Na ndiqni edhe në

Opinione

Mikrokreditë, krimi ka çmim!

Mikrokreditë, krimi ka çmim!

Nga Etleva Kondakçiu

Para dy vjetësh, m'u desh të merresha me një nga këto institucionet financiare jobankare (mikrokreditë) për të ndihmuar një njeriun tim.

Pas disa telefonatave, emaileve dhe ecejakeve, e zgjidha. Ndërkohë, pashë si trajtoheshin njerëz normalë në hall ose njerëz me vese (ky është nga ata hallet që i bie mbi kurriz gjithë familjes e fisit). Miliona lekë të dhëna me një telefonatë që të fuste brenda një muri të fortë. Unë hyra e doja të paguaja gjithë kredinë e ta nxirrja njeriun tim që aty. Haha! Mendova se do mjaftonin veç lekët. Jo. Ishte shumë më e vështirë. Kjo është një nga ato shumë gjërat që shohim në këtë vend, përpiqemi ta kuptojmë duke kruajtur kokën dhe hiç s'i japim dum. Të kap inati jo thjesht për lekët, po për budallanë apo budallaçkën që të duket vetja.

Dhe, siç ndodh zakonisht me budallanë, ndërkohë që ti pehlivani vazhdon të shijosh jetën komode të ndërtuar me pehlivanllëqe, budallai vazhdon, fyellit në një vrimë. Po si kshu? Po pse? Po si ka mundësi!!!

U ula dhe shkrova një përmbledhje të atyre që pashë. Gjëra në dukje të pakuptimta, si gabime të pamenduara në rastin më të mirë, që u shkatërronin jetën njerëzve. Shpjegova thjesht e pastër, aq sa kisha parë me sytë e mi. Ngrita pyetje për të drejta që mendoja se po shkeleshin, për institucione që nuk po bënin punën, etj. U kujdesa të kufizohesha në fakte. I hodha edhe një sy të fundit. M'u duk korrekte. E ndava me nja dy njerëz të afërt. Nuk kishin asnjë kritikë, madje kishin ndeshur edhe ata raste kredish të tilla që u kishin nxirë jetën njerëzve. E megjithatë, pas një heshtjeje mosmiratuese, iu desh të ma thoshin shkoqur edhe me fjalë "Eva, po ti e zgjidhe tani. Ç'të duhet? Rri rehat!".

Dhe nuk e nisa kurrë atë email. Madje e fshiva komplet, se kisha frikë se do më kapte prapë nervi e do ua nisja kur as vetë nuk e prisja.

Tani dëgjoj ç'po ndodh me çështjen. Tani, pasi Pali vrau veten para SPAK-ut dhe një i dyshuar si i përfshirë në atë aktivitet raportohet i vetëvrarë. Shoh të pyeten të gjithë aktorët që kishin qenë/janë pjesë e zinxhirit. E cilësoja si krim që në "design", vjedhje e integruar në mënyrën e funksionimit të skemës që në (mos)rregullime ligjore dhe nënligjore. Një profesionist i këtyre punëve madje më tha "E paske zbërthyer gjithë skemën". Pikërisht kjo më dekurajoi. Kush isha unë që të ngrija aludime e padi të tilla kaq të mëdha. "U bë kjo!", më dukej sikur dëgjoja disa nga "miqtë" që njoh.

Dikur, në universitet, na kërkuan të shkruanim një ese me titullin "Krimi ka çmim". Nuk e kuptoja, nuk e ndieja. Kushedi ç'do kem llomotitur kot, fjalë të bukura pa kuptim.

E tani kuptoj se jo vetëm krimi, por edhe heshtja ka çmim./dritare.net