Si ta kaloni depresionin e emigracionit! Këshillat e yllit të TikTok, Mira Palkola!
Dritare.net

Mira Palkola është ylli i TikTok-ut që na mbushi ditët e karantinës me humor gjatë kohës së pandemisë. Sot Mira dhe e bija Nora ishin në rubrikën ”Jeta ime” të emisionit “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv, për ndarë me ne dhe ndjekësit tanë disa çaste të bukura e plot humor dhe këshillat e marrëdhënies së tyre të bukur, familjare.

Bashkë qeshin, gatuajnë dhe këndojnë. Këto janë momentet e bukura që na shoqërojnë çdo ditë në TikTok dhe Instagram, falë Mirës dhe familjes së saj, bashkëshortit, Nino, vajza dhe dy djemtë e tyre, që jetojnë prej më shumë se dy dekadash në SHBA. Pak muaj më parë Mira dhe Nora realizuan një këngë dedikuar marrëdhënies nënë e bijë.

Edhe sot në DritareTv, Mira përcolli mesazhe të bukura dhe të forta, për nënat dhe gratë, fuqinë e tyre, për faktin se duhet ta duan veten, ta vlerësojnë veten, të bëjnë karrierë, por të vendosin familjen e tyre, fëmijën në plan të parë, pa humbur çastet e bukura e që të falin gëzim. Një mesazh, më saktë këshillë dha edhe për shqiptarët që ikin nga Shqipëria dhe sapo shkelin në një shtet të huaj hasin probleme me gjetjen e punës, apo edhe në familje, por edhe për ata shqiptarë që janë ende në Atdhe, që të punojnë dhe të gjejnë rrugë e mënyra për t’ia dalë.
“Një këshillë kam për ju shqiptarë që ikni jashtë, pësoni disfata si në familje apo punë. Duhet të keni një plan për jetën tuaj, sido që të vijë puna. Puno çfarë të të dalë para, nëse ke ikur jashtë për të mbijetuar. Unë kam punuar këtu në SHBA edhe pse nuk kam pasur nevojë për të punuar. Punova edhe pse nuk kisha dokumente, kam fshirë shtëpi, kam mbajtur të moshuar. Të gjithë që jeni në emigrim, ju lutem, nuk keni nevojë të shkoni në depresion. Nëse je ndarë, mundohu t’i japësh shtysë vetes të ecësh përpara. Çohu, bëj një plan për jetën, çfarë është më e mira për ty për t’u bërë. Edhe nëse ke shkuar në fund fare, bëj diçka për t’u ngritur në majë. Nuk jeni ju të vetmit, ka shumë si ju. Duhet të mendoni pozitivisht. Mos u dorëzo! Je gjallë. Lëviz për së gjalli, gjeje zgjidhjen! Vetëm i vdekuri nuk lëviz. Ju që thoni, nuk mundemi, e keni gabim. Jeta është e bukur. Mua më janë përplasur shumë dyer në fytyrë, shumë të tjera janë hapur. Unë punova që të më hapen këto dyer, punoni edhe ju.
Këto këshilla i kam edhe për shqiptarët në Shqipëri. E di që nuk jetoni dot me 300-500 mijë lekë të vjetër. Por të paktën mundohuni sa të mundeni! Provojeni! Ju që jetoni në fshatra, shfrytëzoni tokën tuaj! Luani duart! Të paktën të mos ju mungojnë frutat e perimet, djathi e gjalpi. Unë jam në mes të Nju-Jorkut dhe bëj djathë, nuk e blej. E di që është punë t’i mbash, por duhet të gjeni një mënyrë sa më të thjesht që mos e lini familjen të vuajë. Kaq di të them. Në Shqipëri ka punë, me rrogë të ulët, por është më mirë se hiçi. Më mirë 200-300-400 se zero. Me ato lekë blini ushqimet që ju duhen. Ka shumë mënyra për të mbijetuar dhe t’i mund t’ia dalësh. Ka pasur gjithmonë fukarallëk. Mos shikoni se ka tjetri Mercedes dhe tjetri BMW. Shiko çfarë të bësh për jetën tënde dhe familjen tënde sepse gjërat materiale shkojnë e vijnë.”, u shpreh Mira Palkola./K.C/dritare.net