Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nuk është as nder, as turp të jesh Hermafrodit, Bledi Mane. Thjesht je.

Nuk është as nder, as turp të jesh Hermafrodit, Bledi Mane.
Nga Luna Ruvina

Në zhurmën e madhe bërë së fundmi për ca shkëmbime mesazhesh mes një personi që u trumbetua me të madhe se ishte Grida Duma, deputete e komentuar më shumë për hiret se sa për zotësinë e saj si politikaneje dhe deputetit Salianji të PD-së, lexova edhe një shkrim të Bledi Manes. Më pëlqejnë shumë gjëra në shkrimet e tij, sidomos mungesa e komplekseve, të qenit i drejtpërdrejtë dhe guximi. Veç një gjë nuk më pëlqeu. Mane përdorte fjalën hermafrodit si sharje në këtë rast dhe kjo është e padrejtë.

Trashë-trashë, hermafrodit do të thotë 'njeri që lind me të dyja organet gjenitale në trup". Një shoqja ime pediatre në një rreth jugor më ka habitur një herë kur më ka thënë "Ah, ka shumë më shumë fëmijë se sa dihen që lindin me atë gjendje, por prindërve të shkretë u vjen turp dhe e mbajnë sekret". Kam dëgjuar për pak raste këtu tek ne, kur në moshë adoleshence, këtyre fëmijëve dhe prindërve të tyre iu është dashur të ndryshojnë edhe emrin, nga emër djali në emër vajze për shembull ose e kundërta, pasi fëmija ka shfaqur më qartë ose ka zgjedhur përfundimisht nëse do të vazhdojë të jetojë si djalë apo si vajzë.

Ta shash dikë 'hermafrodit' është njësoj si ta shash 'femër', 'mashkull', 'shqiptar', 'kinez', apo 'fshatar'. Nuk është meritë jona ku lindim. Nuk është meritë e 'tironsve' për shembull që prindërit apo gjyshërit e tyre erdhën apo u lindën këtu, por as turp për atë që vjen nga një fshat që s'ia ka dëgjuar njeri emrin. Ky është thjesht fat, i mirë ose i keq. Në do njeri të hahet me fatin, ky është i zoti apo e zonja e punës. Ty dhe mua s'duhet të na hyjë në punë.

Kërkoju falje hermafroditëve, Bledi Mane, siç e ke bërë me të tjerë që ke marrë si referencë kur të është dashur të bësh krahasime.

E prapëseprapë, shkrimet e tua më pëlqejnë dhe e di se do jesh dakord me mua. Pres me qejf të lexoj shkrimin tënd të radhës!/Dritare.net