
Si përzura nga zyra ambasadorët Lu & Vlahutin kur isha ministër i Drejtësisë! Flet Ylli Manjani!
Dritare.net
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ishte i ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV, ku foli pa doreza për marrëdhëniet e tij me përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë gjatë kohës që ushtronte funksionin qeveritar.
Kur u pyet për marrëdhëniet me amerikanët, Manjani tha:
“Nuk kam pasur ndonjë problem me amerikanët.”
Megjithatë, ai kujtoi një episod të tensionuar që ndodhi ditën e tij të parë në detyrë si ministër i Drejtësisë, ku në ambientet e ministrisë po zhvillohej një aktivitet me pjesëmarrjen e ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së BE-së, Romana Vlautinit.
“Ishte dita ime e parë e punës si ministër. Hyra në zyrë. Ata ishin në një aktivitet në katin e parë të ministrisë ku unë nuk isha ftuar sepse nuk më kishin lënë të bëja betimin. Erdha në zyrë, erdhën këta, ndërkohë unë po kërkoja një kopje të projektligjeve të reformës t’i shihja. "Mos i kërko fare’, më thanë, ‘se e kemi parë. Ç’të duhet ty ajo punë?!’”, rrëfeu Manjani.
I revoltuar nga kjo qasje, ai tregoi reagimin e tij të menjëhershëm:
“Urdhëro! Dil nga këtu, i thashë Vlautin! Si mund t’i thuash ministrit të Drejtësisë të vendit ku shërben "Mos lexo reformën" I thashë: Get out of here! Dil përjashta’. Nuk kishim çfarë të bisedonim më.”
Ndërsa për ambasadorin Lu, Manjani tha se ai e konsideroi situatën të ekzagjeruar:
“Lu tha se ishte pak e ekzagjeruar. I thashë, ta mbyllim këtë takim sot, flasim nesër prapë. Kështu doli dhe Lu-ja.”/dritare.net

















