Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Olsian Çela: Mungojnë 35% e prokurorëve. Duhet zgjidhje urgjente!

Olsian Çela: Mungojnë 35% e prokurorëve. Duhet zgjidhje

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela prezantoi para KLP raportin e vitit 2024. Para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Çela ngriti shqetësimin për numrin e ulët të prokurorëve, ndërsa nga ana tjetër theksoi se përballen me ngarkesë. Çela ka vlerësuar se koordinimi institucional me SPAK dhe policinë dhanë rezultat në zbatimin e drejtësisë penale.

Ndalur në shifra, Çela tha se numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm ka qenë vetëm 209, që përbën 65% të strukturës organike prej 321 vendesh, pra 112 prokurorë më pak. Në prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë në 2024 janë kanë qenë vetëm 185 prokurorë, ose 98 më pak; në prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm kanë qenë vetëm 11 nga 20 të parashikuar, dhe në Prokurorinë e Përgjithshme gjithashtu 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë nga 18 të parashikuar.

“Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65 % të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35 % të numrit të prokurorëve. Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve të prokurorive ka qenë: 185 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 98 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik (65 % e strukturës organike); 11 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 9 prokuror më pak krahasuar me numrin organik (55 % e strukturës organike) dhe 11 prokurorë dhe 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 7 prokurorë më pak se numri organik (61 % e strukturës organike)”, tha Çela.

Çela njoftoi se në kuadër të zbatimit të hartës së re gjyqësore, është përfunduar detyra e projektimit për ndërtimin e një godine të re që do të akomodojë Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Prokurorinë pranë Gjykatës Tiranë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Çela tha se çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente

“Në kuadrin e hartës së re gjyqësore, Prokuroria e Përgjithshme ka vazhduar koordinimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Ministrinë e Drejtësisë për zgjidhjen e çështjeve në drejtim të infrastrukturës. Nga ana jonë janë planifikuar disa masa që për realizimin e tyre kërkojnë angazhim ndërinstitucional. Ka përfunduar detyra e projektimit në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Prokurorinë Tiranë, për ndërtimin e një godine të re akomodimi për të gjitha institucionet e sipërcituara. Së bashku më Këshillin e Lartë Gjyqësor i kemi drejtuar një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për sigurimin e një sheshi ndërtimi, në mënyrë që të vijohet me hartimin e projektit, por si çështja e terrenit dhe e financimit mbeten ende të pazgjidhura, ndërkohë që nevoja për marrjen e masave konkrete është tejet urgjente. Gjatë vitit 2024 përfundoi me sukses rikonstruksioni i Prokurorisë Dibër, që ofron tashmë hapësira të mjaftueshme për ushtrimin normal të aktivitetit. Gjatë vitit 2025 do të përfundojnë investimet në prokuroritë Fier, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës, ku janë zgjeruar ambientet në këto prokurori në zbatim të marrëveshjes me KLGJ dhe Ministrinë e Drejtësisë. Edhe pas këtyre masave, problem do të vijojnë të mbeten Prokuroria Durrës dhe ajo Sarandë, ku ambientet ekzistuese janë të pamjaftueshme nëse do të plotësoheshin organikat”, theksoi Çela.

Çela bëri me dije se gjatë vitit 2024, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë trajtuar 61.091 materiale kallëzuese që përbën një rritje prej 10,5 % në krahasim me vitin 2023. Janë ndjekur 47501 procedime penale, që përbëjnë një rritje prej 4,8 % në krahasim me vitin 2023, nga të cilat 24921 janë procedime penale të regjistruara, me një rritje prej 3,4 % në krahasim me vitin 2023 dhe 179 procedime penale të rifilluara, që tregon ulje prej 10,9 % në krahasim me vitin 2023. Janë mbartur 22401 procedime penale me një rritje prej 6,6 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2023. Është vendosur mosfillimi për 13590 referime dhe kallëzime penale, që do të thotë një rritje prej 36,6 % në krahasim me vitin 2023./E.P- DRITARE.NET