Na ndiqni edhe në

Opinione

E drejta e pronës në Shqipëri, vetëm një iluzion

E drejta e pronës në Shqipëri, vetëm një iluzion

Nga Bardhyl Reso

E drejta e pronës në Shqipëri, vetëm një iluzion

Prona në përgjithësi dhe toka në veçanti janë elementet bazë ku zhvillohet jeta, individi, familja dhe shoqëria e një vendi. Ruajtja fanatike e pronës dhe trashëgimi qindravjeçar i saj ka qenë një normë jetike duke filluar që nga shoqëria primitive.

“Kjo është e imja, kjo është e jotja”, ka qenë një rregullator moral që me krijimin e ndërgjegjes njerëzore. Ky parim e bëri pronën të shenjtë dhe të patjetërsueshme. Për çështjet e pronës janë shkruar vëllime të tëra nga filozofë e historianë, por unë nëpërmjet këtij shkrimi do të përpiqem të analizoj sa më thjeshtë historinë e pronave dhe të drejtës së tokës në Shqipëri, kryesisht nga periudha 1946 e deri në ditët e sotme.

Fatkeqësisht ardhja e komunistëve në pushtet pas Luftës së Dytë Botërore, filloi rrënimin e konceptit të pronës dhe asgjësimin e pronës private. Masat e para të kësaj qeverie ishte shpronësimi dhe sekuestrimi i pronave dhe i tokës së pronarëve të pasur apo bejlerëve të cilët u shpallën armiq të diktaturës së proletariat dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve pa asnjë bazë ligjore. Pronat e mëdha dhe toka tani i takonin shtetit duke manipuluar popullin me nocionin e pronës se përbashkët. U krye me pompozitet e ashtuquajtura Reformë Agrare me qëllimin e vetëm të shpronësimit të pronarëve dhe të dhurimit formal të saj fshatarëve të varfër pa asnjë dokument që provonte pronësinë mbi tokën në regjistrat e kadastrës. Megjithatë duhet të përmend një fakt të pakundërshtueshëm.

Enver Hoxha, i cili kreu me mijëra krime, çuditërisht, e ruajti të gjithë dokumentacionin ekzistues të kadastrës së shtetit shqiptar që nga formimi i tij. Ishte ardhja në pushtet në vitin 1992 e PD-së me udhëheqësin komunist- sllavo-bajraktar të vetëquajtur demokrat, Sali Berisha që shkatërroi dhe manipuloi dokumentacionin e ruajtur të pronave dhe pronarëve. Ai ishte një përkrahës i pajustifikuar i lëvizjes së lirë të popullsisë, një megalloman pa asnjë vizion se çfarë politikash gjeo-ekonomike i duhen një vendi të sapodalë nga diktatura që po futet në ekonominë e tregut me një liri të pakufizuar. Qëllimi i tij ishte vetëm marrja dhe ruajtja e pushtetit. Për këtë arsye mblodhi rreth vetes komunistë e bij komunistësh të devotshëm që do i shërbenin besnikërisht.

Populli i etur për demokraci besoi dhe përqafoi liderin e ri karizmatik. Partia Demokratike për fatin e saj të keq ra pre e një mendësie që nuk ndryshoi nga ajo e celulës ku Saliu kishte qenë po aq karizmatik. Si rrjedhojë edhe fati i pronës private në Shqipëri është i lidhur me figurën e tij. Fillimisht, në kuvendin e parë pluralist shqiptar, ai iu bashkua plot energji iniciativës për miratimin e Ligjit për Tokën 7501, të cilin më pas, paturpësisht, e pranoi si të gabuar, por që nuk mori kurrë mundimin ta abrogojë megjithëse ka qenë në krye të shtetit nga viti 1992-1997 dhe 2005-2013.

Vazhdoi me shkatërrimin e fshatrave si ideatori dhe nxitësi i teorisë antikombëtare të lëvizjes se lirë të popullsisë, e cila i inkurajoi njerëzit jo vetëm të abandononin ekonominë e fshatit, por të bëheshin uzurpues të tokave të pronarëve të vërtetë, me bindjen e tij komuniste se tokat janë të shtetit. Vazhdoi duke nxjerrë vendime dhe ligje gjysmake për kthimin e pronave pronarëve të ligjshëm, të cilët ai i quante “ish-pronarë”, vendime që e përkeqësuan, e vështirësuan dhe krijuan një kalvar problemesh të ndërlikuara.

Kështu filluan të përfshihen pushtetet gjyqësore të cilat kanë përfituar vlera monetare të papara nga një korrupsion i padepërtueshëm nga drejtësia. Shpeshherë vendimet e tyre kanë dëmtuar rëndë pronarët e vërtetë. Zaptuesit fitonin, jo vetëm nga paratë që paguanin gjyqtarët, por edhe pse kishin mbështetjen e hapur të Bacë Saliut. Këto ligje vazhdojnë të ndryshohen pa asnjë përmirësim duke e bërë problemin e pronave një gangrene të pashërueshme të shoqërisë shqiptare. Po e ilustroj me një shembull nga përvoja ime personale se si veprojnë gjykatat në Shqipëri. Bëhet fjalë për një truall, në mes të Tiranës, me sipërfaqe 700 metra katror ku janë ndërtuar dy banesa me sipërfaqe trualli 350 metra katror secila. Sipas ligjeve në fuqi unë kërkova që pronarët uzurpues të më kompensonin me vlerën e tokës sipas çmimeve aktuale ose të paguajnë qiranë e tokës që shfrytëzonin.

Gjykata vendosi që prona t’u mbetet uzurpuesve, ndërsa shteti do të më kompensonte si pronar i ligjshëm i atij trualli me vlerën e tokës sipas çmimeve në fuqi. Deri tani nuk kam marrë as edhe një qindarkë nga shteti, por ironia më e madhe është se duke u cilësuar nga gjykata si humbës i gjyqit, i dha të drejtën njërit prej uzurpuesve, (një “doktori” mashtrues dhe sharlatan, i cili i shpëtoi burgut për mashtrime të tmerrshme në kurriz të shëndetit të grave, duke i dhënë mijëra euro një fondacioni “bamirës” të Liri Berishës), të drejtën të tërhiqte shpenzimet e gjyqit nga llogaria ime bankare. Ky hajdut, nëpërmjet një agjencie përmbarimi, futet pa dijeninë time në llogarinë personale të bankës dhe mori shpenzimet e gjyqit. Duhet shtuar se as banka nuk më çoi as më të voglin njoftim për këtë veprim.

Më duhet të theksoj se për çështjet e pronës nuk janë më të drejta edhe qëndrimet e qeverise socialiste. Janë frenuar disi përpjekjet për të zaptuar truall të reja, sepse nuk kanë mbetur pothuajse më prona të pronarëve të ligjshëm, por njerëzit vazhdojnë të rrëmbejnë toka buzë lumenjve apo kënetave ku vazhdojnë të ndërtojnë pa leje.

Një gabim tjetër i pafalshëm, nga PS-ja ishte vazhdimi i legalizimit dhe regjistrimit në kadastër të pronave të uzurpura. Nëse Saliu e filloi shkatërrimin e pronës, ata po e konsolidojnë përfundimisht këtë padrejtësi sociale. Kemi 30 vjet që dëgjojmë të njëjtat fjalë, shohim të njëjtat ngjarje, zaptime, ndërtime pa leje, vrasje për arsye konfliktesh mes pronarëve, largime të investitorëve të huaj si rezultat i problemeve të pazgjidhura të pronave. Nga ana tjetër revolta e protesta sepse prishen ndërtimet pa leje. Këto thagma politike që luhen në kurriz të pronës ndodhin vetëm në Shqipëri. Deri kur do vazhdojmë të dëgjojmë premtime apo vendime për kompensime pronash apo drejtësi ndaj pronës private?

Nëse të gjithë qeveritarët që janë apo që do të vinë, do të vazhdojnë të mos respektojnë pronën e tjetrit (se të tyren, ama seç e shtojnë dhe e mbrojnë) dhe të udhëhiqen vetëm nga morali politik, jo vetëm problemet e pronës, që do mbeten iluzione, por nuk do të arrijnë suksese të vërteta dhe të ndershme në çdo problem tjetër social, ekonomik edhe edukues në dobi të kombit dhe dinjitetit të shtetit shqiptar./dritare.net