Reanimacioni në QSUT mbeti pa energji, shefi i shërbimit: Pacientët u zhvendosën për siguri
Dritare.net

Shefi i Shërbimit të Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Krenar Lilaj, zhvilloi sot një komunikim për mediat, ku sqaroi dinamikën e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur në repartin e Reanimacionit u ndërpre energjia elektrike si pasojë e një defekti të përgjithshëm në Tiranë.
Sipas doktor Lilajt, ndërprerja e energjisë ndodhi rreth orës 20:18 dhe, për shkak se rikthimi i saj ishte i pakonfirmuar, u mor vendimi për të transportuar 10 pacientë, prej të cilëve 9 në respiracion të drejtuar, drejt repartit të Reanimacionit të Kardiologjisë, rreth 20 metra larg.
Transporti i pacientëve nisi në orën 20:43 dhe përfundoi rreth orës 21:10, duke u kryer me respiratorë portativë, pa ndërprerje të trajtimit dhe pa komplikacione. Pas rikthimit të energjisë elektrike dhe sigurimit të kushteve, pacientët u rikthyen në njësinë e terapisë intensive rreth orës 22:00, në mënyrë të kontrolluar.
Shefi i Reanimacionit theksoi se pajisjet mjekësore janë të pajisura me sisteme rezervë energjie (back-up), të cilat sigurojnë funksionim për 5 deri në 6 orë, dhe se ndërprerja e energjisë nuk ka cenuar në asnjë moment trajtimin e pacientëve.
Lidhur me vdekjen e të burgosurit Nihal Mërkuri, i cili ndërroi jetë në Reanimacionin e Kirurgjisë, doktor Lilaj sqaroi se gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rëndë që në momentin e shtrimit. Sipas tij, pacienti vuante nga cirrozë hepatike dhe kishte pësuar hemorragji masive, për të cilën ishte trajtuar kirurgjikalisht. Ai ndërroi jetë në orën 04:13, dhe ndërprerja e energjisë elektrike nuk ka pasur ndikim në këtë rast.
Pacientët që ndodheshin në Reanimacionin Kirurgjikal, sipas Lilajt, vijuan trajtimin normalisht pa vështirësi dhe pa komplikacione./L.F-dritare.net