
Skemat piramidale, Braçe: Prej 5 ditësh paratë e qytetarëve janë të bllokuara!
Dritare.net

Deputeti Erion Braçe ka bërë një tjetër status të fortë publik, duke nxjerrë në dritë krizën që po kalojnë mijëra shqiptarë të përfshirë në skemat piramidale online, konkretisht në platformën XUEX, e cila prej 5 ditësh ka bllokuar tërheqjen e parave.
Lexo edhe :
Braçe thekson se prej 120 orësh, pra 5 ditësh, përdoruesit nuk kanë mundësi të tërheqin fondet e tyre nga skema piramidale XUEX.
Ai kujton edhe premtimin e bërë nga personazhi i njohur me emrin "Leo Smith" i cili sipas mesazheve të publikuara nga Braçe në Telegram, ishte zotuar të ndërtonte një “bllok-program” të ri që do t’u mundësonte tërheqjen e parave, por ky premtim nuk është përmbushur.
Lexo edhe:
“ASGJE NUK KA NDODHUR! JU KENI 5 DITE PA MUNDESINE PER TE TERHEQUR PARATE TUAJA!” – shkruan Braçe, duke paralajmëruar se kjo është mënyra si veprojnë skemat piramidale.
Kush është përgjegjës për paratë e bllokuara?
Braçe sqaron se as ai dhe as kush tjetër nuk ka fuqinë apo mundësinë për të lejuar tërheqjen e parave të investuara nga qytetarët. Përgjegjësinë e mbajnë vetë pronarët e skemës, konkretisht personazhet dhe platforma që kontrollojnë këtë skemë:
“Leo Smith” figura kyçe në këto mashtrime, i cili në mesazhet e Telegram-it bën premtime të kota
Platforma XUEX
“Joana” dhe grupi i tyre EG (Executive Group)
Agjentët lokalë që bashkëpunojnë me pronarët e skemës
Sipas Braçes, këta janë “zotëruesit e platformës piramidale dhe parave tuaja”, dhe asnjë tjetër nuk mund të ndërhyjë për të kthyer fondet.
Deputeti i PS bën apel të qartë për të gjithë viktimat:
“DENONCONI PRANE AUTORITETEVE GRABITJEN E PARAVE TUAJA, SIC QYTETARET EVROPIANE BENE PRANE AUTORITEVE TE TYRE PËR CALL CENTERat ME BAZË NË SHQIPËRI QË I GRABISNIN.”
Ai u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të bashkëpunojnë me organet ndërkombëtare për të ndjekur dhe gjurmuar pronarët e këtyre skemave piramidale, të cilët po vazhdojnë të grabisin qytetarët.
Braçe paralajmëron se në këtë mënyrë do të shpëtohen shumë qytetarë dhe do të dërgohet një mesazh i qartë se mashtrimet financiare nuk do të tolerohen.
Skemat piramidale online, një fenomen shqetësues
Erion Braçe ka denoncuar shpesh këto skema, duke publikuar prova dhe mesazhe nga grupet e Telegram-it ku organizatorët premtojnë kthime të mëdha financiare dhe justifikojnë vonesat me sulme “hakerësh”.
Si funksionojnë këto skema?
Skemat piramidale online kërkojnë nga përdoruesit të investojnë fonde me premtimin se do përfitojnë përmes referimeve dhe rritjes së numrit të anëtarëve. Në fakt, paratë e investuara përdoren për të paguar fitimet e anëtarëve më të vjetër, duke krijuar një piramidë që në fund shembet kur nuk mund të sigurojë më likuiditet për tërheqjet.
Në rastin e XUEX, depozita minimale fillon nga 1,000 euro, dhe shpesh përdoruesit detyrohen të ftojnë anëtarë të rinj për të mundësuar tërheqjen e parave.
Erion Braçe u bën thirrje qytetarëve që janë përfshirë në këto skema të mos bien viktimë e mashtrimeve të mëtejshme dhe t’i drejtohen autoriteteve për të bërë kallëzime.
Në mënyrë që të bllokohen dhe goditen këto skema, bashkëpunimi me policinë, SPAK, AKSK, AKEP dhe institucionet ndërkombëtare është thelbësor.
View this post on Instagram

















