Si ishte Ibrahim Rugova në shkollën e fshatit! Tregon bashkëfshatari
Dritare.net

Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, drejtuesi i Besi Farmers në Istog, Smajli Haskaj, ka ndarë kujtime dhe vlerësime personale për ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me të cilin thotë se ka pasur njohje familjare dhe fqinjësi të afërt në fshat.
Haskaj kujtoi se familjet e tyre kanë jetuar shumë pranë njëra-tjetrës dhe se njohja me Rugovën daton që nga fëmijëria.
“Katër vjet para meje ka qenë Rugova. Shtëpitë i kemi pasur shumë afër, 300–400 metra larg,” u shpreh ai, duke theksuar se e njihte nga afër si fëmijë dhe si familje.
Ai e përshkroi Rugovën si një figurë të veçantë dhe të rrallë:
“Ka qenë njeri i veçantë, lind një si ai një herë në 100 vjet. Njeri i mençur, i qetë dhe shumë i kulturuar.”
Sipas tij, Rugova që në moshë të re ka shfaqur dashuri për librin dhe dijen, ndërsa më vonë është larguar nga fshati për studime në qytete si Peja dhe Prishtina.
Haskaj tha gjithashtu se lidhja e tij me familjen Rugova ka vazhduar edhe më pas, duke e cilësuar ish-presidentin si “mik shtëpie” dhe një figurë që, sipas tij, është vlerësuar jo vetëm në Kosovë, por edhe ndërkombëtarisht.
Ai shtoi se Rugova kishte rol të rëndësishëm edhe në periudhën para luftës, duke e përshkruar si një figurë qetësuese dhe me ndikim politik në zhvillimet e kohës.
Në fund të intervistës, Haskaj foli edhe për politikën në Shqipëri dhe Kosovë, duke bërë krahasime dhe duke shprehur mendime personale për liderë të ndryshëm, por thelbi i bisedës mbeti vlerësimi i tij për Ibrahim Rugovën si një figurë historike dhe të pazëvendësueshme për Kosovën./dritare.net