
Rrëfimi i shqiptares në Angli: Shtëpitë e barit nuk janë zgjidhja.
Dritare.net
Në intervistën që gazetarja Rudina Xhunga zhvilloi në Londër me shqiptaren Kleonisa Benaj njohëm anën punëtore të emigrantëve shqiptare që shkollohen, sakrifikojnë dhe luftojnë çdo ditë për një jetë më të mirë e gjithashtu u përballëm dhe me anën tjetër që zgjedhin lekun e lehtë dhe bëjnë punë të paligjshme në shtëpi bari. E kjo pjesë duket se mban pezull edhe ëndrrën e Kleonisës, që të arrijë ditën kur edhe Sqhipëria të ketë pasaportën e vetë europiane, siç e meriton.
Kleonisa ndau rrugëtimin e saj të jetës në Dritare TV dhe dha edhe një mesazh për këdo që po mendon rrugën emigrimit.
"Unë kam ardhur në Angli në vitin 2016 kështu që kam pak më shumë se 6 vjet këtu. Unë jam shqiptare, jam e shartuar le të themi ndaj më falni nëse nuk e flas shumë mirë por unë nuk kam qenë kurrë në shkollë shqipe. Gjuhën e kam mësuar nga prindërit, nga familja. Unë linda në Shqipërinë e mesme, në Elbasan dhe kur isha 6 vjeçe emigruam në Greqi. Kemi ikur në 1996, para rrëmujës, trazirave. Në '99 u kthyen më Shqipëri për pushime dhe isha e shokuar, nuk e besoja çfarë kishte ndodhur me vendin. Kuptova që njerëzit kanë vuajtur shumë atje. Lashë një Shqipëri normale dhe kur u ktheva nuk e gjeta më.
U larguam në Greqi drejt Athinës për mundësi ekonomike më të mira. Ikëm për shumë pak kohë, por ngelëm gjithë jetën atje. Unë më shumë kam jetuar në Greqi se sa në Shqipëri. Në Greqi fillova shkollën, klasën e parë derisa përfundova universitetin. Kam përfunduar studimet universitare në Athinë për infermieri. Për këtë erdha dhe në Angli, për të praktikuar shkollën. Kam ardhur këtu së bashku me bashkëshortin, tani kam edhe motrën këtu dhe gjithë familjen time. Profesionin ende nuk e ushtroj sepse këtu është e nevojshme të kalosh disa hapa dhe disa kualifikime dhe po punoj për këtë gjë. Deri atëherë kam punuar në këtë restorantin italian, por nuk besoj se do e bëj më pasi të kem mundësi të ushtroj profesionin. Megjithatë kurrë nuk i didhet jetës. Kurrë mos thuaj kurrë. Unë flas shqip, anglisht, greqisht, pak italisht dhe frengjisht. Bashkëshorti punon në të njëjtën kompani si unë, por në një degë tjetër dhe punon si chef.
Takoj shumë shqiptarë, ka shumë shqiptarë këtu. Në Londrën veriore sidomos ka shumë dhe kanë ardhur edhe në mënyrë të paligjshme si klandestinë. Janë njerëz të thjeshtë, me plot halle. Njerëzit mendojnë se mjafton të vish në Angli dhe pastaj çdo gje është fushë me lule, por nuk është kështu. Unë s’do ta merrja kurrë atë nismë që të paguaja aq shumë para për të ardhur këtu me gomone dhe të punoja në shtëpi bari. Të punosh në shtëpi bari për 100 paund në dite nuk ia vlen rrreziku. Bëhu profesioniët dhe merr shumë më tepër se aq. Duket që e marrin lekun pa djersë duke bërë punë të paligjshme sepse vijnë dhe e shpenzojnë për gjëra pa vlerë. Lekun e djersës nuk e shpenzon dot kollaj. Nuk duhet të harrosh kurrë nga ke ardhur.
Nuk është krijuar ndonjë imazh i keq për shqiptarët, është kryesisht gjë mediatike. E kanë një opinion pak negativ për shqiptarët, sepse e dinë që vijmë nga vende të vogla dhe jemi të vuajtur por në përgjithësi nuk u intereson nga vjen, përpiqen të jenë politikisht korrekt dhe të mos paragjykojnë. U bë 7 vite që nuk kam ardhur në Shqipëri, e jam pak skeptike për mentalitetin e shtetit shqiptar. Se njerëzit e di që janë të mirë, janë bujarë.
Shpresoj shumë që para se të vdes ta kem atë parasportën shqiptare pjesë të Bashkimit Evropian. Sepse jemi në Evropë. Jemi nga shtetet e para evropiane, pse jo. Kam një mesazh edhe për personat që mezi presin të lënë Shqipërinë. Nuk kanë faj sepse varfëria të bën të lëvizësh por nuk duhet të gënjëhen, emigrimi nuk është fushë me lule. Duhet ta provosh që ta kuptosh", u shpreh ajo në Dritare TV./M.K/dritare.net

















