Simptomat e kancerit të zorrës së trashë. Dr. Ilir Kajo: Kujdes këto shenja!
Dritare.net

Kanceri është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në paretin e zorrës së trashë dhe duke u zhvilluar, prek gradualisht gjithë murin e saj dhe përhapet lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit. Për zbulimin e hershëm të kancerit në zorrë janë të favorshme dy metoda: kontrollimi i feçeve për prani gjaku (testi okult i gjakut;) dhe imazhi vizual i zorrëve (kolonoskopia).
Ilir Kajo mjek gastro-hepatolog i ftuar në Intervistën e Ditës në Dritare TV, tregoi disa nga shenjat që nuk duhet të anashkalohen dhe të jenë si alarm, për rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje.
“Kanceri i zorrës së trashë është një nga llojet e kancerave më të zakontë dhe më të shpeshtë. Ka një rrezikshmëri të lartë për jetën, ndaj duhet të dini disa simptoma që ju ndihmojnë ta identifikoni në faza të hershme.
Nga mosha 45 vjeç deri në moshën 70 vjeç duhet të bëjë kolonoskopi. Sepse në këtë moshë ky kancer ka më shumë gjasa të shfaqet, ndaj përmes kolonoskopisë, mund ta zbulosh në kohë.
Cilat janë simptomat?
Njeriu defekton një herë në 24 orë. Kjo është normalja. Por nëse ka një ndryshim në jashtëqitje, për shembull nëse një njeri në një afat kohor prej 5-6 vjetësh, defekton një herë në 2-3 ditë, apo e kundërta 2-3 herë në ditë, është një shenjë që tubi tretës nuk funksionon siç duhet.
Çdo rënie e pashpjegueshme në peshë nuk duhet anashkaluar. Anemi e pashpjeguar, pa nxjerrë gjak, e cila është përjashtuar nga mjekët si një anemi nga organet burimore formatuese të gjakut. Dhe kjo është një shenjë.
Çdo lloj temperature e pashpjegueshme, jo 39-40, por një temperaturë që është gjatë gjithë kohës 37 e gjysmë.
Shenja më alarmante është prezenca e gjakut në nevojë. Kjo është më alarmantja që çdo grup moshë nuk duhet ta anashkalojë”, u shpreh doktor Kajo në Dritare TV./L.F-dritare.net