
Një ngjarje për të reflektuar në këtë trazirë që po përjetojmë të gjithë!
Dritare.net

Nga Denisa Daka
Më 13 maj 1981, Gjon Pali II do të goditej me dy plumba nga pistoleta e Ali Agçait, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.
Plumbi, që pati përshkuar kraharorin e që mund edhe ta kishte vrarë, tani është ngërthyer në kurorën e shtatores së Virgjërës së Fatimës.
Atë ditë Papa Wojtila do të jepte dy njoftime të rëndësishme gjatë audiencës së përgjithshme për të vënë në qendër të vëmendjes problemet emergjente familjare: lindjen e Këshillit Papnor për Familjen dhe të Institutit të Studimeve për Martesën dhe Familjen. Atentati e pengoi.
Papa Gjon Pali II u qëllua gjatë audiencës së përgjithshme.
Është ende i gjallë kujtimi i emocionit të mbarë njerëzimit, dëshmitar në një histori faljeje, misteri e devocioni të madh.
Kjo ngjarje pati jehonë të fuqishme mediatike, duke lënë në kujtesën kolektive gjurmët e pashlyeshme të një Pape të plagosur për vdekje, ngjarje e cila u lidh më pas dhe me historinë e një faljeje të jashtëzakonshme nga ana e tij.
Dy relikte, të pazakonshme për një Kryebari të Kishës, tashmë Shenjtë, dëshmojnë ende sot për ngjarjen që ndodhi atë ditë, kur një plumb tinëzar u nis papritmas drejt zemrës së Gjon Palit II. Fasha e shpuar nga ky plumb i kalibrit nëntë ndodhet sot në Shenjtëroren e Jasna Gorës. Ndërsa vetë plumbi i cili, nga mjet i vdekjes, u kthye në dhuratë të kushtuar, u ngërthye në kurorën e Zojës së Fatimës.
Papa i ri, që kishte shkelur gjysmën e botës, po vdiste në poliklinikën "Gjemeli" të Romës. Pesë orë agonie edhe për kishën e për botën, u shndërruan më pas në shpresë e në pritje të rikthimit të Atit të Shenjtë Wojtila në gjirin e Kishës.
Vetëm katër ditë më pas, të dielën, më 17 maj 1981, duke kapërcyer rregullat e protokolleve shekullore, Papa kërkoi një mikrofon dhe tha lutjen e Engjëllit të Tënzot nga krevati i spitalit.
Gjëja e parë që bëri, ishte të falte Ali Agçanë, turkun 22-vjeçar, dora e të cilit e çoi në grykë të varrit...
“Lutem për vëllanë që më qëlloi, të cilin e kam falur me gjithë zemër!"/dritare.net

















