
Rifotografimi, intrasigjensë e substancës njerëzore si antropologji
Dritare.net
Nga Vladimir Myrtezai
Të fotografosh kohën është një mision që ka të bëjë me një vrojtim të veçantë dhe me një rrugëtim të zgjatur në kohë për ta kthyer momentin e fiksuar nga një element temporal në një ndalesë të evokimit përmes përmbajtjes si një nënshtresë e ritregimit përmes vetë artit të vrojtimit. Si në të gjitha udhëtimet e mendjes, fotografi është një përcjellës i takimeve të para i cili mbart udhëtimin e tij përmes paralelesh kulturorë apo udhëtimit mbi shpatullat e një ecurie të traditës. Por jo gjithkush mbërrin në një destinacion për të transmetuar kohën e vet, pasi filozofi të ndryshme e paraqesin këtë akt të ndalimit në kohë përmes imazhit si një rastësi e përsëritur në të njëjtën gjuhë; si një kohë e ndalur në një atmosferë që kërkon të ndalojë cilësisht.
Edvin Çelo çan siparin në një shteg gati të puthitur tradicional si sistem referimi në gjuhën e fotografisë duke udhëtuar nga një proces tejet i zgjatur i ripërjetimit përmes rifotografimit, në një ushtrim të teknikës, për të risjellë në fokus volumet e tij të përmbajtjes. Është një zgjedhje e përmbajtur konservative por nëpërmjet një manipulimi operacional mbi struktura modulare që në këtë rast janë një grup portretesh me ndikim dhe të klikuar në masë. Moduli i tij i zgjedhur është një dritare efikase ku në një selektim të zhdrejtë gjejnë dukjen dhe zhvillimin e tyre plastik një seri portretesh të kohës që ai i quan bashkëkohës në zgjedhje të parë.
Shpesh, zgjedhja e tij i ngjan një lloj tërheqjeje instiktive si në një shportë frutash shumëllojshme ku shija orientohet nga tërheqje që jo gjithherë kanë të bëjnë thjesht me përmbajtjen por me pëlqimin dhe mospëlqimin bazuar mbi një sugjestion të ndërvarur emocional. Të njëjtën transhetë emocionesh ai e lë të lirë në zgjedhje që përhapet butazi si emulsion i shijes subjektive. Kur personazhi zgjidhet Edvin Çelo ndërton një modul operimi thellësisht rigoroz ku kjo materie kryen udhëtimin e vet për të na zbuluar nën një trysni forme ndryshimet karakteriale të subjektit.
Çelo, me një ambicie të lartë artistike dhe duke njohur shumë mirë mundësitë teknike të zhanrit e mjetit, bën zgjerimin e kërkimit të tij ngjashëm me një udhëtim stratigrafik e gati dokumentar mbi një grumbull hamanësh, duke e zhveshur secilin individ nga sugjestionet rutinë të manipulimit publik si përmbajtje, e duke e kaluar atë në një tjetër rrafsh, në përballje të drejtpërdrejtë me objektivin zhbirues të tij. Duke qenë se në fund të gjithë krijohen në të njëjtin format, rishikimi i dritës nga Çelo në dendësi piksel-për-piksel rijetohet në mendjen e artistit ngjashëm me një proces të rindërtimit nga e para të gjithçkaje. Procesi kërkon nga autori një besnikëri të mbivendosjes imazh mbi imazh sikur të ndërtonte monologun e subjektit në një zbardhje fjalë-për-fjalë marrë gjatë një interviste të kalkuluar. Kjo lojë që ofron teknika mbars një vetvete të programuar në kohë dhe aplikim. Ajo mbivendos modelimin me të cilin autori laton një akt procedurash rigoroze me një fanatizëm të konkretizuar në gjithë dritën e rishikuar të tablove si fotografi. Ai kryen një udhëtim që po të kishte fjalë nga pikëpamja volumit të punës do i ngjante letërsisë konkrete si narrativë e rishikimit.
Cikli që përzgjedh Edvin Çelo gjendet në një perpetum mobile duke tentuar një skanim të imtësishëm të kohës që autori qëllimisht e le të hapur si projekt pa një fund, që të mos vijë si reminishencë as e mallëngjimit dhe as e patetikës së lartë. Duke marrë këtë qëndrim, Çelo krijon mundësinë që kjo rrjedhje në formën e vet të zhvillimit si proces, të humbasë skicën e programuar të aktit fotografik, dhe të transformohet në një element plotësues të një hartografie të mendjes krijuese të artistit duke mohuar një ekspozim thjesht të traditës në formën më të lartë klasike të zgjedhjes të tipologjisë.
Çelo bazohet mbi të dhëna intuitive e spontane që i vjel nga prerje të realitetit si formë e lartë e shprehjes. Projekti i tij fundor bazohet mbi një kornizë të hapur evolutive të imazhit ku transi psikologjik bën udhëtimin e vet. Çelo nuk tenton vetëm zbulimin e dritës, pasiqë atë e ofron si zgjedhje standarde, por ndjek psikozën secilit personazh duke qenë vetë ata që ofrohen për tu zbuluar përpara objektivit. Të gjithë subjektet zhvishen nën këtë optikë dhe shenjohen si volume në trajtë ku diferencën e bën antropologjia e formës direkte pa lojën me efekte të ndriçimit të befasishëm e të ndryshueshëm. Imazheria përfton një linearitet bazë si klishe e parapërgatitur në objektivin e fotografit.
Në portofolin e artistit gjejmë padyshim një volum krijimesh fotografike si mjeshtër i teknikave të vizatimit të dritës së pelikulës dhe maestro i gjendjeve të mbivendosura përforcuar edhe me referenca linguistike. Ai njeh shumë mirë plan-vendosjen dhe shpërbërjen e imazhit sipas strukturave që përzgjedh dhe shpalos një shkathtësi që e tejkalon syrin e thjeshtë e të lirë të një fotografi.
Edvin Celo ka një lidhje organike me këtë medium për shkak të talentit të tij për të tejkaluar kërkesën formale që mediumi ofron si dhe për shkak të vrojtimit të tij që përkthehet në propozime alternative befasuese me një gjuhë vizuale të sprovuar dhe thellësi që braktisin realizmin në një kërkim pa fund për shpirtëroren. /Gazeta Liberale

















