret, Berisha: Jemi në demokraci!
Dritare.net
Helidon Bushati dhe Ferdinant Xhaferri nuk do të marrin pjesë në primaret e PD.
Xhaferri tha se arsyeja e mos marrjes pjesë në primare lidhet me qëndrimet e tij, kundër këtij procesi, që sipas demokratit nuk bashkojnë, por përçajnë më shumë opozitën.
“Kam qenë që në krye të herës kundër këtij modeli primaresh që më shumë e dëmtojnë sesa ndihmojnë opozitën“, është shprehur ai, citojnë mediat.
Ndërsa Bushati shkroi:
“Personal, kam zgjedhur të mos marr pjesë në primaret dhe, si rrjedhojë, heq dorë nga aspirata për të qenë kandidat për deputet. Ky nuk është thjesht një vendim personal, por një akt përgjegjësie politike dhe morale. Megjithatë, ky vendim nuk do të thotë tërheqje nga rrugëtimi ynë i përbashkët. Përkundrazi, do të jem aty ku kam qenë gjithmonë, pranë Partisë Demokratike dhe demokratëve”.
Kryetari i opozitës Sali Berisha sot në një deklaratë për shtyp tha se ky vendim I dy demokratëve është një zgjedhje e lirë e tyre.
“Këta dy deputetë dhe të tjerë kanë pasur dhe kanë besimin e plotë të Sali Berishës, por një gjë, e kam përsëritur dhe dua ta përsëris; edhe në thellësitë e territ të diktaturës, për mua liria ka qenë e drejta për të zgjedhur atë që do individi. Thelbi i lirisë është e drejta e zgjedhjes dhe për fat të mirë e kam shkruar dhe në atë kohë kur filozofia ekzistencialiste konsiderohej një nga më reaksionaret e kohës. Por unë i besoj atij parimi”, u shpreh Berisha./L.F-dritare.net

















