Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

PD 6 mln dollarë lobim me kompaninë e njerëzve të Trump, SPAK nis hetimet!

PD 6 mln dollarë lobim me kompaninë e njerëzve të Trump,

SPAK ka nisur hetimet pas publikimit të kontratës së PD me kompaninë amerikane 'Continental Strategy", e zotëruar nga njerëz të afërt të Trump, për të lobuar pranë qeverisë amerikane për një periudhë dy vjeçare.

Hetimi ka nisur kryesisht pas publikimit të kontratës në media.

Një ditë më parë u publikua kontrata, që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD Flamur Noka me garantor shqiptaro-amerikanin Nuredin Seci, në të cilën njoftohej se PD do t'i paguajë kompanisë amerikane 6 milionë dollarë për dy vite. PD ka parapaguar 750 mijë dollarë ndërsa pjesën tjetër do ta paguajë me 250 mijë dollarë në muaj për një periudhë dy vjeçare.

Tashmë, përmes hetimit, do t’i takojë SPAK të tregojë burimin e financimit marramendës, për një kontratë që është më e shtrenjta në historinë e lobimeve në politikën shqiptare.

Garantori i kontratës së majme, Seci me origjinë nga Tropoja jeton në New Jersey. Noka e ka firmosur marrëveshjen jo në emër të PD, por të koalicionit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore.

Një prej drejtuesve të kompanisë Continental Strategy, është Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së Trump, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita, i cili është aktualisht shefi i fushatës elektorale te Sali Berishës. Zgjedhja e një kompanie që zotërohet nga njerëz të rrethit të ngushtë të presidentit të SHBA-ve Donald Trump duket se nuk është e rastësishme.

Përmes kësaj kontrate, Partia Demokratike me sa duket kërkon më shumë akses në majën e Shtëpisë së Bardhë, por edhe zgjidhjen e disa problemeve nga e shkuara. Jo rastësisht, shërbimi i parë që kompania e lobimit ka realizuar për PD-në është një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish sekretari Blinken.

Partia Demokratike e ka pranuar kontratën e lobimit me kompaninë amerikane ‘Continental’, dhe vlerën e saj, por thotë se “paratë do paguhen nga komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”./REPORT-TV