
Studiuesi Ylli Rugova: Zbardhen enigmat e Mesharit të Gjon Buzukut!
Dritare.net
Meshari i Gjon Buzukut është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë liturgjik në gjuhën shqipe, botuar në 1555-ën. Libri u përkthye nga prifti Gjon Buzuku në vitet 1554-1555, nga italishtja dhe latinishtja dhe ka qenë i destinuar për t’u përdorur nga priftërinjtë që vepronin në trojet shqiptare, gjatë shërbesave të tyre. Studiuesi i tipografisë dhe alfabetit të shqipes Ylli Rugova ka studiuar më tej për të zbuluar enigmat që rrethojnë Mesharin dhe Gjon Buzukun. Rugova ka shkruar edhe një libër “Tipografia e shqipes 1555-1912”, në të cilin zbardhen edhe disa fakte që nuk janë bërë të ditura më parë për Mesharin e Buzukut. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv studiuesi thotë se ka dëshmi që vendi ku u shtyp Meshari i Buzukut është në Venedik, një gjurmë që përforcohet edhe nga studime të tjera si ajo e studiueses italiane Lucia Nadin dhe libra të tjerë që janë në Venedik.
“Gjatë studimit të Mesharit të Gjon Buzukut kam hasur disa çështje për të cilat nuk kam qenë i vetëdijshëm më parë. Një prej tyre ka të bëjë me faktin që Meshari i Buzukut nuk dihet se ku është shtypur. Kemi pak informata edhe për Gjon Buzukun. Të vetmet informata vijnë prej përshkrimit që ka libri në faqen e fundit. Askund tjetër nëpër arkiva nuk kemi gjë prej këtij personaliteti. Kjo ka qenë një intrigë shumë e madhe. Mua më është dukur e pamundur që mos gjejmë asgjë prej këtij libri kaq misterioz. Kam nisur t’i kërkoj këto iniciale edhe nëpër librat e tjerë. Kam kuptuar që ky studim është bërë më parë prej profesoreshës Lucia Nadin në Venedik. Ka qenë ndihmesë e madhe kur kam gjetur punën e saj sepse ka qenë shumë më e lehtë që të vazhdoj tutje. Kemi gjetur edhe iniciale të tjera përveç atyre që ka gjetur zonja Nadin, të cilat mund të identifikohen në libra të tjerë që janë në Venedik. Kështu mund të vërtetohet në një farë mënyre se punishtja e Mesharit të Buzukut ka qenë në Venedik. Ka pasur sinjale edhe më parë. Historianët dhe hulumtuesit kanë pasur idenë se mund të ishte diku në Venedik. Tashmë në dëshmitë e fundit thuhet se Venediku ka qenë patjetër vendi ku është shtypur Meshari. Kjo do të thotë që ka shumë pak hapësirë për të dyshuar që ka qenë në Venedik sepse disa prej këtyre inicialeve janë gjetur edhe në libra të tjerë të Venedikut, jo në qytete të tjera, Napoli apo Romë. Mund të kemi një ide mbi vendin. Vetë punishtja mbetet e pasqaruar tërësisht. Janë disa emra që qarkullojnë që mund të kenë qenë tipografët që janë marrë me Mesharin, një prej tyre është edhe punishtja e familjes Skoto, që në vitin 1542 ka një libër ku përdoren inicialet e Mesharit. Kjo është periudha më e afërt me Mesharin. Një prej çështjeve që është më intriguese sa i përkeq Mesharit të Buzukut është identiteti i autorit, Gjon Buzuku, për të cilin nuk kemi fare të dhëna arkivore. Ato nuk janë gjetur deri tani edhe pse libri është zbuluar dhe studiuar. Me këtë rast u bëj një apel edhe studiuesve të tjerë që të vazhdojnë të merren me këtë çështje sepse jam i sigurt se ato të dhëna në Venedik mund të gjendjen. Në këtë drejtim i kam gjetur ca të dhëna në Padova, por janë në pikëpyetje. Në vitin 1567 figuron në Padova një doktorant me emrin Johan Buzuqio, pra Gjon Buzuku, por aty thotë që është biri i një Martini, që do të thotë që babai i tij e ka pasur emrin Martin dhe kjo e vë në pikëpyetje këtë çështje sepse në pasthënie Buzuku thotë se i ati quhej Dek. Prandaj kërkon kërkime të tjera kjo çështje. Por është një gjurmë që mund të ndiqet në të ardhmen.”, thotë studiuesi Ylli Rugova në DritareTV./K.C/dritare.net

















