Na ndiqni edhe në

Opinione

20 vjet pa ty Komandant Drini!

20 vjet pa ty Komandant Drini!

Nga Bledi Filipi

“vitet shkojnë e brezat rriten,

kthehet prapë soji në soj,

shtrati lumit s’thahet kurrë,

te ka rrjedhur do të pikoj…”

"Eh! …kalojnë vitet si pa kuptuar dhe koha rrjedh si uji i lumit, i cili shkon me furi për t’u përplasur në det. Deti ka një të veçantë, që çdo papastërti i nxjerr në breg që ta shohin të gjithë, por duhet kohë pasi ai e nxjerr në momentin dhe kohën e duhur!’’

Ndërsa nis të shkruaj këtë shkrim, duart fillojnë të më dridhen e gishtat përplasen me forcë mbi tastierë, sikur thua ata e kanë të fshehtën brenda e s’duan ta nxjerrin! Koha, ajo di t’i rregulloj më së miri gjërat ashtu siç janë. Ne si komb kemi një të keqe të madhe, e cila na ka prerë zemrën e copëtuar në pjesë: e shkuara!

Secili nga ne, kushdo që i thotë vetes shqiptar, duhet ta shkruajë dhe ta tregojë ashtu siç është dhe siç duhet historinë. Kombi ynë ka qenë i shtypur nga të tjerët, më konkretisht nga fqinjët të cilët na sakatuan.

Por vendit tonë s’i kanë munguar trimat në kohë e situata të ndryshme. Gjaku i derdhur ka larë çdo cep të këtij trualli. Por, në momentet kur çdo vend gëzonte liri, një pjesë e shenjtë e trungut amë vuante nga shtypja e serbit. Evropa bënte sehir! Por kombit s’i kanë munguar trimat, si kanë ndarë kufijtë e pabesive të fuqive të mëdha: por i kanë lidhur edhe më shumë! Kjo iu dëshmua botës me luftën e shenjtë të UÇK-së, ku iu bashkuan edhe bij nga trungu amë.

Kanë dashur të hedhin baltë mbi UÇK-në , por s’ja kanë arritur dot, kjo sepse në radhët e saj ka pasur persona me horizont, maturi, zgjuarsi dhe trimëri. Ata ishin të shumtë, porse njërit mbi të gjithë ia kemi borxh më shumë: strategut dhe poliglotit, Komandatit Drin! Se është ndër ta që emri i është gdhendur me gërma të arta në Historinë e Kombit.

Është personaliteti që bëri të dëgjohej zëri i një populli, jo vetëm për trimëri, por edhe për zgjuarsi. Njohës i shkëlqyer i shumë gjuhëve të huaja. Ishte një shkëmb që s’e fashitën stuhitë, por do ta shkatërronin pabesitë e tradhtarëve. Atyre që, sado nuk e thonë të vërtetën si qëndron , do t’i bëjë koha të flasin. Koha është shëruesja e çdo plage që pikon gjak…

E afërt do të jetë dita kur çdo gjë do dalë në dritë dhe pabesitë e të pabesët do të mbulohen nga tymi i pluhurit të zi.

U mbushën plot 20 vite që Komandant Drini fle në gjumin e përjetësisë, duke i qëndruar mbi krye flamuri dhe për mburojë shqipja dykrenare.

Vitet ndoshta kalojnë, por kujtimet mbeten të freskëta, tek ata që e njohën , dëgjuan a lexuan për të. U rreshtua me trimat për të përmbushur amanetin e të parëve. Ishte syri i UÇK-së , i kujdesshëm dhe i gjendur tek ata të cilët ishin të rinj në radhët e ushtrisë, i sugjeronte dhe mësonte.

Ekrem Rexha kishte premisa për më tej e më lartë, pasi e meritonte, ndaj edhe dora gjakatare do t’ja shuante ëndrrat. Kishte pikëpamjet e e tij që i mrojti me fanatizëm edhe pas lufte. Ishin ato pikpamje e ndjenja që gëlojnë tek çdo person që i thotë vetes shqiptar! I brumosur qysh në fëmijëri në familjen e tij të nderuar për atdhedashuri dhe ndershmëri, ai ashtu do të qendronte deri në frymën e fundit. Krijoi familje me bashkëshorten e tij zonjë, do të shihte lindjen e Drinit, por do të shkonte pa parë ardhjen në jetë të Ekit…

Vdekja është bashkëudhëtare me njeriun, ajo ecën me të paralelisht, por vdekja e komandantit qe e papritur dhe e stisur nga tradhtarë!

Komandant Drini, i cili nuk e mendonte se dikur, në një moment kur Kosova do të ishte e lirë, një dorë do ta shuante ëndrrën e tij...

Pse? Pse duhet të ndodhte kështu? Mos vallë nga kjo ikje do të fashitesh fara e soji i tradhtarëve dhe do të ngrihej lartë figura e atdhetarëve?!

Kush nuk e kishte zili poliglotin Drin?! Madje thonë se dhe vdekja ogurëzezë i lakmon trimat dhe të diturit!

‘’Ti o miku im kur po udhëtoje,

Për vdekjen kurrë nuk e mendoje,

Ajo nga zilija sa nuk tërboji,

E me krisma arme jetën ta gllabëroj.

Terri qiellin e tokën mbuloj,

Mali tund kryjet s’mundi të duroj,

Deti me dallgë nisi të gjëmoj,

E shqipja me klithmë ,

Dorën tradhëtare mallkoj’’

Llumi dhe terri që vin rreth e rrotull Kosovës së sapoçliruar po bënin llogaritë e tyre, se kush ishin personat që kishin influencë (pëlqim) në popull. Këta ishin të rrezikshëm për sojin e tradhtarëve të Kombit, për atë kasë që s’e donin Kosovën të pavarur dhe Shqipërinë të bashkuar.

Mund të thuhet se kjo kasë nisi të lulëzonte edhe brenda disa personave që mund të kishin qenë në radhët e UÇK-së dhe atyre pas çlirimi po i shtohej oreksi për karrierë. Jo për karrierë të pastër me frymë atdhetare, por me atë të frymës tradhtare. Skema e frymës serbomadhe po fillonte të bënte planet e saj, ata që s’i kishte vrarë plumbi i luftës, t’i eleminonte në formë tjetër.

Ata tradhtarët, i friksoheshin edhe më shumë Komandantit Drin, sepse emri i tij dhe i familjes ishte i lidhur ngushtë me fatet e kombit, porse kjo tanimë ishte dyfishuar qysh me lidhjen e martesës te familja e nderuar dhe kjo tepër e lidhur me çështjen kombëtare familja: Millaku.

Kështu kishte filluar realizimi i skemës së asgjesimit... Ata e dinin se çdo të ndodhte kur Kosova të ishte e pavarur. E dinin se elita si Komandant Drini nuk do të lejonte të lulëzonte e të ngjitej në poste drejtuese ndonjë bashkëpunëtor, i cili do të punonte për llogarinë e serbomëdhenjëve. Plani po stisej. Nuk mund të pritej më! Duhej mbyllur goja e atyre që ngrenë zërin për begatinë e kombit . Po a mund të zihet Dielli?! Jo! Kurrë! A mund të ndalet lumi?

Edhe zëri i ëmbël i Komandantit Drin s’u ndal. Ai thirri për çështjen e pavarësië, gjë që i vriste veshin tradhtarëve. Urdhëri ishte dhënë!

Herët në mëngjes

Dole te jallia,

Nga dora tradhtare

T’u prish bukuria,

Ah moj re e zezë,

Që na zure Diellë,

Pse ma vrave zemrën,

Ç’lloji paskam nxjerrë!

Komandanti legjendar ishte shuar. Ishte shuar pranë shtëpisë nga dora e pabesisë... Por ai s’po vdiste, jo: sepse ai është nga ai lloji siç thonë vargjet:

"se trimat me zemër burri,

Do të rrojnë sa rron Flamuri’’

U largua duke lënë pas Drinin, birin e tij të dashur dhe bashkëshorten shtatëzënë...

Perdja e zezë mbuloj mbarë Kombin!

Të gjithë ata që i thonë vetes shqiptar dhe ata që e duan atë Shqipëri që donte edhe Komandant Drinin, gulçonin.

Por kjo vrasje makabre, veç dhembjes, solli edhe një anë pozitive, atë të ndrërgjegjësimit dhe vigjilencës, duke i kujtuar cilitdo se tradhtia ekziston! E kjo e keqe duhej zhdukur nga rrënjët.

Largimi i strategut mbolli dhimbje te cilido që e njohu e luftoi me të. Kanë kaluar njëzet vjet, e plaga ende pikon gjak. Pikon atë lloj gjaku që kërkon drejtësi çdo ditë e më shumë!

Dihet që kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze, por prapë duhet zbardhur.

Drejtësia vendore dhe ndërkombëtare ka dështuar në gjetjen e vrasësve. Pse? A mund të themi që kjo mbetet pyetje retorike apo ashtu duhet thënë?! Familjarët prindërit, vëllezërit bashkëshortja e fëmijët ua kanë lënë në dorë drejtësisë. Por deri kur do të presin?! Iku në një çast kur se pandehte, në momentin kur po dilte për të shkuar në punë.

Për zbardhjen e kësaj çështje janë mbajtur disa procese gjyqësore, por në mungesë provash, të ndaluarit janë liruar. Kush fshihet pas kësaj stisjeje?! Deri kur do të pritet?! Proceset për zbardhjen e ngjarjes janë zhvendosur nga Prizreni në Prishtinë. Shkalla e dytë e Gjykatës e prishi aktgjykimin e Prizrenit: “mungesë provash’’ sërish. Të gjithë jemi në pritje, ne simpatizantët e këtij strategu, por edhe familjarët: të cilët e kanë thënë dhe e thonë se duan që këtë çështje ta zgjidhë drejtësia e Kosovës. Për këdo e rëndësishme është të zbardhet e vërteta!

Presidenti i Kosovës i ka dekoruar bashkëshorten dhe djemtë e komandantit, por dekorata më e madhe do të jetë zbardhja e të vërtetës.

Thonë se e vërteta vonon, por nuk harron! Thonë se e vërteta zhytet, por nuk mbytet! Në këtë njëzet vjetor janë planifikuar një sërë aktivitetesh për komandant Drinin, si akademi përkujtimore, dokumentarë por familjarët dhe miqtë e Drinit më shumë se kurrë kërkojnë që drejtësia të zgjohet nga gjumi!/dritare.net