
Nga Ermal Mulosmani
Vdekja është një moment reflektimi. Befas kupton që je i përkohshëm, që ditët e tua mbi tokë po reduktohen. Bashkë me të vdekurin ka vdekur edhe një pjesë e rëndësishme jotja – kanë vdekur kujtimet e tua me të. Kur të vdes një person shumë i shtrenjtë në jetën tënde, e ndjen më shumë se kurrë boshllëkun, vetminë, frikën nga errësira, misteri. Të duket se ndërtesa jote shpirtërore nuk është më ajo që ishte, një plasaritje e fortë dhe përfundimtare ndodhi.
Dikush i mençur ka thënë: “Pas lamtumirës së një njeriu të shtrenjtë fshihet vdekja jote”.
Ke nevojë për reflektim. Harron inatet e vogla, intrigat, ironitë. Të gjithë moralizuesit habiten pse vdekja bashkon dhe jeta ndan. Ata qartësisht nuk e kuptojnë që vdekja qëndron përtej moralit, është një forcë e natyrës. Në fakt duhet të jetë kaq e qartë: Të gjithë bëhemi të dobët sepse te vdekja e tjetrit shohim dobësinë, pafuqinë, vetminë tonë.
Te vdekja e kundërshtarit gjithashtu shohim edhe vdekjen tonë, kuptojmë kotësinë e konfliktit, banalitetin, përkohësinë e tij. Prandaj është kaq e kuptueshme bashkimi nga vdekja. Është i vetmi moment kur fjalët humbasin kuptimin. Heshtja- kjo kryefjalë e vdekjes, është dëshmitare e pikëllimit mbi vdekjen tonë të afërt.
Vdekja e babait është nga tronditjet më të mëdha të njeriut. Zëri i tij bën eko të fortë në gjithë qenien tënde. Ecja e tij, hija, e qeshura, shikimi, nervat, poshtërsia e tij, të gjitha bashkë nuk do jenë më. Gjithë ai univers që kishte shënuar fëmijërinë dhe përditësinë tënde, botën tënde të deriatëhershme, bien në mënyrë të pakthyeshme. Zënkat, batuta, ironitë deri edhe kolla, këmisha zbërthyer, gërrhitja në gjumë, dehja apo marrëzitë e tij, ikin me një të rënë sëpate! Vdekja e tij është fillimi i vdekjes sonë.
Për ta mundur këtë ndjesi të errët, këtë makth, ke nevojë të takosh njerëz, të dëgjosh fjalë, të harrohesh. Është një ndjesi që nuk e rrok arsyeja, një ndjesi e që nuk e shpjegon me fjalë. Kur më pyet nganjëherë mjeku se si e ndien shqetësimin në zemër a stomak, fjala vjen, e ndjej këtë pafuqi shpjeguese.
Si t’i them kur nuk ka fjalë për to?
Ashtu është edhe të shpjegosh boshllëkun e vdekjes së një të afërmi të shtrenjtë. Pafuqia ka pamjen e vdekjes. Edhe karakteret më të forta dorëzohen përpara saj. Përndiqen, frikësohen, kanë makthe prej saj. Jeta është gënjeshtra më e madhe – ndërtohet mbi bazën e pritjeve. Të gjithë shkrimtarët bënë letërsi që pritja është lumturia, ekstaza jo ngjarja në vetvete. Sepse ngjarja i jep fund pritjes, shpresës. Dhe Kryepritja e të gjitha pritjeve është Vdekja. Prandaj edhe ndërtuan fabulën e lumturisë në udhëtim jo në destinacion.
Dënimi i birit me vetmi në ditën e vdekjes së babait është thellësisht një vendim i zi, kushdoqoftë babai e kushdoqoftë biri. Është diabolik, pervers, çnjerëzor t’ia ndalosh djalit përcjelljen e fundit të babait. Aq më tepër kur ka vite pa e takuar.
Ky është një veprim i krahasueshëm me përdhosjen e kufomës në lashtësi, një barbari!/DRITARE.NET

















