Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Plani i ri për shëndetësinë, mbi 1 miliard euro për luftën ndaj kancerit!

Plani i ri për shëndetësinë, mbi 1 miliard euro për

Qeveria ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2026, ku një fond prej mbi 1 miliard eurosh, ose afro 4% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, do t'i dedikohet shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Gjatë një komunikimi video, Kryeministri Edi Rama zbuloi detaje nga plani ambicioz, i cili vë theksin te lufta kundër kancerit, rritja e pagave për personelin mjekësor dhe futja e teknologjive të reja si inteligjenca artificiale.

Një nga pikat kryesore të buxhetit të ri është krijimi, për herë të parë, i një linje të dedikuar financimi nga buxheti i shtetit për luftën kundër kancerit. Konkretisht, 15 milionë euro shtesë do të vihen në dispozicion për barnat e shtrenjta për pacientët onkologjikë. Gjithashtu, u njoftua se shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do të ofrohet i plotë dhe falas për të gjitha. Plani përfshin edhe ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve për Shqipërinë 2030, një projekt që pritet t'i bashkohet rrjetit ndërkombëtar të instituteve që luftojnë këtë sëmundje.

Për të adresuar largimin e mjekëve, qeveria planifikon një rritje të re pagash për 4,600 mjekë, infermierë e farmacistë, si dhe për 14,200 teknikë e laborantë. Ky hap përshkruhet si një mesazh për brezin e ri të profesionistëve shëndetësorë, me synimin që Shqipëria 2030 të jetë një vend ku qëndrimi dhe puna me dinjitet të jenë normë, dhe largimi një zgjedhje thjesht individuale, jo një imponim nga pamundësia.

Investimet do të vazhdojnë intensivisht edhe në modernizimin e infrastrukturës spitalore, duke përfshirë spitalin e ri të Korçës, urgjencën e Durrësit dhe spitalet bashkiake të Matit e Tropojës. Objektivi i shpallur është që në vitin 2030, asnjë strukturë shëndetësore në vend të mos jetë jashtë standardeve të Bashkimit Evropian. Viti 2026 do të shënojë gjithashtu futjen e inteligjencës artificiale në sistemin shëndetësor. Kjo do të realizohet përmes një kompanie të përbashkët me një partner evropian, duke krijuar një ekosistem dixhital për diagnostikim me imazheri dhe analiza parashikuese.

Plani përmbyllet me një partneritet strategjik mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe spitalit prestigjioz San Raffaele të Milanos. Ky bashkëpunim synon ta transformojë QSUT-në në një qendër rajonale shëndetësore me prestigj në Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030./dritare.net

View this post on Instagram

A post shared by Dritare Tv (@dritare_tv)