Sigma merr çmimin prestigjioz nga Vienna Insurance Group
Dritare.net

Ka momente kur ndikimi në shoqëri shkon përtej treguesve financiarë dhe shndërrohet në diçka më njerëzore, më të ndjerë, përmes lidhjes dhe përgjegjësisë së përbashkët. Pikërisht në këtë dimension, Vienna Insurance Group (VIG) ka nderuar sërish Sigma VIG me çmimin prestigjioz Günter Geyer për kontribut social.
Ky çmim ka marrë emrin e Presidentit të Bordit Mbikëqyrës të Wiener Städtische Versicherungsverein dhe akordohet nga aksioneri kryesor i VIG për kompanitë e Grupit të cilat kanë dëshmuar angazhim të jashtëzakonshëm në fushën sociale. Është hera e dytë që Sigma VIG e fiton këtë çmim, duke reflektuar kështu që këto nuk janë aktivitete të izoluara, por një përkushtim i vazhdueshëm për të përcaktuar rolin dhe ndikimin e sigurimit në jetën e njerëzve.
Çmimi u dorëzua zyrtarisht nga anëtarë të Bordit të VIG për Bordin e Sigma VIG, në një ceremoni që bashkoi përfaqësues të medias, partnerë dhe anëtarë të komunitetit i cili qëndron në thelb të kësaj historie.

Kur kërkimi shkencor bashkohet me humanizmin
Ky rrugëtim nuk nisi në një sallë mbledhjesh, por nga një pyetje e thjeshtë: si mund të përmirësojmë cilësinë e jetës për të moshuarit, të cilët shpesh mbeten në periferi të vëmendjes së shoqërisë? Sigma VIG mbështeti iniciativën e Prof. Dr. Robert Çitozi dhe z. Klajdi Xhebexhiu nga Universiteti i Sporteve, Tiranë për zbatimin e programit të ushtrimeve ndërkombëtarisht të njohura Otago në një institucion publik të kujdesit për të moshuarit.
Ajo që pasoi ishte një transformim 12-javor i strukturuar me rigorozitet profesional dhe ndjeshmëri njerëzore. Njëzet e katër rezidentë u bënë pjesë e një ritmi të mirëprojektuar aktivitetesh, ku lëvizja dhe ndërveprimi u kthyen në elemente kyçe të përditshmërisë. Përgjatë 36 seancave, dita u riorganizua përmes ushtrimeve të lehta, shëtitjeve në natyrë dhe momenteve të muzikës dhe vallëzimit.

Në pamje të parë mund të dukej e thjeshtë, por në thelb bëhej fjalë për një ndërhyrje të strukturuar që adresonte një nga rreziqet më kritike në shëndetin e të moshuarve: humbjen e ekuilibrit dhe dëmtimet që rrjedhin prej saj, të cilat shpesh përcaktojnë cilësinë e jetës në moshë të thyer.
Në përfundim të programit, rezultatet ishin të qarta dhe të matshme. Ekuilibri fizik u përmirësua ndjeshëm, forca dhe qëndrueshmëria u rritën, duke sjellë me vete një ndjenjë të re besimi dhe autonomie. Megjithatë, ndikimi real tejkaloi dimensionin fiziologjik: u shtua e qeshura, u rrit komunikimi dhe u vu re një ndryshim i dukshëm në gjendjen emocionale, optimizmi dhe mënyra se si pjesëmarrësit u angazhuan jo vetëm me programin, por edhe me njëri-tjetrin. Lëvizja u shndërrua në një gjuhë që i lidhte me veten dhe me botën përreth.
Për një të ardhme të sigurt: Fuqizimi i brezit të ri përmes edukimit për sigurinë rrugore
Në partneritet me Kryqin e Kuq Shqiptar, ekipet tona u angazhuan në një fushatë ndërgjegjësimi për sigurinë rrugore, duke përforcuar angazhimin tonë strategjik për ndikim në shoqëri dhe parandalimin e rrezikut. E fokusuar tek fëmijët e moshës 7–13 vjeç, iniciativa u implementua në disa shkolla, duke kombinuar edukimin me ndërveprimin praktik për të promovuar sjellje të përgjegjshme që në fazat e hershme të zhvillimit të fëmijëve. Përmes një qasjeje dinamike që ndërthurte të mësuarit me elementë loje, nxënësit u njohën me parimet bazë të sigurisë rrugore, të mbështetura nga materiale informuese dhe demonstrime praktike të realizuara nga vullnetarë të Kryqit të Kuq dhe specialistë të sigurisë rrugore.

Programi përfshiu gjithashtu trajnime praktike të ndihmës së parë në skenarë aksidentesh, duke pajisur pjesëmarrësit e vegjël me njohuri bazë që nevojiten në raste të tilla. Angazhimi i lartë dhe entuziazmi i treguar si nga nxënësit ashtu edhe nga punonjësit tanë konfirmuan vlerën e prekshme të bashkëpunimit në ndërtimin e komuniteteve më të sigurta për të ardhmen.
Përtej mbështetjes financiare: Prania e stafit si vlera më e madhe
Roli i Sigma VIG nuk u kufizua në mbështetjen e projektit, por u integrua thellësisht në vetë zbatimin e tij. Në mënyrë domethënëse, punonjësit e Sigma VIG u bënë pjesë aktive e këtij rrugëtimi. Ajo që u krijua ishte një urë lidhëse ndërmjet brezave, ndërmjet qëllimit dhe veprimit, ndërmjet kujdesit dhe pranisë reale.
Nga perspektiva e Grupit, ky çmim konsolidon një vizion më të gjerë strategjik. “Me çmimin ‘Günter Geyer Award for Social Conscience’, i themeluar në vitin 2012, ne vendosim në mënyrë të qëllimshme në qendër të vëmendjes angazhimin social të kompanive të grupit tonë. Ky çmim vlerëson ata të cilët përmes iniciativave të tyre japin një kontribut të rëndësishëm për një shoqëri moderne dhe të dobishme. Përgëzoj ngrohtësisht Sigma për këtë arritje dhe falënderoj të gjithë ata që janë përfshirë në këto aktivitete për angazhimin e tyre dhe lidhjen e brezave në shoqërinë civile në Shqipëri”, u shpreh Robert Lasshofer, Kryetar i Bordit të Menaxhimit të Wiener Städtische Versicherungsverein, aksioneri kryesor i Vienna Insurance Group (VIG).

Një vlerësim që reflekton vazhdimësi
Marrja e çmimit Günter Geyer për herë të dytë e pozicionon Sigma VIG në një nivel të veçantë brenda Vienna Insurance Group (VIG): si një kompani që nuk e trajton përgjegjësinë sociale si një iniciativë të izoluar, por si një disiplinë të integruar në modelin e saj operacional.
“Ky vlerësim nuk është një pikë mbërritjeje, por një përgjegjësi,” u shpreh Klaidi Çitozi, CEO i Sigma VIG. “Ai na motivon të vazhdojmë të krijojmë ndikim që nuk është thjesht i matshëm, por realisht domethënës. Këto iniciativa reflektojnë bindjen tonë se parandalimi, edukimi dhe angazhimi komunitar janë shtylla thelbësore për krijimin e vlerës së qëndrueshme. Në thelb, sigurimi ka të bëjë me njerëzit: mbrojtjen e jetës, ndërtimin e mjediseve më të sigurta dhe kontributin në mirëqenien afatgjatë të komuniteteve të cilave ju shërbejmë.”
Duke përforcuar më tej perspektivën e Grupit, Christoph Rath, anëtar i Bordit Drejtues të Vienna Insurance Group, shtoi: “Dëshiroj të përgëzoj ngrohtësisht ekipin e Sigma për këtë çmim të merituar. Përmes iniciativave si projekti Otago, i cili synon përmirësimin e ekuilibrit dhe reduktimin e rrezikut të rrëzimeve tek të moshuarit, si dhe programeve të sigurisë rrugore të zhvilluara në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar, Sigma demonstron ndikimin konkret të angazhimit të saj lokal — të nxitur nga përkushtimi personal i punonjësve të saj. Ky është një shembull i shkëlqyer i mënyrës se si ne, si Vienna Insurance Group, marrim përgjegjësi përtej aktivitetit tonë kryesor në vendet në të cilat operojmë.”
Duke parë përpara, ambicia e Sigma VIG është e qartë: të zgjerojë iniciativa që integrojnë kërkimin shkencor, angazhimin komunitar dhe dimensionin njerëzor në modele të shkallëzueshme ndikimi.
Rreth Sigma VIG
Sigma VIG është një nga kompanitë lider në sigurimet jo-jetë në Shqipëri, e themeluar në vitin 1999 dhe e licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ajo ofron një gamë të gjerë produktesh, përfshirë sigurimet motorike, të pronës, shëndetit dhe zgjidhje të tjera të sigurimeve jo-jetë për individë, biznese dhe korporata. Që prej zgjerimit në Kosovë në vitin 2004, Sigma ka forcuar praninë e saj rajonale. Që nga viti 2007, është pjesë e Vienna Insurance Group, grupi më i madh i sigurimeve në Austri dhe një nga aktorët kryesorë në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke sjellë ekspertizë ndërkombëtare dhe standarde të larta shërbimi.
Vienna Insurance Group (VIG) është grupi lider i sigurimeve në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore (CEE). Më shumë se 50 kompani sigurimi dhe fonde pensionesh në 30 vende përbëjnë një grup me traditë të konsoliduar, marka të forta dhe marrëdhënie të afërta me klientët. Rreth 30,000 punonjës kujdesen për nevojat e përditshme të rreth 33 milionë klientëve. Aksionet e VIG janë të listuara në Bursën e Vjenës që prej vitit 1994, në Bursën e Pragës që prej vitit 2008 dhe në Bursën e Budapestit që prej vitit 2022. Grupi ka një vlerësim A+ me perspektivë pozitive nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s dhe bashkëpunon ngushtë me Erste Group, banka më e madhe retail në Evropën Qendrore dhe Lindore./dritare.net