Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën në krye të detyrës

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën

Në Akademinë e Sigurisë, me rastin e Ditës së Dëshmorëve, u zhvillua një ceremoni përkujtimore. Në ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila, përfaqësues të institucioneve vendore, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye ose për shkak të detyrës.

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe të organizatës së Policisë së Shtetit, shprehu mirënjohje për punën e punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në luftën kundër krimit. Ai premtoi përkrahje për familjarët e Dëshmorëve të Policisë dhe më shumë angazhim nga ana e Policisë, për të luftuar krimin, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë.

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën

Zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila shprehu gjithashtu mirënjohje për veprën sublime të Dëshmorëve dhe në emër të Ministrisë së Brendshme, ofroi mbështetje për familjarët e punonjësve të Policisë që sakrifikuan jetën për sigurinë e kombit.

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën

Gjatë ceremonisë mbajti fjalë dhe punonjësi i Policisë Maringlen Goçi, djali i njërit prej Dëshmorëve të Policisë, i cili ka vlerësuar mbështetjen e drejtuesve të Policisë dhe të kolegëve dhe në emër të të gjithë fëmijëve të Dëshmorëve, që aktualisht janë pjesë e Policisë, ka premtuar se me përkushtimin e tyre në detyrë do të bëjnë krenarë familjen e tyre dhe Policinë e Shtetit.

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën

Ceremonia u mbyll me vendosjen e kurorave me lule në memorialin përkujtimor të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

I përjetshëm kujtimi i Dëshmorëve të Atdheut!


Fjala e zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues i Parë Sokol Bizhga, gjatë ceremonisë:

“Të nderuar familjarë të Dëshmorëve,
I nderuar zoti Minister i Brendshëm,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar të pranishëm,

5 Maji është një nga datat më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare.

Në këtë ditë nderojmë me përulësi të thellë Dëshmorët e Atdheut – bijtë dhe bijat më të mirë që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë, sigurinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar.

Në këtë ditë të shënuar, Policia e Shtetit bashkohet me gjithë shoqërinë shqiptare për të përkujtuar me respekt të pamasë, ata që nuk kursyen asgjë për idealin më të lartë – Atdheun.

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën

Sot, përkulemi me nderim para kujtimit të efektivëve të Policisë, të rënë në krye të detyrës. Ata janë shembuj të gjallë të trimërisë, përkushtimit dhe ndershmërisë. Sakrifica e tyre është dhe do të mbetet një udhërrëfyes për çdo punonjës policie që vesh me krenari këtë uniformë.

Familjet e Dëshmorëve janë një pjesë e pandarë e Policisë së Shtetit. Ju jeni trashëgimtarët e një sakrifice të madhe dhe ne jemi këtu për t’ju siguruar se emri dhe vepra e të afërmve tuaj do të kujtohen përherë me respekt dhe mirënjohje të thellë.

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën

Ne, si institucion i sigurisë publike, kemi një detyrë të shenjtë: të mbrojmë vlerat për të cilat ranë Dëshmorët tanë - drejtësinë, rendin, ligjin dhe jetën njerëzore.

Uniforma e Policisë së Shtetit është simbol i kësaj përgjegjësie dhe kushdo që guxon ta cenojë këtë uniformë, do të përballet me forcën e ligjit.

Përkujtohen punonjësit e Policisë që humbën jetën

Në këtë ditë përkujtimore, le të angazhohemi të gjithë së bashku, që gjaku i Dëshmorëve të na ndriçojë, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të sigurtë dhe më të bashkuar - për hir të kujtimit të tyre dhe brezave që vijnë.

Lavdi të përjetshme Dëshmorëve të Atdheut!

Nderim dhe mirënjohje të pakufishme familjeve të tyre!

Faleminderit!”./L.F-dritare.net