Rama viziton artistët e huaj te ‘Vila 31’ pas sulmit me molotovë: I gjeta të traumatizuar
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama reagoi pas sulmit të mbrëmshëm në rezidencën e artistëve, të vendosur në ish-shtëpinë e diktatorit, ku fondacioni Art Explora mikpret të rinj talentë nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera.
Në reagimin e tij zyrtar, Rama dënoi aktin e dhunës dhe theksoi rëndësinë e sigurimit të ambientit për artistët dhe të rinjtë e talentuar. Ai bëri thirrje për zbatimin e ligjit dhe për veprime të shpejta nga autoritetet kompetente për hetimin e incidentit dhe për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
"Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!
Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!
Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!", shkruan Rama./L.F-dritare.net