Na ndiqni edhe në

Opinione

Banaliteti i së keqes, kanceri i vërtetë në shëndetësi!

Banaliteti i së keqes, kanceri i vërtetë në

Shkruan për Dritare.net, Gledi Çuliqi-Mjek urgjentist, Milano, Itali


Jam një mjek i ri, i diplomuar në “Sapienza” të Romës, që ushtroj profesionin tim prej katër vitesh në Milano.

Ky shkrim lind nga ndjenja e zhgënjimit dhe pështirosjes që përjetova me zbulimin e ngjarjes së Onkologjikut dhe nevojës së domosdoshme për t’u distancuar prej modeleve që e përlysin imazhin e mjekut.

E ndjej të nevojshme t’u kërkoj fillimisht ndjesë familjareve të pacientëve të këtyre mjekëve të cilëve këto ditë mbase po ua trazojmë kujtimet, pa dyshim të trishta. Kanë duruar shumë dhe më vjen keq që do t’u duhet t’u kërkojmë sërish durim.

"Il paziente aspetta, per quello si chiama paziente", më pat thënë një infermiere në ditën e parë të punës në urgjencë e megjithëse më argëtojnë lojërat e fjalëve, nuk e kisha bërë asnjëherë këtë lidhje, besoj nga naiviteti idilik i një studenti mjekësie të sapodiplomuar.

Ka ndryshim të madh nga student mjekësie në mjek. Studenti jeton në një botë ëndërrimtare, teorike, ku gjithçka e shikon sipas ligjeve të shkruara në librat e shenjtë nga të cilët ka mësuar. Mjeku përballet me realitetin e hidhur ku rrallëherë ngjarjet zhvillohen sipas skenarit e ku protagonist bëhet shpesh një personazh i paftuar (dhe i pamësuar në teori): marrëdhënia mjek-pacient.

Mjekët gjenden njëkohësisht të përfshirë në dy marrëdhënie terapeutike: njëra me sëmundjet dhe tjetra me pacientin.

E ka përkufizuar shumë bukur ketë marrëdhënie Tom A. Hutchins: "Të dallosh dhe trajtosh dorën reumatike tek një pacient do të thotë të trajtosh sëmundjen, ndërsa shërimi i personit kërkon të vëresh që ajo dorë dikur mbante një unazë martese."

Pikërisht kjo marrëdhënie përbën karakteristikën kryesore që dallon mjekun nga një “shërues” i zakonshëm. Sipas filozofit austriak Josef Seifert, një mjek e gëzon këtë emër kur së pari vepron duke u bazuar në shkencë, së dyti në përvojën e praktikave të suksesshme e të pranuara shkencërisht si të tilla, dhe së treti në përgjegjshmërinë etike ndaj profesionit. Të trija këto karakteristika duhen vlerësuar të barazvlefshme: si zotësia në ushtrimin e profesionit, përditësimi i vazhdueshëm me të rejat e shkencës, ashtu dhe respektimi i protokolleve me përpikëri, pa harruar asnjëherë qëndrimin etik, që nënkupton marrëdhënien e respektueshme ndaj të sëmurit.

Ngjarja e Onkologjikut është një copëz pazëlli që na jep pikturën e së gjithës: ka aty abuzim detyre, kriminalitet po të doni, mangësi gjithëfarë: mungesë politikash, kontrolli, mosrespektim protokollesh, korrupsion, po sidomos një zvetënim të frikshëm dhe përçudnim të sjelljes etike ndaj vuajtësit. Kam frikë se epidemia e mungesës së vlerave që ka pushtuar një shoqëri të tërë në Shqipëri, pasqyrohet në mënyrë më të frikshme e të neveritshme te shpërfytyrimi i figurës së mjekut. Më shumë se gjithçka më shqetëson pranimi i korrupsionin të përditshëm, nga pak prej të gjithëve, si një e keqe pa të cilën nuk mund të jetohet. Më habit gjithashtu mënyra sesi kapemi gafil nga një ngjarje e tillë, kur në të vërtetë e kemi provuar të gjithë në lëkurë. Është mëse e ditur prania e një korrupsioni të tejskajshëm në sistemin tonë shëndetësor. Ndoshta nuk dinim detajet e përditshme, emrat e autoreve, po në vija te trasha ishim të gjithë në dijeni (dhe njëkohësisht të gjithë përgjegjës). Po si duket kur plehrat nuk mbajnë erë tregon që nuk janë ende gati për tu hedhur.

Nuk më pëlqen aspak as qasja e mediave ndaj vlerës ekzakte monetare. A ishte 3000 apo 2500? Për sa euro saktësisht duhet ta shesim profesionin e mjekut? (E pastaj pse janë euro, duhet të ishin lekë, ne ende nuk kemi hyrë ne BE!) Po të ishin 100 euro allishverishe do ishte çmim konkurrues në treg? Na shqetëson rritja e çmimit të korrupsionit apo vetë fenomeni?
Para se të largohesha me studime në Itali, gati një dekadë më parë, pata ndjekur në mënyrë sporadike repartin e urgjencës në Durrës dhe më kujtohet se si i orientonin pacientët kur nuk kishte kateter "a 3 vie" (minimumi i kërkesës për çfarëdo spital) që ta blinin atë te farmacia përballë. Apo se si kalonin lekë të vogla nën dorë (them "të vogla" sepse unë ndiqja urgjencën). Për ata që i pëlqejnë numrat asokohe flitej për 200-500 lekësh. Sot mund të jetë ndryshe, inflacioni ka bërë të vetën. Unë e shikoja (dhe vazhdoj ta shoh) profesionin e mjekut si profesion fisnik, ndaj dhe zgjodha të largohesha nga vendi im, pikërisht se kisha frikë nga përlyeja.

"Mysery loves company" thonë anglezet po varianti shqip "I mbytyri të mbyt" më pëlqen më shumë, se është po aq i vërtetë literalisht sa dhe metaforikisht.

Në këndvështrimin tim duhen shtruar disa pyetje për ta kuptuar thellësisht problemin:

• A është ky një rast sporadik apo shenjë e një sistemi të kalbur?

Retorike si pyetje: padyshim që është problem sistemik. Mund t’i bëjmë shembuj këta 7 mostra (a nuk është ironike që po 7 janë edhe mëkatet e pafalshme?), por kështu trajtojmë vetëm simptomat e sëmundjes, pa e çrrënjosur atë tërësisht. Do të vijë rasti i radhës, ndoshta te morgu, për ta çuar ndjeshmërinë në skajshmëri, e do të fillojmë të çirremi nga e para, të lakojmë të gjitha sharjet e mllefet, do t’u faturojmë ca emrave të tjerë mbi shpinë të gjitha vuajtjet tona në këtë sistem, për t’u ndjerë vetë si të lehtësuar për pak kohë, kinse se po bëjmë një detyrë qytetare denoncimi, por që i mungon thellësisht përgjegjësia e qëndrimit qytetar. Ndër shekuj gishtin e kemi drejtuar nga tjetri, si armik, pa e kthyer asnjëherë nga vetja, pa mbajtur kurrë peshën e përgjegjësisë si të rritur. E ka fajin qeveria, që e zgjedhim vetë; e ka fajin mjeku që e paguajmë nga xhepi vetë, e ka fajin sistemi që po ne vetë e mbajmë në këmbë duke e ushqyer nga pak e duke e majmur aq sa të na zërë poshtë.

Pyetja e dytë që duhet parashtruar:

• Sistemi jonë shëndetësor a ka ngjashmëri me ndonjë sistem tjetër dhe nëse po, a vuajnë edhe ata nga të njëjtat probleme?

Nuk na ka mbetur të shpikim ne në asnjë fushë, mjafton të jemi kopjacë të mirë dhe të ndershëm.

Italia, fqinji ynë i përtejdetit, ka një sistem social mjekësor deri diku të ngjashëm me Shqipërinë. Edhe ata e kanë "mjekësinë falas" (mirë është të mos përdorej më një term i tillë, por të flitet për mjekësi sociale, apo më saktë për mjekësi sipas të ardhurave të taksuara, STAT). Edhe ata kanë profesorë të ndritur që punojnë në shtet dhe i drejtojnë pacientët te klinikat e tyre private për një kurë më "të mirë" (shpesh kjo rezulton të jetë e gënjeshtërt, por jo rrallë herë kanë të drejtë: në klinikën private mund t’i kushtojnë pacientit shumë më tepër kohë, mund të bëjmë më tepër kontrolle, mund të kenë, dhe përgjithësisht kanë, pajisje shumë herë më të avancuara). Në ndryshim të madh nga pacienti shqiptar, pacienti italian ka zgjedhje për të gjetur zgjidhje.

Nëse nuk do që të kurohesh nga profesori i madh e me emër zgjedh të ndiqesh në spitalin shtetëror (pret radhën sipas prioritetit, që shpesh është një përvojë torturuese dhe mund të përballë ndoshta dhe me diagnostikim të vonuar). Pra edhe ky sistem ka mangësitë e veta, por vini re një ndryshim thelbësor: Nuk përmban korrupsion banal të lekëve apo eurove nën dorë apo në xhepin e bluzës së bardhë të mjekut! Pikërisht ky korrupsion banal është pikënisja e korrupsionit sistemik!

Kjo çështje me kujton Hannah Arendt me konceptin e "Banalitetit të së keqes", koncept sipas të cilit e keqja nëse rrënjoset në normalitetin e gjithsecilit nuk vihet më re, kthehet në një gjë të zakonshme. Sot me të drejtë duhet t'ia drejtojmë gishtin fajtorëve dhe t’i dënojmë (si dikur Eichmann-in), por nesër do të duhet t’ia vëmë kokës. Nuk ishte një Eichmann që ngriti perandorinë e tmerrit të Hitlerit! Ishte një popull që nuk reflektoi për rolin e gjithsecilit në sistem, që ktheu në rutinë të përditshme përbuzjen, urrejtjen dhe trajtimin keq të tjetrit, të ndryshmit prej vetes.

Po ne a nuk kujtohemi për të keqen kur ajo na ka mbytur, edhe pse nga pak çdo ditë veprojmë sipas rregullave të këtij sistemi të sëmurë? A thua se sot u zgjuam në mëngjes dhe zbuluam se në spitale tona paguhet nën dorë, ndërkohë që gjithsecili prej nesh, nga ai që zbret rrallë në qytet e deri të ata që drejtojnë në rangjet më të larta në vend, e kanë bërë këtë veprim, pa e menduar dy herë, kur sëmundja i ka hyrë në familje.

3. A ka zgjidhje?
Zgjidhja që kam dëgjuar më tepër të trumbetohet nëpër emisione të ndryshme televizive, është të mos lejohet mjeku i spitalit shtetëror të operojë në privat. Pra, të ketë një ndarje të qartë midis mjekut që ushtron veprimtarinë në spitalet shtetërore me atë që shërben dhe në spitalet private. Në dukje i jep zgjidhje problemit, në praktikë jo. Në një sistem të lirë tregu nuk mund të bëhen reforma shtrënguese, pa i bashkangjitur ato me incentiva (financiare kryesisht, por edhe sociale).

Ajo çka do të ndodhë po të aplikojmë një zgjidhje të tillë është emigrimi masiv i mjekëve të rinj dhe braktisja e spitalit shtetëror nga mjekët e vjetër me përvojë. Të mos harrojmë për asnjë çast se mjekësinë e zgjedhin nxënësit me mesataren më të lartë, për rrjedhojë janë individë ambiciozë, që normalisht zotërojnë dy apo tri gjuhë të huaja. Nëse rroga shtetërore e këtyre individëve që u duhet të sakrifikojnë dymbëdhjetë vite studimi (12 vitet më aktive të jetës së tyre pa rrogë, vetëm me shpenzime!) është e barabartë me atë të një kamerieri në "Green Coast", është e qartë që kemi një problem vlerësimi të këtij profesioni në shoqërinë ku jetojmë. Nëse nuk ndihen të vlerësuar këta individë janë të destinuar të largohen, ashtu siç kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë në masë.

E njëjta gjë vlen dhe për mjekët me përvojë që në një shoqëri si e jona ndihen të zhvlerësuar dhe të pafuqishëm për ta ndryshuar sistemin, ndaj me të drejtë do të përqafonin më lehtë shërbimin në privat, për më tepër që infrastruktura private është shumë më funksionale në vend dhe aty ndjehen më të vlerësuar për atë çfarë janë.

Po atëherë, cilat janë zgjidhjet?

Në këndvështrimin tim zgjedhja duhet parë në dy drejtime:

Së pari, rritja e incentivës, stimulit, për të punuar si mjek në institucionet shtetërore. Këtu mund t’i drejtohemi përvojës së vendeve të tjera fqinjë.

Së dyti, rritja e kontrollit për të parandaluar korrupsionin banal sikurse dhe dënimi i abuzimeve në gjenezë. Të dyja këto masa vijnë të ndërthurura.

Pa harruar se kërkohet në veçanti informim i saktë e transparent i pacientëve për çdo gjë që i pret: ku po marrin shërbimin, nëse i kushton apo jo ky shërbim, se çfarë zgjedhjesh kanë për rastin që u ka rënë për short. Një sistem që parashikon shumë qartë edhe një mënyrë për ankimin, për marrjen e masave për pagesat informale, si dhe për ndjekjen penale të shkelësve.

Megjithatë, duhet thënë se të gjitha këto dhe shumë më tepër janë të mirëmenduara dhe të mirëshkruara në strategjitë në letër, por mungon vullneti i politikës në radhë të parë dhe më pas i gjithë sistemit shëndetësor për t’i vënë në zbatim. Nëse do të ishte ky vullnet, nuk ka nevojë të shpikim asgjë. Drejtuesit politikë duhet të kuptojnë se në shëndetësi ku preken të djathtë e të majtë, nuk ka vend për politikë të një drejtimi apo të një tjetri, nuk është aty vendi për të thënë se çfarë është e drejtë të bëjmë sipas interesit të njërës palë apo tjetrës, por çfarë është e arsyeshme të bëjmë të gjithë si shoqëri, pa e fshehur realitetin para sysh.

Si mjek më shqetësojnë më tepër pasojat që do të sjellë kjo ngjarje.

Fatkeqësisht pasoja e parë do të jetë dëmtimi i rëndë i asaj marrëdhënie mjaft delikate, së cilës iu referova që në nisje, marrëdhënies mjek-pacient. Të mos harrojmë se kjo marrëdhënie e ka marrë një goditje të rëndë gjatë pandemisë kur opinioni publik për mjekët u luhat ndjeshëm nga përcaktimi si heronj që shpëtonin jetë duke u përballur me një rrezik ekstrem, nga yje të ndritshëm në qiell, a perëndi mbi tokë në atë të vrasësve të paditur apo sharlatanë a servilë të politikave shëndetësore. Unë vetë e nisa punën si mjek pikërisht në fillim të pandemisë në Itali, në kohën kur ende nuk kishte vaksina. Administrata asokohe vendosi që t’i mbyllte mjekët dhe infermierët në të njëjtën dhomë me të sëmurin në momentin kur konstatohej kontakti i mjekut me pacientin me Covid-19. Kam dyshimet e mia a mund të cilësohet kjo sot si pengmarrje, mirëpo në atë kohë asnjë mjek në shërbim nuk e diskutoi këtë çështje. Shumë mjekë, përfshirë dhe mua, qëndruan me maska të sajuara pranë të sëmurit edhe pasi ishin infektuar edhe vetë. E quanim fat asokohe të prekeshim sa më lehtë, se mund të punonim lirshëm në repart pa frikë, të flinim në punë, meqenëse as bëhej fjalë të ktheheshim në shtëpi si mbartës të virusit vdekjeprurës. Falë një keqmenaxhimi të OBSH-së dhe një disinformimi masiv prej burimeve të panumërta të pabesueshme që ngjallnin dyshime të pabazuara në metodat shkencore, mjeku e humbi shpejt statusin e sapofituar të heroit.

Dhe në rastin për të cilën po diskutojmë, kjo ngjarje fatkeqësisht do të sjellë më pak vizita në spitalin onkologjik, me pak kontrolle rutinë diagnostikuese, më shumë përpjekje për vizita jashtë vendit, gjë që do të rëndojë te një pjesë e madhe e popullsisë me burime të mjaftueshme financiare, dhe për rrjedhojë do të përballemi me diagnostikime të vonuara dhe shtim të humbjeve të jetës. Dhe kjo pikërisht se ka rënë besimi te figura e mjekut.

Dy janë protagonistët kryesorë që duhet t’i kundërpërgjigjen një situate të tillë: së pari, vetë mjekët, e së dyti, qytetarët.

Po cili duhet të jetë qëndrimi i mjekëve pas kësaj ngjarjeje?

Thjesht ndarja e qartë e shapit nga sheqeri.Të gjithë mjekët që punojnë ndershmërisht duhet ta bëjnë sot këtë distancim. Fjala “koleg” që vjen nga latinishtja e do të thotë të lidhësh.

Kësaj here më shqetëson fakti se mund të quhesh “koleg” me mjekët e krimit të fundit në Spitalin Onkologjik. Duhet që fajtorët më së pari të dënohen nga vetë mjekët, për t’u treguar dhe për të dhënë shembuj konkretë te pacientët se ka mjekë që këtë profesion e kanë të shenjtë dhe nuk e ndotin, dhe se këta nuk janë të paktë, e nuk duhet kurrsesi të ndjehen të pambrojtur, të anashkaluar, të përbuzur dhe të vetmuar.

Shembulli pozitiv nuk përbën lajm, aq më tepër në Shqipëri, ku media dhe shoqëria reklamon gjithë ditën “vipa” me para të pista, ku studiot televizive gëlojnë nga njerëz që nuk u dihet burimi i fitimit dhe që përbëjnë modelin e shoqërisë së atyshme, sidomos për të rinjve, e ku pasurimi përmes së keqes është kthyer në modë. Këto modele bëjnë që edhe kufiri i pasurimit, pa pyetur sesi arrihet, të mos ketë limite. Nëse një mjek specialist në Itali punon dhe për pesë a dhjetë mijë euro të ndershme në muaj, në Shqipëri nuk kënaqet as me pesëdhjetë a njëqind mijë të ndotura. Sepse masë krahasimi ka drogmenin apo mafiozin njëzet vjeçar që banon te vila ngjitur me të. Një shoqëri ku shtresëzimi është përzier, ku nuk ka ndarje të qartë mes atij të pasuruar me burime të paligjshme dhe atij që përballon jetesën me djersën e vet, do të vuajë gjatë për të gjetur paqe. Banalizimi i së keqes, mosqëndrimi, kthimi i saj në normalitet, vesh me përgjegjësi të gjithë, dhe dëshmon kalbjen e një shoqërie.

Çfarë pritet atëherë nga qytetari i zakonshëm?

Të protestojë pa u ndalur, pa asnjë mëdyshje! Ta ketë të qartë se sot po paguan për të vrarë prindërit e vet. Nëse nuk proteston sot, nesër do të jetë vonë për të, për familjen e tij dhe për të gjithë shoqërinë./dritare.net