Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rudina Xhunga: 31 emrat e shekullit që më ndryshuan jetën!

Rudina Xhunga: 31 emrat e shekullit që më ndryshuan jetën!


Nga Ani Jaupaj

Sot në Ditën Ndërkombëtare të librit po ju risjellim një shkrim për një nga librat më të veçantë të botuar së fundmi: Shkrimtarët e Shekullit!

Librarive u është bashkuar libri i gazetares Rudina Xhunga, “Shkrimtarët e shekullit”- 31 intervista në bibliotekën e botës. Me parathënie të Kryeministrit Edi Rama, libri më i ri i Xhungës hapet si një dritare me horizont tjetër, prej nga pamja është ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim.

Vetëm kur mësova për “31 intervistat e shekullit” realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga m’u rishfaq një episod që, aty për aty, nuk i kisha dhënë asnjë rëndësi. Ishte një telefonatë rutinë që i bëja një mikeshe. M’u përgjigj shkurt, e bezdisur nga telefonata, siç u kuptua, pse po ndiqte një intervistë në “Shqip’ nga Xhunga. Ishte mesditë, e martë! Po ritransmetohej emisioni i mbrëmjes së të hënës me David Grossman. Jo se e kishte humbur transmetimin prime-time, jo.

Po e rishihte. E bënte këtë sa herë ndalej e i ngacmoheshin mendimet nga një bisedë që dëgjonte. Atëherë i pata thënë të përdorte edhe video-regjistruesin, por sot e kam më të thjeshtë: t’i dhuroj librin e Xhungës! Dëgjohet shpesh përqark se ç’nevojë ka një gazetar t’i hedhë në letër intervistat që ka bërë e transmetuar në kohë të ndryshme në televizion. Ngjarja më sipër më erdhi menjëherë si përgjigje. Televizioni ikën, libri është aty, përveç se, ka gjithnjë tjetër efekt. 31 intervistat me shkrimtarët e shekullit, nobelistë e kandidatë për të tillë, iu bashkua librarive në datën e parë zyrtare të verës, dy ditë më parë. “Secila shumë e ndryshme nga tjetra, por të ndërlidhura shqip; falë një shqiptareje, e cila endet prej kohësh në bibliotekën e botës duke ëndërruar ta kapërcejë edhe kufirin e fundit, ku në fund ndalet për t’u kthyer me alibinë e diçkaje të bukur; zëra, që vijnë nga larg përmes një si harte shenjash e kodesh nga ato të thesarkërkimeve, ku papritur sheh vende që i njeh pa i pasë shkelur kurrë, fytyra që i ke dashur dikur edhe pse i sheh për herën më të parë; apo që i ke njohur e dashur përherë, por papritur i gjen krejt ndryshe…”- shkruan mes të tjerash në parathënien e librit Kryeministri Edi Rama. E në fakt, të endesh në bibliotekat e botës, nuk mund veç se të kthehesh me mbresat më të bukura, si ato gëzimet fëmijërore që pret, padurim, t’i ndash me të gjithë. T’i përçosh lexuesit, sa më shumë të mundësh, ndjesitë që të mbushin qoftë edhe vetëm të takosh për pak njërin nga të 31-tët e këtij libri. “Kanë qenë intervista, ku ti e zbërthen një njeri, e shikon përtej punës krijuese, e shikon në jetën familjare, në dëshirat, në ëndrrat dhe pamundësitë. Kanë qenë intervista për të njohur njerëz të mëdhenj të epokës sonë. Këta shkrimtarë janë ata që i kanë dhënë emrin këtij shekulli. Janë shkrimtarët e shekullit. Janë shkrimtarë që kanë marrë “Nobel”-in, apo që e kanë pretenduar atë”- dhe kur thotë që e zbërthen një njeri, moderatorja e emisionit “Shqip” në Top Channel, e ka fjalën edhe për ato detajet e fshehura që mundet t’i shohë vetëm gazetari pas kamerës, e që në fund, të bëjnë të largohesh me një shije që do ta përtypësh për gjatë. “Më kujtohet momenti kur Amos Oz po fliste për prindërit e tij, të cilët nuk jetonin më dhe se si i ftonte herë pas here për një kafe në shtëpinë e tij. Unë nuk e kuptoja se çfarë po thoshte, sepse ai po fliste në gjuhën hebreje. I vetmi njeri që po kuptonte çfarë ai po thoshte ishte përkthyesja. Por, Amos Oz po fliste në atë mënyrë sa unë fillova të qaja edhe pse nuk kuptoja fjalët. Kthej kokën nga përkthyesja për t’i thënë: të lutem më përkthe – dhe pashë që edhe ajo po qante. Unë po qaja për zërin dhe gjestet e tij, ajo po qante prej fjalëve të tij. Të gjithë në atë dhomë po qanim, prej mënyrës sesi ai po e tregonte. Amos Oz dinte të të prekte edhe pa e kuptuar gjuhën. Pastaj kishte atë përkushtimin ndaj teje sikur donte të të thoshte: keni bërë gjithë këtë rrugë, keni ardhur deri në shkretëtirë për mua. Çfarë mund të bëj për ju? Kujtoj gjithashtu kur u ngrit të më tregonte shkretëtirën dhe në një moment ndalet dhe më thotë: Unë e bëj përherë këtë rrugë. E bëj sepse dua të ridimensionoj veten dhe të kuptoj sa vlerë ka jeta ime. Duhet bërë, në mos përditë, një herë në vit rruga për në shkretëtirë, për të kuptuar sa të mirë e ke jetën, prandaj zgjidh të jetosh. Kështu më tha Amos Oz në fund të asaj bisede në shkretëtirë”- për të shijuar ca nga këto përshtypje të vogla të mëdha, Rudina Xhunga është bërë ndërmjetësja më e mirë mes shkrimtarit dhe publikut. Ç’ka, intuita e përvoja të thotë se nuk mund të ndodhë njësoj me një politikan. Sado që, kështu nisi emisioni “Shqip”, vite shkuar…”Po, në fillim ishte një emision politik, por në momentin që çdo gazetar politik në Shqipëri bën një emision politik dhe çdo politikan në Shqipëri del në çdo emision politik, atëherë m’u duk e padrejtë që shikuesin tim, shikues besnik i emisionit, qysh prej vitit 1998, ta trajtoja si shikues të zakonshëm. Si detyrim ndaj tij, m’u duk e drejtë që duhet të kërkoja përtej. Dhe përtej janë shkrimtarët bashkëkohorë, artistët dhe filozofët bashkëkohorë. Janë njerëzit që i japin kuptim këtij shekulli. Ndaj u përpoqa të shkoj tek ata dhe t’i jap tjetër pamje përmbajtjes së emisionit”. Sot, përveç emisionit të saj, Rudina po i jep tjetër përmbajtje edhe bibliotekës, o qoftë atyre rafteve të vogla me libra të secilit prej nesh. “Shfaqje e rrallë; për të mos u humbur”- do e mbyllte më mirë Edi Rama.

31 shkrimtarët e shekullit të intervistuar nga Rudina Xhunga:
1. Amos Oz (2008) – Miza dhe astronauti
2. David Grossman (2012) – Fama dhe fataliteti
3. Orhan Pamuk (2008) – Nobel-i dhe babai
4. Orhan Pamuk (2012) – Muzeu dhe pafajësia
5. Doris Lessing (2009) – Feminizmi dhe lavatriçja
6. Jonathan Franzen (2012) – Zogjtë dhe Twitter
7. Salman Rushdie (2012) – Vargjet satanike
8. Roberto Saviano (2008) – Mafia dhe vetmia
9. Roberto Saviano (2011) – Stabiliteti dhe rilindja
10. Misha Glenny (2009) – Ballkani dhe krimi
11. Anthony Giddens (2013) – Globalizmi dhe laburistët
12. Noel Malcolm (2007) – Historia dhe mitet
13. David Smiley (2008) – Spiunazh dhe tradhti
14. Arthur Japin (2009) – Kasanova dhe dashuria e parë
15. Atiq Rahimi (2010) – Fjala dhe vdekja
16. Patrick Poivre d’Arvor (2013) – Televizioni dhe librat
17. Nathalie Clayer (2011) – Ismail Qemali dhe Esad Pasha
18. Robert Elsie (2012) – Shqipëria dhe Kosova
19. Dominique Fernandez (2008) – Letërsia dhe betejat
morale
20. Alberto Bevilacqua (2008) – Misteret dhe Parma
21. Alessandro Leogrande (2012) – Titaniku dhe të varfrit
22. Niccolò Ammaniti (2012) – Lulja dhe tregimi
23. Beppe Severgnini (2010) – E majta dhe macet
24. Daria Bignardi (2010) – E bukura dhe bisha
25. Alfonso Signorini (2010) – Callas dhe Chanel
26. Fabio Volo (2009) – Një burrë dhe një grua
27. Paolo Giordano (2009) – Fizika dhe Strega
28. Hamid Peseshkian (2010) – Psikovampiri dhe
psikoterapia
29. Jordi Puntí (2013) – Katalunja dhe Valixhet e humbura
30. Jaume Cabre (2010) – Mali dhe qyteti
31. Javier Cercas (2013) – Gratë dhe depresioni/dritare.net