
Prokuroria e Përgjithshme ka mohuar deklaratat e Jurgen Mollës, pavarësisht se transferimi i prokurorit është një fakt.
Organi i akuzës sqaron se prokurori Anton Martini është transferuar në drejtim të Prokurorisë së Shkodrës me kërkesën e tij, administruar pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Inspektimit, në muajin shtator 2015. Procesi i transferimit të tij përfundoi në dhjetor 2015, pasi u shqyrtua fillimisht nga Këshilli i Prokurorisë.
Por “Gazeta Shqiptare” ka arritur të sigurojë një kopje të kërkesës së prokurorit Anton Martini, i cili kërkon nga këshilli i prokurorisë që të konkurrojë si drejtues i prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Nga transferimi rezultoi se Anton Martini u emërua prokuror i thjeshtë në Shkodër, dhe jo drejtues i prokurorisë siç kishte kërkuar. Jurgen Molla, trafikant droge dhe njëkohësisht ndërtues i disa komplekseve apartamentesh në Tiranë u arrestua, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë në të gjitha vendet e Ballkanit. Jurgen Molla e pohoi pagesën për prokurorin, kur fliste në telefon me nënën e një prej korrierëve të drogës, që ishte arrestuar nga policia dhe do të gjykohej.