
Vaksina e tuberkulozit të mbron nga koronavirusi? Ja çfarë thonë ekspertët!
Dritare.net
Vaksina kundër tuberkulozit mund të ndihmojë sistemin imunitar për të luftuar koronavirusin apo edhe të ndihmojë në parandalimin e infektimit.
Studiuesit janë duke testuar këtë vaksinë shekullore për të parë nëse mund të sigurojë mbrojtje ndaj COVID-19. Sipas “Forbes”, testet klinike të vaksinës Bacille Calmette-Guerin (BCG), e cila u aplikua për herë të parë në fillim të viteve 1920, janë planifikuar në Europë dhe Australi për të parë nëse mund të ndihmojë në uljen e prevalencës dhe ashpërsisë së simptomave COVID-19.
Në vendin tonë, sipas Shefes së Shërbimit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik , Silva Bino vaksina kundër tuberkulozit ka nisur të aplikohet që prej viteve 1960 dhe vijon edhe aktualisht. Kjo do të thotë, se të gjithë të lindurit në këtë fashë, pra nga viti 1960 e deri më sot e kanë kryer vaksinën e tuberkulozit. Për të sapolindurit ajo kryhet në maternitet dhe është vaksina e parë që kryhet pas ardhjes në jetë.
Lidhur me rolin që kjo vaksinë ka në parandalimin e koronavirusit apo në një përgjigje më të mirë të sistemit imunitar tek ata që janë të infektuar, Bino thotë se është ende herët për të ndalur në një konkluzion. Mbetet për t’u parë rezultatet e studimeve që kanë nisur të kryhen fillimisht në radhët e personelit mjekësor për të cilët ka nisur edhe vaksinimi. Italia dhe Shtetet e Bashkuara, dy nga vendet e goditura më shumë nga pandemia, nuk kanë politika universale vaksinimi BCG.
“Ne zbuluam se kishte një ulje të numrit të vdekjeve që i atribuohen COVID-19 për milion banorë në vendet që kanë vaksinime universale BCG krahasim me vendet, që nuk krijuan kurrë një politikë të tillë. Sa më parë vendosja e një politike të tillë, aq më e fortë është ulja e vdekshmërisë, në përputhje me një mbrojtje ndaj popullatës së moshuar, e cila preket më rëndë nga COVID-19”, shkruan “Forbes”. Në vendin tonë, referuar të dhënave zyrtare, janë konfirmuar 259 të prekur nga koronavirusi.
“Deri në këto momente janë testuar 1823 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 259 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç. Numri i personave që kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri është 15. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 79 të shtruar”./panorama

















