Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si Balina Bodinaku ringjalli një ikonë shqiptare përmes një forme të re skenike

Si Balina Bodinaku ringjalli një ikonë shqiptare përmes një

Nga Albatros Rexhaj

Mbrëmja në Prishtinë ishte e ftohtë, me shi të imët që të hynte në jakë dhe të sugjeronte të ktheheshe prapa, në shtëpi, në ngrohtësi. Por disa shfaqje kërkojnë një lloj sakrifice të vogël meteorologjike — një gjest besnikërie ndaj artit. Dhe atë natë, sakrifica ia vlejti plotësisht.

Në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, aty ku ulëritjet e erës përplaseshin mbi xhamet, Balina Bodinaku solli një format që nuk i ngjan pothuajse asgjëje të njohur në skenën shqiptare. Ajo e quan “podkast skenik”. Unë do ta quaja ndryshe: një dokumentar i zhvendosur nga ekrani në trup, në praninë fizike të publikut.

Një gjini hibride që nuk ka vendosur ende emrin e vet përfundimtar dhe pikërisht kjo e bën të gjallë.

Si Balina Bodinaku ringjalli një ikonë shqiptare përmes një

Shfaqja është një homazh për Tefta Tashko Koçon, zërin që, më shumë se çdo tjetër, i dha Shqipërisë një tingull urban, të qytetëruar, me një elegancë që s’e ka humbur kurrë shkëlqimin. Por Bodinaku nuk na e ofron Teftën përmes distancës së zakonshme kinematografike. Nuk na ndan ekran. Narratorja është aty, një figurë e pranishme, e cila na fton në histori jo me gjeste të mëdha, por me një ndjeshmëri të matur, sikur të hapë lehtësisht një derë të brendshme dhe të na kërkojë të hyjmë në heshtje.

Formati funksionon si një pendulum estetik: nga njëra anë, interpretimi LIVE i pikave teatrale — të luajtura me një qetësi që nuk kërkon duartrokitje të menjëhershme; nga ana tjetër, pasazhet filmike që projektohen mbi skenë, duke i shtuar narrativës dimensionin e kohës dhe dokumentit. Ky alternim krijon ritmin e vet: një frymëmarrje e udhëhequr, ku secila pjesë i jep kuptim tjetrës. Në vend të linearitetit, përballesh me një rikrijim të kujtesës që e respekton fragmentin, ndërprerjen, kthesën intime.

Për një çast dhe këto çaste janë të rralla, arti arrin të simulojë atë që zakonisht e përjeton vetëm në muze ose bibliotekë: praninë e të kaluarës.

Si Balina Bodinaku ringjalli një ikonë shqiptare përmes një

Shfaqja e Bodinakut e sjell Tefta Tashko Koçon jo si simbol, por si njeri që ka jetuar, ka dashur, ka studiuar, ka luftuar me kufijtë kohorë që jeta i kishte caktuar. Dokumenti bëhet emocion, dhe emocioni rikthehet dokument.

Finalja është ndër ato skena që nuk duhen shpjeguar, sepse e bëjnë vetë punën: prania e fundit e Teftës në skenë, ajo dalje e butë, e qetë, e mbushur me një dritë që nuk e gjen dot në projektorë. Është momenti kur arti nuk përcjell vetëm historinë e një artisteje, por përpiqet të të kujtojë diçka për jetën tënde — për kohën tënde të shkurtër, për mënyrën se si e mbush atë.

Në një treg të vogël kulturor, ku forma të reja shpesh konsiderohen të panevojshme apo tepër eksperimentale, “podkasti skenik” i Balina Bodinakut vjen si një gjetje që ka guxim dhe finesë njëkohësisht. Ai i shton skenës shqiptare një dimension të munguar: idenë se dokumentari mund të jetë i gjallë, se kujtesa mund të rrijë pranë teje në një karrige, se rrëfimi historik mund të ketë frymë.

Dhe ndërsa dilja jashtë, nën shiun e një Prishtine që nuk pushon kurrë së qeni paksa melankolike, më dukej se mbrëmja kishte fituar një gravitet të veçantë. Sa pak duhet për ta bërë artin të paharrueshëm. Ndoshta vetëm një zë si i Teftës. Ndoshta vetëm dikush që guxon ta rikrijojë atë me gjuhë të re. Ndoshta vetëm një natë e ftohtë që ia vlen./dritare.net