Sot ditëlindja, 10 vite Dritare.net dhe 5 vite Dritare TV
Dritare.net

Sot është një dita jonë e lindjes.
10 vite Dritare.net dhe 5 vite Dritare TV.
Dy përvjetorë që në letër duken si numra, por në jetën tonë janë ditë pa pushim, mësim si të shkruajme lajme, emisione të xhiruara me shpejtësinë e një kohe të çmendur, por edhe momente krenarie që s’i zëvendëson asgjë.
Kur nisi Dritare.net, ideja ishte e thjeshtë: të hapnim një dritare ku të shkruanim ashtu siç e shihnim botën: herë me zemër, herë me inat, herë me qetësi, por gjithmonë me të vërtetë.
Pastaj erdhi Dritare TV — jo vetem si update, por si domosdoshmëri. Sepse fjala ndonjëherë nuk mjafton vetëm e shkruar; duhet fytyrë, zë, sy, ritëm, pyetje, përballje. Duhej një ekran ku njeriu të ndjehej i dëgjuar, edhe kur nuk është i famshëm, edhe kur nuk ka pushtet.
Në këto vite kemi folur për gjithçka: politikë, shoqëri, dhimbje, histori, emigracion, familje, sukses, shendet, shpresë. Kemi takuar njerëz që s’i ftonte askush dhe kemi hapur tema që shumëkush i shmangte. Kemi bërë gabime, kemi mësuar, kemi rënë dhe jemi ngritur, por një gjë s’e kemi lëshuar kurrë: besimin se media duhet t’i shërbejë njeriut, jo ta përdorë atë.
Sot, kur shohim pas, kuptojmë se Dritare nuk është vetëm një faqe dhe një kanal. Është një komunitet. Një marrëdhënie. Një besim që është ndërtuar pak nga pak, me punë, me këmbëngulje dhe me një lloj kokëfortësie që vetëm ata e kanë që besojnë vërtet në atë që bëjnë.
Falënderimi i parë shkon për lexuesit dhe shikuesit, që na kanë mbajtur gjallë me klikimin, komentin, kritikën, shpërndarjen, por mbi të gjitha me praninë. Falënderimi shkon për ekipin, për çdo njeri që ka dhënë orë, ide, energji dhe durim për të ngritur një media që shpesh bëhet me zemër më shumë se me buxhet.
Dhe po: nuk ka qenë e lehtë. Por ndoshta pikërisht pse nuk ka qenë e lehtë, ka qenë e vërtetë.
Sot nuk festojmë thjesht vitet që kaluan. Festojmë faktin që Dritare ende hapet, çdo ditë. Dhe sa herë hapet, është një akt i vogël lirie.
10 vite Dritare.net. 5 vite Dritare TV.
Një rrugë e gjatë. Dhe ende në fillim. / dritare.net