Zgjedhjet në Kosovë/ Kurti drejt formimit të qeverisë i vetëm! Sot numërohet diaspora!
Dritare.net

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur një fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura të dielën, më 28 dhjetor. Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja ka marrë rreth 49 për qind të votave, mbi 429 mijë vota, duke shënuar rritjen më të madhe krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti, kur kishte fituar 42,30 për qind ose rreth 397 mijë vota.
Ky rezultat i mundëson Vetëvendosjes ta formojë e vetme qeverinë, me mbështetjen e komuniteteve joshumicë joserbe, pa pasur nevojë për koalicione me partitë shqiptare opozitare. Rezultatet nuk përfshijnë ende votat nga diaspora, votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Ndërkohë ende për tu numëruar janë votat me postë, ato me nevoja të veçanta dhe votat me kusht, e më pas do të shpallen rezultatet përfundimtare. Kreu i KQZ Kreshnik Radoniqi deklaroi se sot do të nisë numërimi i votave të kandidatëve dhe konfirmimi i votave për subjektet politike.
Rezultatet e partive politike
Në vendin e dytë është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,16 për qind të votave ose 178 mijë e 422 vota, një rritje e lehtë prej rreth 1 për qind krahasuar me zgjedhjet e shkurtit.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka pësuar rënien më të madhe, duke zbritur në 13,79 për qind të votave ose 116 mijë e 224 vota, nga 18,27 për qind sa kishte në zgjedhjet e fillimvitit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor me 5,74 për qind ose 48 mijë e 416 vota. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate ka mbetur nën prag me vetëm 1,72 për qind të votave.
Lista Serbe ka deklaruar se ka siguruar të gjitha 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb. Kryetari i saj, Zllatan Ellek, ka thënë se Lista Serbe ka marrë rreth 90 për qind të votave të komunitetit serb. Partia e Nenad Rashiqit ka marrë 4 mijë e 388 vota, mbi 11 për qind të votave të komunitetit serb, duke siguruar një ulëse në Kuvend, ashtu si në zgjedhjet e shkurtit.
Shpërndarja e mandateve në Kuvend
Sipas përllogaritjeve me formulën “D’Hondt”, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 56 mandate në Kuvend, tetë më shumë se në legjislaturën e kaluar.
PDK-ja ka 23 ulëse, LDK-ja 15 ulëse, ndërsa AAK-ja 6 ulëse. Kjo përllogaritje nuk përfshin ende votat me postë dhe ato nga përfaqësitë diplomatike.
Në total, Kuvendi ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë: 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera. Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe votimin e qeverisë nevojiten së paku 61 vota.
Vetëvendosje fiton në shumicën e komunave
LVV-ja ka dalë forcë e parë në 24 komuna të vendit, përfshirë edhe bastione tradicionale të opozitës, si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani, Gjakova, Ferizaj, Mitrovica e Jugut dhe Podujeva.
PDK-ja ka fituar në Drenas dhe Skenderaj, AAK-ja në Deçan, ndërsa KDPT-ja në Mamushë.
Pjesëmarrja në zgjedhje dhe procesi zgjedhor
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë votuar 899 mijë e 521 qytetarë brenda Kosovës, pa përfshirë diasporën dhe votat me kusht, që përkthehet në një pjesëmarrje prej 44,59 për qind. Procesi është zhvilluar kryesisht qetë, me disa parregullsi teknike dhe procedurale, përfshirë ndërprerje të energjisë elektrike në disa qendra votimi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë iniciuar pesë raste penale që lidhen me cenimin e procesit zgjedhor, por pa incidente serioze që do ta cenonin integritetin e zgjedhjeve.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka cilësuar fitoren si më të madhen në historinë e Kosovës. Ai ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do të krijohen shpejt institucionet dhe ka ftuar opozitën për bashkëpunim në Kuvend, sidomos për marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Kurti ka theksuar se Kosova e pret Plani i Rritjes i BE-së me vlerë 880 milionë euro dhe marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë euro.
Reagimet nga opozita
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë përgjegjësinë për rezultatin dhe nuk e ka përjashtuar dorëheqjen, duke paralajmëruar mbledhje të Kuvendit të partisë për reflektim. Ai ka uruar Albin Kurtin për fitoren.
Nga PDK-ja nuk pati deklarime zyrtare pas rezultateve, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme për bashkëpunim opozitar.
Zgjedhjet në vëmendjen ndërkombëtare
Zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë qenë në fokus edhe të mediave ndërkombëtare si “Associated Press”, “Reuters”, “The Guardian” dhe “Washington Post”, të cilat i kanë cilësuar ato si përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik njëvjeçar në Kosovë.