Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rehova, fshati ku turistët jetojnë me banorët!

Rehova, fshati ku turistët jetojnë me banorët!

Fshati i gurtë apo fshati francez i Kolonjës. Rehovën mund ta quani si të doni. Mund ta quani edhe fshati piktoresk, mikpritës apo fshati i njerëzve zanatçinj, sepse aty të gjithë kanë një shkollë ose një profesion. Mund të përdorni mijëra cilësime që ju vijnë në mendje, mjafton të shkoni ta vizitoni e të bindeni për vlerat e kësaj Qendre Historike.
Në hyrje të rrugës prej 2 km, nga Erseka, takohesh me Monumentin e Natyrës, Rrapin e Papa Naunit. Pas tij, në hyrje të fshatit të mirëpret monumenti i dëshmorëve.

Rehova, fshati ku turistët jetojnë me banorët!
Ndalesa juaj aty duhet të jetë e gjatë. Mos neglizhoni guidën që ju tregon shtëpitë mikpritëse, kishat apo vendet që duhet të vizitoni. Mos shpërfillni asnjë shenjë që ju tregon rrugën, në të kundërt pyesni banorët ose merrni një udhërrëfyes. Vetëm ata do e bëjnë diferencën, sepse juve do ju duket çdo gjë njëlloj, prej guri dhe mes gurëve.



E vendosur rrëzë Gramozit, Rehova bashkëjeton në harmoni me malin e lartë, bimët, të ftohtin dhe egërsinë e dimrit. Bashkëjeton ashtu si shtëpitë e gurta. Të reja e të vjetra, qëndrojnë përqafuar mes pemëve dhe tjegullave të gurit. Bashkëjeton ashtu si brezat. Të moshuarit rrinë e presin të rinjtë, që ikin dhe rikthehen me pushime, apo për të rindërtuar shtëpitë e rrënuara.
Bashkëjeton më së miri me francezët. Vijnë çdo vit, shijojnë ushqimet, mësojnë zakonet dhe pasi largohen, dërgojnë kujtimet dhe përshëndetjet e tyre.

Rehova, fshati ku turistët jetojnë me banorët!
Sterjo Prifti ka një histori interesante me francezët, miqtë e tij më të mirë. Mes librave të shumtë, ruan bllokun që ia ka çuar dhuratë Piero dhe Kristinë. Një bllok që mban fotot dhe urimet e të gjithë turistëve që kanë bashkëjetuar në shtëpinë e tij.
"Këtë bllok ma dhuruan në 2013, kur turistët filluan të vinin për herë të parë në fshatin tonë dhe kemi shënjuar momentet e bukura që kemi kaluar bashkë. Çdo njeri që hyn në shtëpinë tonë, nuk duhet të dalë pa lënë një shënim. Ndërsa turistët, nëse nuk rikthehen, na dërgojnë kartolina, foto nga vende të tjera, përshëndetje apo urime festash. Këtë vit na dërguan kalendarin me pamje nga Lyon”, thotë ai për Dritare.net.

Rehova, fshati ku turistët jetojnë me banorët!
Sterjo tregon se ka një marrëdhënie të veçantë me këta njerëz. Përveçse hanë bashkë ushqimet tradicionale, ata ndajnë bashkë gëzimet dhe hidhërimet. Në shtëpinë e tij që cilësohet si një nga 9 shtëpitë pritëse të fshatit, kanë ardhur pak turistë këtë vit.
"Ishte zgjedhja jonë. Na erdhën djemtë nga Greqia, me nipat e vegjël dhe kështu nuk kishim hapësirë. Më pas gruaja u largua me djemtë dhe unë i vetëm nuk ia dal dot".

Rehova, fshati ku turistët jetojnë me banorët!
Sterjo jeton në fund të fshatit, në një shtëpi që e ka ndërtuar para 30 e ca vjetësh. Një shtëpi tradicionale, me qilima dhe mobilje prej druri, pak të tejkaluar nga koha. Aty gjen gjithçka jo moderne. Në oborr gjen kopshtin e mbjellë me lakra, domate, speca, kunguj. Mbushur plot me lule. Nuk ka shtëpi kolonjare që nuk ka lule.
Muret e dhomës janë histori më vete. Mbushur me foto, tregojnë Rehovën e vjetër, tregojnë liqenin e Gramozit, tregojnë shokët e tij të diplomimit dhe çastet e bukura të familjes./dritare.net