
Sot kujtojmë lindjen e albanologut Robert Elsie!
Dritare.net

Më 29 qershor 1950, lindi në Vankuver (Kanada) Robert Elsie, albanolog, përkthyes e shkrimtar. Studimet për gjuhësi dhe filologji klasike i kreu në Universitetin e Kolumbisë Britanike dhe studimet pasuniversitare i vazhdoi në Berlin, në Paris, në Dublin dhe Bon, ku mbrojti doktoratën për gjuhësi krahasimtare dhe keltologji (1978). U specializua për albanologji.
Botoi një libër për historinë e letërsisë shqiptare (1995), fjalorin historik të Shqipërisë (2004) dhe të Kosovës (2004) në anglisht, fjalorin e religjionit, të mitologjisë dhe të folklorit shqiptar (2001) në anglisht dhe gjermanisht. Në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck ka përkthyer “Lahutën e Malcis” të Fishtës në anglisht, më 2005, ndërsa ka botuar në gjermanisht Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Më 1997 botoi antologjinë me shkrime për Kosovën “Kosova: Në zemër të fuqisë së barotit” (Kosovo: In the Heart of the Powder Keg), dhe më pas përmbledhjen “Stuhi në horizont: Rrënjët e spastrimit etnik në Kosovë dhe Maqedoni, dokumente të fillimit të shekullit të njëzetë” (Gathering Clouds: The Roots of Ethnic Cleansing in Kosovo and Macedonia, Early Twentieth Century Documents). Në fushën e fotografisë, më 2007-n botoi dy albume të mëdha.
Kontributi i Elsit për promovimin ndërkombëtar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare ka marrë dimension modern, përmes faqeve të tij të internetit, ku, përveç teksteve dhe dokumenteve të historisë shqiptare, gjenden regjistrime zanore të më shumë se 150 të folmeve të shqipes dhe zërat e disa figurave të njohura shqiptare të së kaluarës. Ky format elektronik ofron koleksionin më të madh të letërsisë shqiptare përkthyer në anglisht, si dhe koleksione të hershme fotografike nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe prezantimin e artit pamor shqiptar.
Një nga intervistat e tij më të rralla dhe më prekëse është ajo me gazetaren Rudina Xhunga, ku Elsie shprehu lidhjen e thellë shpirtërore me Shqipërinë:
“Unë e dua këtë vend. Nuk është vendi im i lindjes, por është vendi i zemrës sime. Shqipëria më ka dhënë një qëllim dhe një dashuri që nuk e kisha gjetur askund tjetër.”
Në këtë intervistë ai foli për rrugëtimin e tij si albanolog, për zbulimin e thesareve të letërsisë shqipe dhe për dëshirën që shqiptarët të njihnin më mirë vetveten përmes gjuhës dhe historisë së tyre.
Robert Elsie ndërroi jetë në vitin 2017. Sipas amanetit të tij, u varros në Shqipëri, në tokën për të cilën dha aq shumë nga jeta, dija dhe dashuria e tij./ Dritare.net

















